Partitë politike dështuan të zbatojnë ligjin që vetë e miratuan për rritjen e transparencës në financimin e fushatave elektorale, siç u dëshmua edhe në zgjedhjet e vitit 2021. Shpenzimet elektorale në fakt janë “vrimat e zeza” ku shuhen miliona lekë të padeklaruara, çdo dy vjet. Dy partitë e mëdha PS dhe PD gjatë diskutimeve për reformën e fundit zgjedhore, u dakordësuan për një kontroll më të madh të financave. Por raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbi auditimin e fondeve të përfituara dhe shpenzuara nga partitë politike gjatë zgjedhjeve të 25 prillit 2021, tregoi se transparenca e fondeve të partive është një premtim i pambajtur nga partitë kryesore në vend.
Jona Plumbi
Kuvendi i Shqipërisë nisi punën në Komisionin e reformës zgjedhore në datë 09 Qershor 2022 – hera e 9-të që nga rënia e sistemit monoprtiak. Financimi i partive politike, sidomos gjatë fushatave elektorale, është një nga pikat kryesore ku ndërhyrjet shihen si të domosdoshme nga raportet e vezhguesve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Edhe ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor të vitit 2020, prekën financimin e fushatave elektorale. Parlamenti vendosi kufizimin e shumës që mund të dhurojë një individ ndaj një partie politike në vlerën 1 milion lekë, si dhe detyrimin që partitë politike të hapin një llogari bankare të posaçme për dhurime që kalojnë vlerën 50 mijë lekë. Të gjithë e votuan, por pak e zbatuan.
Raporti i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për fushatën elektorale të 25 Prillit 2021 tregon se asnjë nga partitë e mëdha nuk i zbatoi rregullat e Kodit Zgjedhor për transparencën e financimit të fushatave.
Partitë kryesore parlamentare, PS – PD – LSI nuk krijuan llogari të posaçme bankare për dhurime në vlerë mbi 50 mijë lekë, siç e kërkon ligji, duke e bërë të pamundur gjetjen e burimeve të fondeve publike që ato kanë shpenzuar gjatë fushatës. Gjithashtu, dy partitë e mëdha, PS dhe PD, nuk i dorëzuan raportet financiare brenda afatit ligjor, pavarësisht se janë përfitueset më të mëdha të parave publike për fushatë zgjedhore.
Një tjetër shkelje e Kodit është vetë shuma e parave që Partia Socialiste ka shpenzuar në fushatë. Raporti i KQZ tregon se PS ka shpenzuar më shumë para nga sa i lejohej me ligj. Kodi Zgjedhor bën një balancë të parave publike dhe atyre private, që një parti politike mund të shpenzojë, duke përcaktuar që fondet private të mos kalojnë trefishin e vlerës më të lartë që një parti ka përfituar nga buxheti i shtetit për fushatën.
Pavarësisht kësaj, vetë partia që ka përfituar më shumë nga buxheti i shtetit e shkeli këtë rregull. Partia Socialiste – si partia me më shumë mandate në parlament – ka përfituar shifrën më të lartë nga buxheti i shtetit për fushatë në zgjedhjet e vitit 2021. Si shpenzime totale në fushatë, PS ka deklaruar mbi 172 milionë lekë, pra 4 milionë lekë më shumë se norma e lejuar me ligj.
Një gjetje e raportit për mungesën e transparencës në raportimin financiar të partive politike gjatë fushatës elektorale janë vetë pasqyrat financiare të partive. Dy prej tyre, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe Bindja Demokratike kanë deklaruar shpenzime më të larta sesa të ardhurat. Kjo do ishte e pamundur nëse Kodi Zgjedhor do ishte zbatuar, pasi partitë politike dhe kandidatët nuk mund të “përdorin asnjë llogari tjetër bankare, përveç atyre të deklaruara, për pranimin e dhurimeve për fushata zgjedhore, qoftë edhe për shuma më të vogla se 50 mijë lekë.
Kjo nuk e ndaloi Partinë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet të deklaronte se ka shpenzuar tri herë më shumë sesa ka mbledhur për fushatë. Më shumë se 10 milionë lekë ka shpenzuar PDIU, para që nuk janë deklaruar si pjesë e “të ardhurave totale” të subjektit.
Një problem tjetër madhor në transparencën e financave partiake gjatë fushatës janë reklamat elektorale në televizione.
Ajo që PS dhe PD deklarojnë si shpenzime për reklama në televizione, nuk arrin as gjysmën e shifrës së përllogaritur nga KQZ, bazuar mbi minutat e papaguara në media dhe çmimet e deklaruara nga televizionet për këto hapsira reklamash.
Partia Socialiste ka deklaruar rreth 43 milionë lekë shpenzime për reklama televizive të paguara. Partia Demokratike deklaron se ka shpenzuar pak më shumë se 17 milionë lekë për këtë shërbim. Ndërkohë, matjet e Autoritetit të Mediave Audiovizive tregojnë për “minuta të papaguara” të reklamave elektorale në ekranet e televizioneve gjatë fushatës. Vlera e këtyre minutave “të papaguara” arrin në mbi 250 milionë lekë për Partinë Socialiste dhe 200 milionë lekë për Partinë Demokratike.
Në total, minutat e papaguara të reklamave që janë shfaqur në televizione gjatë fushatës për 6 parti (Partia Socialiste; Partia Demokratike; Lëvizja Socialiste për Integrim; Bindja Demokratike; Lëvizja për Ndryshim; Nisma Thurje), në treg kapin vlerën e mbi 4 milionë eurove.
Miliona lekë apo euro shpenzohen nga partitë politike sot në fushata elektorale, burimi i të cilave nuk deklarohet nga partitë dhe nuk zbulohet nga Prokuroria. Shumë ndryshime ligjore janë votuar për të shtuar transparencën për financimin e partive politike, por pak është bërë për të zbatuar këto parashikime ligjore. Parlamenti po përgatit një tjetër reformë zgjedhore, e cila ka po aq shanse sa reforma e mëparshme për të rritur transparencën financiare të fushatave elektorale, për sa kohë partitë politike refuzojnë të zbatojnë kërkesat e ligjit ekzistues.