Në vjeshtën e vitit 2021, qeveria shpalli emergjencën energjetike dhe prej asaj kohe, kriza vijon të thellohet. Lufta mes Rusisë dhe Ukrainës nxori në pah se gjatë dy dekadave të fundit, asnjë nga qeveritë nuk i është përmbajtur strategjive, apo premtimeve të dhëna për ta kthyer vendin në një ‘superfuqi energjitike’ siç u premtua thuajse dy deklada më parë. Nëse do ishte shfrytëzuar me efikasitet potenciali e lartë hidrik i vendit, ekspertët konsiderojnë se do ishin mbuluar më shumë se 70-75 % të nevojave të vendit. Por sot, Shqipëria e blen energjinë elektrike 6 herë më shtrenjtë sesa e shet, duke sjellë një faturë të lartë financiare.
Në 22 nëntor 2005, kryeministri i asaj kohe Sali Berisha tha:
“Shqipëria do të jetë brenda viteve që vijnë prodhuesi kryesor i energjisë së rinovueshme dhe eksportues i tij. Ne qëndrojmë të vendosur të adaptojmë çdo rregull që tregu i energjisë në Shqipërisë të jetë një segment i tregut europian dhe ndoshta segmenti më i hapur i tij”.
Gjatë fushatës elektorale të vitit 2005 teksa prezantonte kandidatin për qytetin e Kukësit ish kryeministri Berisha premtoi madje kthimin e këtij qyteti në superfuqi energjitike jo vetëm në vend, por në të gjithë rajonin.
Pjesë nga premtimi i ish-kryeministrit Berisha
Por një dekade e gjysmë pas këtyre premtimeve, Shqipëria po shfaqte regres në vend të kthimit në një minisuperfuqi energjetike.
Në vitin 2019 gjatë një konference për shtyp, Kryeministri Rama i cilësoi “vendimmarrje për t’u harruar” lejet për hidrocentrale, ndërsa u zotua se nuk do të kishte më HEC-e nën 2MW:
“Përfundimisht të gjitha HEC-et nën 2MW janë konstatuar si të dëmshme, jo vetëm të padobishme, por edhe të dëmshme… ka përfunduar procesi i premtuar i skanimit të kontratave dhe ka nisur procesi i ndërprerjes së 27 kontratave. Nuk do të ketë më në Shqipëri leje për asnjë HEC nën 2MW dhe nuk do të lejohet më kurrë që në emër të prodhimit të energjisë të preken zona me rëndësi nga pikëpamja natyrore dhe turistike apo dhe komunitetet duke arritur deri në pikën kur tubat e HEC-it të futen në burimin e ujit.”-përfundoi ai.
Por edhe ky premtim nuk u mbajt, pasi vetëm në vitin 2019 rezultojnë të jenë dhënë 21 leje për këto lloj hidrocentralesh dhe në 2020 janë 14 kontrata të tilla. Si për ironi, në këtë një dekadë e gjysmë, në Shqipëri janë dhënë leje për ndërtimin e më shumë se 720 HEC-eve. Sipas të dhënave rezulton se vetëm 30% e tyre janë aktualisht në prodhim. Këto të dhëna tregojnë qartë se vendi ynë pas 20 vitesh mbetet defiçitar sa i përket energjisë elektrike, për të plotësuar nevojat e konsumit të brendshëm.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mjedisit për Faktoje, nga viti 2014 deri në vitin 2021, janë 88 hidrocentrale (me kapacitet nën 2MW) që kanë përfunduar dhe kanë hyrë në fazën e prodhimit të energjisë.
Përgjigjja për Faktoje nga AKBN Dokumentin e plotë e gjeni këtu
Nga superfuqi, në “lypës” të energjisë
Sipas opinionit të ekspertëve të fushës, mbështetja vetëm në hidroenergji ka sjellë stanjacion të objektivave strategjike, varësi energjetike dhe humbje ekonomike. Skenarët e kërkesës për energji elektrike deri në 2030-2040 dëshmojnë për një rritje të kërkesës për energji në masën 24% në 2030 dhe 50% në 2040. Kjo kërkesë e shtuar do të krijojë një boshllëk në furnizim nga importi dhe një rritje të varësisë energjetike. Varësia energjetike totale ka ardhur duke u rritur, nga 24% në vitin 2016 në 37% në vitin 2020. Ndërsa varësia e energjisë elektrike nga 10% në vitin 2006 në 30% në 2020-n.
Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë elektrike në Shqipëri për të mësuar raportin e balancës energjitike nga viti 2005 deri në vitin 2020.
Në përgjigjen e këtij institucioni shohim se ndryshe nga çfarë është premtuar nga ish kryeministri Berisha, Shqipëria jo vetëm nuk ka mundur të mbulojë nevojat e veta me energji elektrike, por kostot për importimin e saj janë rritur nga viti në vit.
As Kryeministri Rama nuk i ka shpëtuar dot premtimeve madhore kur bëhet fjalë për ndërtimin e HEC-eve, të cilat do të sjellin zhvillim përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Gjatë një konference për shtyp, në datën 27/05/2020 Kryeministri foli gjatë për planet e zhvillimit të sektorit energjetik ku u ndal te hidrocentrali i Skavicës. Rama e konsideroi “objekt strategjikisht, absolutisht të domosdoshëm, të vështirë dhe të komplikuar” që “të gjitha qeveritë e kanë pasur në plan, por e kanë shtyrë” dhe që mund ta kompletojë projektin e Kaskadës së Drinit”.
Të dhënat për gjendjen e plotësimit të nevojave të tregut shqiptar me energji elektrike dëshmojnë të kundërtën, të paktën nga viti 2005 deri në vitin 2020.
Të dhënat e dërguara nga OST për Faktoje.al
Raporti midis importit dhe eksportit tregon se ndryshe nga çfarë është premtuar, Shqipëria çdo vit ka importuar më shumë sesa ka eksportuar duke nxjerrë në pah, mungesën e furnizimit të plotë nga tregu i brendshëm. Viti 2016 mund të cilësohet si viti ‘më i mirë”, ku vendi ka importuar po aq sa dhe ka eksportuar.
Ndërkohë po nga ERE shohim të publikuar edhe raportin e konsumi të energjisw elektrike në vend nga vitin 2003 deri në vitin 2020 .
*Të dhnat e siguruara nga ERE
Siç vërehet në paraqitjen grafike, konsumi më i ulët i energjise elektrike i rregjistruar në vendin tonë është në vitin 2007 me 5,767,652 MWh dhe konsumi më i lartë i energjise elektrike është ai i rregjistruar në vitin 2013 me 7,855,698 MWh. Për vitin 2020 konsumi i energjise elektrike në vendin tonë është 7,588,637 MWh. Krahasuar me vitin 2019 vërehet një ulje e lehtë e konsumit të energjisë elektrike në vend me 23,442 MWh.
Përsa i përket blerjes dhe shitjes të energjisë elektrike, Faktoje pyeti OSHEE (Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike Sh.A) i cili merret drejtpërdrejtë me blerjen dhe shitjen e energjisë elektrike. Nga ky institucion kërkuam të mësojmë sa është sasinë e energjisë elektrike që Shqipëria ka blerë nga viti 2005 deri në vitin aktual 2022.
Kërkesa dërguar OSHE nga Faktoje.al
Ky institucion na dërgoi një grup linqesh të raporteve nga viti 2007.
“Të dhënat mbi blerjen e energjisë elektrike për periudhën 2007-2020 gjenden të pasqyruara në raportet vjetore të Entit Rregullator të Energjisë (ERE) në faqet zyrtare të internetit, si më poshtë:”
- https://ere.gov.al/doc/raporti_2007_.pdf;
- https://ere.gov.al/sq/publikime/raporte-vjetore/raporti-vjetor-2008.
- https://ere.gov.al/doc/rap_vjet_2009_derguar_ne_kuvend.pdf.
- https://ere.gov.al/doc/Raport_Vjetor_2010_28_03.pdf.
- https://ere.gov.al/doc/Raporti_vjetor_2011_miratuar.pdf.
- http://ere.gov.al/doc/raportivjetor2012.pdf.
- https://ere.gov.al/doc/Raporti_Vjetor_2013_perfundimtar.pdf.
- http://ere.gov.al/doc/raporti_vjetor_ere_2014.pdf.
- https://ere.gov.al/doc/Raporti_Vjetor_ERE_2015.pdf.
- http://www.ere.gov.al/doc/Raporti_Vjetor_2016.pdf.
- http://www.ere.gov.al/doc/2018-07-16-Raporti_Vjetor_2017-v2.pdf.
- https://ere.gov.al/doc/Raporti_vjetor_ERE_2018_perfundimtar.pdf.
- https://ere.gov.al/doc/Raporti_vjetor_2019_perfundimtar.pdf.
- https://ere.gov.al/doc/Raporti%20vjetor%202020.pdf.
Përgjigjja e OSHE
Nga informacioni i mësipërm ne filtruam çmimet e blerjes ndër vite të energjisë elektrike ku sikurse vihet re edhe nga tabela, mesatarisht është blerë 60 euro/Mwh. I vetmi vit ku çmimi nuk i kalon 40 euro është viti 2016.
Tregues i humbjes është fakti se çmimi i blerjes së energjisë elektrike kushton shumë herë më shumë për xhepat e qytetarëve kur kjo vjen nga importi.
*Të dhënat e çmimit të energjisë elektrike të blerë në tregjet të ndryshme
Sipas të dhënave nga ERE (Entiteti Rregullator i Sektorit të Energjisë) vlera e çmimit nga energjia e importuar është gjashtë herë më e lartë se ajo që blihet nga tregu i brendshëm, një tregues ky i rëndësisë së prodhimit të brendshëm dhe një premtimi të hershëm të papërmbushur.
Këto të dhëna jo vetëm tregojnë se Shqipëria nuk u kthye kurrë në një mini-fuqi energjitike, por ka mungesa të plotësimit të energjisë nga brenda duke qenë vit pas viti e varur nga tregu ndërkombëtar.