.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëShpërblimi i fundvitit për pensionistët 7-10 mijë lekë, premtimi që s’po bëhet dot realitet prej 2017-s

Shpërblimi i fundvitit për pensionistët 7-10 mijë lekë, premtimi që s’po bëhet dot realitet prej 2017-s

Elisa Gjerani 

Partia Socialiste, gjatë fushatës zgjedhore për mandatin e dytë qeverisës premtoi shpërblim të pensionistëve në masën 7-10 mijë lekë të reja çdo fundvit.  Prej dhjetorit 2017, pensionistët kanë marrë 2-5 mijë lekë të reja gjatë viteve që pasuan, çka i ka lënë të zhgënjyer. Fondet e shpenzuara në 4 vite për shpërblimin e rreth 650 mijë pensionistëve, janë 10.6 miliardë lekë, ose më pak se gysma e shumës së premtuar, prej 24  miliardë lekësh. Sipas ekspertëve, premtimet e qeverive, kur vjen fjala për kategoritë vulnerabël, ku bëjnë pjesë edhe pensionistët, kanë qenë gjithnjë fasadë.

Për të katërtin vit vit radhazi, pensionistët nuk arritën të marrin shpërblim në masën 7-10 mijë lekë, siç u zotua PS para se të merrte mandatin e dytë qeverisës.

Pjesë nga platorma e PS 2017-2021 për shpërblimin e fundvitit për pensionistët

Ne vendosëm të bëjmë një verifikim se në çfarë mase ka qenë shpërblimi për këtë kategori, duke nisur nga viti 2017 e deri më sot.

Në vitin 2017, qeveria shqiptare dha një shpërblim prej 2 mijë lekësh të reja.

Nga vendimi i qeverisë përfituan disa kategori mes të cilave edhe familjet në nevojë, duke e çuar numrin total të përfituesve në648 916 persona.

Në vitin 2018, qeveria vendosi që pensionistëve t’u jepej 5 mijë lekë si shpërblim, duke kapur një faturë financiare në buxhet prej 30 milionë dollarësh.

 Në vitin 2019, i cili u shënjua nga tërmeti tragjik me të paktën 50 viktima dhe dëme materiale që u llogritën në mbi 1 miliardë dollarë, qeveria mori vendimin për dhënien e 3 mijë lekëve të reja si shpërblim për 663 mijëqytetarë. Vendimi i Këshillit të Ministrave u mor një ditë para Krishtlindjeve dhe Ministrja e Financave asokohe Anila Denaj tha se fondin për pensionistët qeveria e mori nga kursimet.

Në vitin 2020, i cili përveç krizës që sollën pasojat e tërmetit të 2019-s, u shoqërua edhe me krizën e gjithanshme nga pandemia e Covid – 19, shpërblimi i fundvitit për 650 mijë individë ishte 5 mijë lekë të reja.

“Ne po përgatisim aktin normativ dhe pavarësisht gjitha këtyre pengesave të befasishme, me të cilat na ka ndeshur tërmeti dhe pandemia, do vendosim 34 milionë dollarë për pensionistët për Vitin e Ri”- tha kryeministri Rama.

Edhe në vitin 2021, shpërblimi për pensionistët ishte 5 mijë lekë të reja, sipas vendimit nr. 779 datë 15.12.2021, që u parapri nga diskutimet në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë nga Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, në datë 1 nëntor. Sipas saj, 35 milionë dollarë, do të ndaheshin për 668 mijë pensionistë. Ajo gjithashtu bëri të ditur se bonusi i fundvitit ishtë zë më vete dhe bashkë me indeksimin e çonte rritjen e pensioneve në 5% në vit. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Ibrahimaj tha në datë 15 dhjetor pas mbledhjes së qeverisë se bonusi i fundvitit për pensionistët në Shqipëri nuk do të ishte më në pikëpyetje, pasi do të  alokohej që në fillim të vitit në buxhetin e 2022.

Screenshot i VKM nr 779, datë 15.12.2021 për shpërblimin e pensionistëve për festat e fundvitit

Nëse qeveria do mbante premtimin e dhënë për shpërblimin në masën 7-10 mijë lekë, fondi do të ishte 24 miliardë lekë. Fondi total i shpenzuar në 4 vite për shpërblime është, 10.6 miliardë lekë, ose më pak se gjysma e shifrës së premtuar.

Sipas të dhënave të sipërcituara, nga viti 2017-2021 dhe ballafaqimit të shifrave të Ministrisë së Financave rezulton se asnjë pensionist nuk përfitoi nga paketa e solidaritetit për një shpërblim 7 -10 mijë lekë të reja në fundvit.

Qendra studimore Altax ka bërë një analizë të zgjeruar mbi rrugëtimin e premtimeve nga viti 2009-2021, që shërben si një matës besueshmërie i premtimeve zgjedhore dhe përmbushjes së tyre.

“Premtimet për mbrojtjen dhe përkujdesjen sociale nuk kanë zënë vend më të madh se në qeverinë e kaluar në programet e qeverisë, ku për premtimet llogariten se duhet të alokohen 8 miliardë lekë fond shtesë. Në fakt nga matja e alokimeve shtesë të realizuara ato i kanë kushtuar buxhetit 4-vjeçar vetëm 29% të kostos buxhetore së premtuar. Në këtë kategori premtimesh përfshihen edhe premtimet për pensionet, të cilat nuk arritën të përmbusheshin edhe pse ky premtim nuk është përmbushur asnjëherë nga asnjë qeveri që ne kemi analizuar për përmbushjen e premtimeve të pensioneve. Në një krahasim të dy premtimeve të vitit 2017 për pensionet: (a) Paketa e solidaritetit për pensionistët 24 miliardë lekë dhe (b) Rritje vjetore pensionesh dhe shpërblim fundviti nga 7-10 mijë lekë, nga verifikimi i të dhënave të buxheteve 2017-2021) nuk rezulton përmbushja në nivelet e premtuara”- shkruan raporti.

“Shpërblimi duhet të kishte qenë edhe pak më shumë. Po 100 mijë s’ma merr mendja se do marrim ndonjëherë, por të kishte qenë pak më i lartë që të festonim edhe ne dhe të mos na mbanin kot me shpresa e gënjeshtra, se ato rritjet janë qesharake dhe s’na hyjnë fare në punë, një kafe pihet me to!”- thotë i revoltuar Kola, pensionist prej 7 vitesh.

Pensioniste duke marrë shpërblimin e  fundvitit në zyrat e postës, dhjetor 2021

Ndërsa Betim Hajdini nga Sindikata e Pensionistëve tregon se kërkesat e grupimit që ai përfaqëson kanë qenë të vazhdueshme për reflektim të qeverisë mbi këtë grup, por pa rezultat.

Shpërblimi nuk na ul e as na ngre, ne i kemi kërkuar qeverisë pensionin e 13-të, i cili është i praktikë e gjithënjohur në Europë, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Ne kemi kërkuar edhe një sërë parashtresash të tjera, por ende presim një takim që të mund të shprehim idetë tona.”- tha Hajdini për Faktojen, duke theksuar se pensionistët sot janë një nga target grupet e lëna në harresë.

Betim Hajdini nga Sindikata e Pensionistëve

Ndërkohë Pano Soko, ekspert ekonomie, thotë për Faktoje se premtimi për pensionet ka qenë thjesht fasadë.

“Një fjalë thotë: Burrit në krevat dhe politikanit në fushatë, mos i beso asnjëherë.Tashmë mashtrimi në fushatë është kthyer në traditë. Edhe në lidhje me rritjet e premtuara të pensioneve, u ndoq tradita. Kjo për shkak se nuk ka mekanizma llogaridhënieje për premtimet elektorale. Aq më tepër që flasim për një mandat, ku edhe opozita mungoi në parlament.”- thotë Soko.

Ndërsa për ekspertin e punës, Erion Muça, paketa e solidaritetit për pensionistët ishte një mekanizëm i cili do të duhej të mbulonte kryesisht bonuset e fundvitit për pensionistët, përqendruar në 2 aspekte.

“E para me rritjen e performancës së arkëtimit të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe së dyti në rritjen e performancës dhe aftësisë likuiduese të parashikuar në buxhetin me rritje në zëra të tjerë, uljen e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave të prioriteteve të vendosura”-thotë ai, duke vënë theksin te pasojat e tërmetit dhe të pandemisëtë cilat i kanë kaluar në plan të fundit pensionistit, e kur paradoksalisht për to do të kujtohen në zgjedhje lokale.

Në fushën e kujdesit social në programin qeverisës të 2017-2021, në platformën qeverisëse për mandatin e dytë thuhej:

“Në këtë mandat, në fushën e pensioneve do të synojmë të rrisim të ardhurat nga kontributet me rreth 30 % dhe numrin e kontribuesve në rreth 1 milion në vitin 2021, duke përmirësuar ndjeshëm raportin përfitues-kontribues, si dhe duke ulur edhe më tej deficitin e skemës së pensioneve”.

Do të vemë në dispozicion të pensionistëve 240 milionë dollarë, për të rritur çdo vit pensionet.”- u shpreh në një intervistë për VOA në 22 qershor 2017 Kryeministri Rama, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare.

“Momentalisht niveli i kontributeve të sigurimeve shoqërore është shumë minimal dhe kemi ende shifra të larta të informalitetit, që nuk mundëson dot asnjë mundësi rritje pa prekur zëra të tjera të buxhetit. Këto zëra fatkeqësisht janë zbrazur nga rindërtimi dhe investimi në infrastrukturë duke e bërë qeverinë të qëndrojë në heshtje për premtimin e dhënë duke u përpjekur të gjejë zgjidhje strategjike për të akumuluar çdo vit nga pak rezerva me qëllim përdorimin e tyre për një rritje më të lartë e bindëse pak para zgjedhjeve lokale për qëllime të dukshme elektorale”-sqaron Pano Soko për Faktoje.

Pensionistët janë ndjerë të pavlerësuar, ndër vite, pasi edhe pensionet kanë pasur rritje qesharake, ndërsa kostoja e jetesës është rritur me hapa të shpejtë, dhe në mënyrë jo propocionale me pensionet.

“Vëmendja ndaj pensionisteve ka qenë shumë minimale gjatë gjithë këtyre viteve. Edhe shpërblimi i 2020-s ka lidhje më tepër me zgjedhjet e 2021, sesa me ndonjë program ndihme në periudhë afatgjatë”-arsyeton eksperti i ekonomisë Soko.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, Faktoje e kategorizon zotimin e qeverisë në vitin 2017 për shpërblimet e pensionistëveme 7-10 mijë lekë, si Premtim të Pambajtur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img