Në një deklaratë për mediat, Administratori i #KESH Ergys Verdho pretendonte se Shqipëria kishte ndaluar #importet e #energjisë javët e para të muajit shtator. Por verfikimi i Faktoje tregon se Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka vijuar me procedurat e blerjes së #energjisë dhe fatura e #importeve në shtator arrin vlerën 52 milionë euro.
Esmeralda Topi
“Sot KESH-i ka kapacitetet prodhuese për të absorbuar prurjet dhe njëkohësisht për të dhënë detyrimin për shërbim publik 12.900 mwh në ditë, pra nuk ka nevojë për import aktualisht dhe javës tjetër nuk do të ketë nevojë për import. Flasim për një histori e cila manaxhohet shumë mirë nga KESH. “- deklaroi në studion e lajmeve të Klan News Administratori i Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare Ergys Verdho, më 18 shtator.
Por përkundër kësaj deklarate, KESH ka vijuar me procedurat e importit të energjisë elektrike. Sipas verifikimit të Faktoje, një ditë pas deklaratës së z.Verdho, Korporata Elektroenergjitike ka hapur tender për blerje energjie për periudhën 21-25 shtator.
Referuar rezultateve të tenderit, fatura e blerjes së energjisë arrin vlerën e 10 milionë eurove. Në total, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka blerë 23,400 MWh energji me një çmim mesatar 435,80 Euro/MWh për të plotësuar nevojat e konsumatorëve për periudhën 21-25 shtator.
Për të mësuar se çfarë e ndryshoi situatën, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion KESH-it. Deri në momentin e publikimit të artikullit nuk kemi një përgjigje zyrtare.
Kërkimet tona tregojnë se nga fillimi i muajit shtator e deri më tani, KESH ka bërë pesë procedura importi për të siguruar furnizimin me energji elektrike. Sipas përllogaritjeve, fatura e importeve të energjisë për këtë periudhë arrin vlerën e 52 milionë eurove.
E vërteta është se krahasuar me muajt e verës, në 10 ditëshin e parë të shtatorit KESH ka importuar një sasi shumë të vogël energjie dhe pjesën më të madhë të saj e ka siguruar përmes menaxhimit të kaskadës së Drinit. Por fatura totale e blerjeve të shtatorit krahasuar me muajt korrik-gusht nuk bën diferencë të madhe.
Ekspertët parashikojnë fatura edhe më të ‘kripura’ për sigurimin e furnizimit me energji në muajt e mbetur të vitit, ndërkohë që e vënë theksin tek mungesa e bursës së energjisë.
“Nëse do të ishte bursa e energjisë në operim, e gjithë energjia e prodhuar nga prodhuesit e mëdhenj privatë do të ishte shitur në Shqipëri dhe vendi do kishte patur nevojë vetëm për 0,6 TWh import, pra për gjysmën.”- thotë për Faktoje Anita Shushku, inxhiniere konsulente në fushën e energjisë. Ajo shton gjithashtu se procedurat e importeve nuk janë transparente.
“E kam theksuar sa herë më është dhënë rasti që importi si proces nuk është aspak transparent dhe i paprogramuar siç duhet. Nuk ka një platformë ditore online që të tregohet se si jane flukset ditore të prodhimit dhe konsumit në Shqipëri, cilat janë kontratat vjetore apo mujore të tregtimit të energjisë. Kjo e bën situatën shumë kaotike.”- argumenton Shushku.
Për të garantuar furnizimin me energji në buxhetin e vitit 2022 qeveria ka parashikuar 230 milionë euro, ndërkohë që aktualisht është shpenzuar gati 60% e mbështetjes. Dimri pritet të jetë edhe më i vështirë. Çmimet e energjisë në bursa parashikohen deri në 500 euro/MWh, ndërkohë që edhe nevoja për import është në varësi të situatës hidrike.
Fotografia kryesore është marrë nga webi.