Sektori shëndetësor në Shqipëri është i keqfinancuar dhe janë qytetarët ata që i vuajnë pasojat. Një raport i OECD tregon se Shqipëria ka shpenzimet më të ulëta shëndetësore për frymë në Europë, me vetëm 734 Euro ose 5 herë më pak se vendet e Europës. Ekspertët e shëndetësisë theksojnë se duhet së paku dyfishim i buxhetit në këtë sektor.
Në një deklaratë për mediat më 21 janar të këtij viti, drejtuesi i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti deklaroi se Shqipëria ka shpenzimet shëndetësore për frymë më të ulëta në Europë. Mjeku i referohet një raporti të OECD, ku thekson se shpenzimet për frymë janë vetëm 734 Euro në vit.
“Mali i Zi shpenzon 217% më shumë se Shqipëria, ose 1593 Euro për frymë në vit. Serbia shpenzon 207% më shumë se Shqipëria, ose 1517 Euro për frymë në vit. Maqedonia e Veriut shpenzon 56% më shumë se Shqipëria, ose 1142 Euro për frymë në vit. Bosnjë-Hercegovina shpenzon 46% më shumë se Shqipëria, ose 1072 Euro për frymë në vit. Turqia shpenzon 36% më shumë se Shqipëria, ose 1000 Euro për frymë në vit”, deklaroi Alimehmeti.
Çfarë thotë raporti i Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD)?
Në raportin e publikuar nga OECD në vitin 2024, por që i referohet vitit 2022, situata për Shqipërinë është shqetësuese. Referuar raportit, shpenzimet për shëndetësinë në Shqipëri janë më pak se 800 Euro (më saktë 734) për frymë, duke u renditur në vend të fundit në Europë. Në vendet e rajonit që ka shpenzimet më të larta për Shëndetësinë renditet Mali i Zi me 1593 Euro për frymë, ndjekur nga Serbia me 1517 Euro për frymë në vit. Pas tyre, renditet Maqedonia e Veriut me 1142 Euro për frymë në vit, ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina me 1072 Euro për frymë në vit.
“Në disa vende jashtë BE-së, shpenzimet për shëndetësi ishin shumë më të vogla. Turqia shpenzonte vetëm rreth 1,000 EUR për frymë, ndërsa në Shqipëri kjo shifër ishte më pak se 800 EUR. Kjo do të thotë se shpenzimet për shëndetësi në vendet me të ardhura të larta në Evropën Perëndimore dhe Veriore mund të jenë mbi 5 herë më të larta se në disa vende me shpenzime të ulëta në Evropën Qendrore, Lindore apo Jugore”, nënvizon raporti.
Ndërkohë, Zvicra qëndron në krye të vendeve për nivelin e lartë të shpenzimeve shëndetësore për frymë, konkretisht 5,630 Euro. Pas saj renditet Norvegjia me 5,376 Euro.
“Ndër vendet e BE-së, shpenzimet për shëndetësi në Gjermani (5,317 Euro) ishin 50% mbi mesataren e peshës së popullsisë së BE-së prej 3,533 Euro.
Shpenzimet për shëndetësi në Austri dhe Holandë ishin gjithashtu të paktën 25% më të larta se mesatarja e BE-së. Shpenzimet për shëndetësi për frymë në BE ishin më të ulëtat në Hungari, Kroaci, Bullgari dhe Rumani, me më pak se 1,900 Euro për person”, thuhet në raport
Pjesë nga raporti i OECD
Për drejtuesen e organizatës “Together for Life”, Eglantina Bardhi, ky raport është një tregues i vërtetë i gjendjes së sistemit shëndetësor në Shqipëri.
“Ne kemi 15 vite që ngremë zërin për në buxhet jashtëzakonisht të ulët në sektorin e shëndetësisë. Ne kemi një buxhet më pak se 3% të GDP-së, çka do të thotë se krahasuar me vendet e rajonit jemi gati 3-fish më pak se Serbia, 2-fish më pak se vendet e tjera në rajon dhe krahasuar me vendet europianë është 5 herë më pak. Shpenzimet për frymë janë jashtëzakonisht të vogla. Ky keqfinancim i sektorit të shëndetësisë bie drejtpërdrejt në kurriz të pacientëve”, argumenton Bardhi për Faktoje.al
Më tej, ajo thekson se probleme të tjera që ndeshen në shëndetësi janë keqmenaxhimi dhe korrupsioni në këtë sistem. Sipas Bardhit, sektori i shëndetësisë kërkon më shumë financim, pasi ata që po i vuajnë pasojat janë qytetarët.
“Sektori i shëndetësisë kërkon një dyfishim të buxhetit ose edhe më shumë, që të paktën të jemi të krahasueshëm me vendet e rajonit. Kërkohet gjithashtu një mirëmenaxhim i këtij buxheti, padiskutim kërkohet edhe një luftë kundër korrupsionit në sektorin e shëndetësisë. Fatkeqësisht është faktuar si sektori më i korruptuar, pas atij të drejtësisë dhe kjo rëndon padiskutim situatën e pacientëve”, thotë drejtuesja e “Together for Life”, Eglantina Bardhi.
Shifrat
Për vitin 2025, buxheti për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është në vlerën e 103 miliardë e 375 milionë lekëve. Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu ka deklaruar se për herë të parë në historinë e Shqipërisë, buxheti i MSHMS tejkalon vlerën e 1 miliardë eurove.
Mirëpo, sipas ekspertëve të shëndetësisë, buxheti për shëndetësisë duhet të jetë dyfish, në mënyrë që të përmirësohet shërbimi ndaj qytetarëve.
Përfundim
Nga informacionet e grumbulluara dhe shqyrtimi i raportit, vendosëm që deklaratën e kreut të Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti ta kategorizojmë të vërtetë.