Sipas deputetes Greta Badeli, Shqipëria ka çmimin më të lartë të energjisë elektrike në rajon. Por nga verifikimi i Faktoje, bazuar tek të dhënat e Eurostat, Serbia mban vendin e parë për këtë çmim, ndërsa Shqipëria renditet e katërta, referuar çmimit për KWH pa taksa. Megjithatë, mijëra abonentëve në vendin tonë u është ndërprerë energjia elektrike për shkak të detyrimeve të papaguara dhe nuk kanë munguar rastet si ai janarit të këtij viti kur një e moshuar u gjet pajetë në një banesë gjysmë të rrënuar dhe pa ngrohje, ku OSHEE kishte ndërprerë energjinë për mosshlyerje të detyrimeve.
———————————————————-
“Shqipëria është vendi me çmimin më të lartë të energjisë. 90% e familjeve shqiptare, e shpenzojnë të gjithë buxhetin e tyre, për të përmbushur nevojat bazë për të paguar çmimin më të lartë në rajon të energjisë”- deklaroi deputetja demokrate, Greta Bardeli më 13 shkurt.
Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, ku ndër të tjera e pyetëm se sa abonentëve u është ndërprerë energjia elektrike për shkak të pamundësisë për ta paguar atë.
Kërkesa për informacion dërguar OSHEE, 18 mars 2022
Zyrtarisht OSHEE bën të ditur për Faktoje se në vitin 2020 u është ndërprerë energjia elektrike 112.369 abonentëve, ndërsa në vitin 2021 kemi 49.777 abonentë të cilëve i është ndërprerë furnizimi me energji.
“Numri i klientëve të shoqërisë ‘FSHU’ SH.A të cilëve i është ndërprerë energjia elektrike si pasojë e detyrimeve të papaguara për vitin 2020 është 112,369 ndërprerje. Për vitin 2021 është 49 777 ndërprerje.
Ndryshimi i numrit të ndërprerjeve ka ndodhur për efekt të implementimit nga shoqëria ‘FSHU’ SH.A. të skemave lehtësuese të pagesës së detyrimeve me këste si dhe nëpërmjet trajtimit të veçantë të klientëve në nevojë”- sqaron OSHEE.
Por, sa është borxhi që kanë familjarët dhe institucionet ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike?
“Debia totale e akumuluar që kanë konsumatorët familjarë të shoqërisë ‘FSHU’ SH.A. është 70,612,420,177 lekë. Debia totale e akumuluar që kanë konsumatorët buxhetorë është 5,280,171,262 lekë” – bën të ditur OSHEE.
Më 28 janar 2022, një ngjarje e rëndë u regjistrua në fshatin Ferras të Fierit, ku një 67-vjeçare humbi jetën në banesë pa ngrohje pasi i ishte ndërprerë energjia elektrike. Sipas raportimit të mediave, e moshuara jetonte prej shumë vitesh në kushte të mjerueshme dhe në varfëri ekstreme në një kasolle gjysmë të rrënuar.
Por, a ka Shqipëria çmimin më të lartë të energjisë në rajon? Faktoje iu referua të dhënave të Eurostat, ku rezulton se vendi ynë renditet i katërti në rajon.
Screenshot nga Eurostat, çmimi për KWH pa taksa (Konsumi nën 1000 KWH nga shumica e familjeve shqiptare)
Spas të dhënave të Eurostat, një kilovat orë energji në Shqipëri kushton 0,0778 euro pa përfshirë taksat, ndërsa vendi me çmimin më të lartë në rajon sipas këtyre të dhënave është Serbia.
Energjia për abonentët familjarë është më e lirë në Kosovë, me 0.0644 euro/KWH.
Screenshot nga Eurostat, çmimi për KWH përfshirë taksat (Konsumi nën 1000 KWH që është shumica e familjeve shqiptare)
Edhe nëse i referohemi çmimit për KWH, përfshirë taksat, Shqipëria ka një çmim prej 0,0933 euro/KWH. Sipas të dhënave të Eurostat, Mali i Zi ka çmimin më të lartë të energjisë në rajon me 0,1128 euro/KWH.
Në fund të muajit mars kryeministri Edi Rama deklaroi në Kuvend se po bëhet gati për një studim për të parë mundësinë që të bëhet një ndarje e përkohshme e familjeve që mund të paguajnë më shumë për faturën e energjisë elektrike.
“Ministria po bën një studim për familjet e pasura, jo për të rikthyer fashat e tmerrshme që na çuan në katastrofë totale dhe na lanë në në buzë të humnerës në vitin 2013, për të parë nëse mund të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë të paguajnë më shumë për energjinë elektrike”- tha Rama.