Qeveria shqiptare është ofruar të mirëpresë pas tre vitesh në Tiranë Samitin e NATO-s. Propozimi i është dërguar zyrtarisht Aleancës Atlantike në shkurt të këtij viti, teksa pak më vonë do të bëhej publik nga kryeministri Edi Rama, në një letër që ai, i kishte shkruar Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken.
“Unë besoj se është koha që për herë të parë në Ballkanin Perëndimor, të mbahet një takim i nivelit të Lartë të NATO-s”, shkruan zoti Rama në letrën e tij, ndërsa vë në dukje se e ka diskutuar këtë çështje dhe gjatë bisedimeve që ka patur me Sekretarin Blinken gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, më 15 shkurt.
Mundësinë e organizimit të samitit të Natos, së fundmi, kryeministri e përmendi edhe gjatë fjalës që mbajti në hapje të Konferencës së Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, pak javë më parë.
“Shqipëria ushqeu shumë respekt, krijoi shumë besim dhe pa diskutim mori një prestigj që nuk e kishte pasur më parë dhe pikërisht ky respekt, ky besim, ky prestigj na bën sot që të jemi vendi që do të mikpresë liderët e 44 shteteve evropiane nga Britania e Madhe deri në Ukrainë apo nga Suedia dhe Norvegjia deri në Turqi vitin e ardhshëm në Samirin e Komunitetit Politik Evropian dhe po ashtu ky respekt, ky besim(…) na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027, …na jep mundësinë të jemi mikpritës të Samitit të NATO-s në vitin 2027”, deklaroi zoti Rama.
Pak ditë më pas, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani, e bëri thuajse fakt të kryer mbajtjen e Samitit. Sipas tij, Samiti i NATO-s 2027 është vendosur të organizohet në Tiranë.
‘Ne jemi në fazën e përgatitjeve të brendshme. Pra, kemi filluar identifikimin e ambienteve, fondeve, njerëzve dhe gjithë burimeve të nevojshme që bëjnë këtë të mundur.’, deklaroi Hasani.
‘Padyshim një angazhim i tillë, përveç rëndësisë së madhe të simbolikës që ka tregon dhe njëherë që Shqipëria është një partner i rëndësishëm dhe një aleat i domosdoshëm në gjithë përpjekjen e organizatës e Altantikut të Veriut për atë që ndodh sot dhe sidomos me fokus në zhvillimet e fundit.’, vlerësoi ai.
Çfarë thotë NATO?
Pesë muaj pas dorëzimit të ofertës nga Shqipëria, një zyrtar i NATO-s, bëri të ditur për Faktoje se për momentin është miratuar vetëm vendndodhja e dy samiteve të ardhshme të Aleancës.
‘Samiti i NATO-s 2025 do të mbahet në Hagë, Hollandë, nga data 24 deri më 26 qershor, i ndjekur nga një samit që do të mbahet në Turqi.’, konfirmoi zyrtari i Aleancës, duke shtuar se nuk mund të thotë ende asgjë për vendndodhjen e Samitit të 2027.
Edhe në një dokument të siguruar nga Faktoje, ku përditësohen eventet kryesore të Aleancës, konfirmohet ftesa e qeverisë shqiptare për të mbajtur në Tiranë Samitin e 40 të NATO-s.
‘Në shkurt të 2024, Shqipëria u ofrua të mirëpresë Samitin e 2027-tës. Finlanda është ofruar të mirëpresë një Samit në periudhën 2026-2028.’, shkruhet ndër të tjera në dokument.
Për ekspertët e fushës, konfirmimi i Shqipërisë si vend pritës i Samitit të 2027 nga NATO është çështje kohe.
Ledion Krisafi, studiues pranë Institutit Shqiptar të Studimeve Ndërkombëtare, e sheh mikpritjen e këtij Samiti si një nga kulmet e politikës së jashtme të vendit në 3 dekadat e fundit.
“Sidomos në një periudhë të tillë me luftën në Ukraine dhe në Lindjen e Mesme, është një konfirmim i vëmendjes dhe pranisë së NATO-s në Ballkan. Fakti që është zgjedhur Shqipëria konfirmon idenë që Tirana është pika më e rëndësishme e NATO-s në Ballkanin Perëndimor të paktën, vendi më stabel dhe më konstruktiv.”, shprehet Krisafi.
Viti 2027 përkon me samitin e 40- të NATO-s dhe do të jetë hera e dytë në historinë e Aleancës që mbledhja do të mbahet në Ballkan, pas Samitit të Bukureshtit në 2008.
“Të gjitha takimet dhe Samitet që po zhvillohen dhe do zhvillohen në Tiranë e kthejnë kryeqendrën e Shqipërisë në një lloj qendre të diplomacisë perëndimore në Ballkanin Perëndimor.”, argumenton studiuesi.
Përfundim
Samitet e NATO-s shihen si një pikë takimi e rëndësishme për udhëheqësit e vendeve anëtare të Aleancës. Ato shfrytëzohen për të prezantuar politika të reja, për të ftuar anëtarë të rinj në aleancë, për të nisur iniciativa të reja të mëdha si dhe për të ndërtuar partneritete me vendet joanëtare të NATO-s.
Samiti i fundit i NATO-s u mbajt këtë vit në Uashington të SHBA-ve nga 9 deri më 11 korrik.