Një tryezë me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, ekspertë të medias dhe shoqëria civile, ofroi disa rekomandime konkrete sesi mund të përparohet në përmirësimin e lirisë së shprehjes, e cila vlerësohet ‘në vendnumëro’ për të tretin vit radhazi nga progresraporti i KE.
Jona Plumbi
Gjetjet e Raportit të Komisionit Europian mbi situatën e medias ishin në qendër të diskutimit të zhvilluar më 25 tetor nga Faktoje në bashkëpunim me ambasadën e Mbretësisë së Vendeve të Ulta në Shqipëri. Në takim morën pjesë përfaqësues të Komisionit Parlamentar të Medias, atij të Ligjeve si dhe Integrimit Europian, drejtuesja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, ekspertë dhe përfaqësues të medias nga Shqipëria dhe Holanda, shoqërisë civile dhe institucioneve publike përgjegjëse. Diskutimi i aktorëve të ftuar ofroi rekomandime konkrete për të arritur progresin e duhur në lirinë e shprehjes dhe median, pasi Komisioni Europian e vlerëson Shqipërinë në vendnumëro për të tretin vit radhazi.
Burim kryesor i problemeve me lirinë e shprehjes dhe median në vend, që bëri në një mendje të gjithë aktorët e përfaqësuar në takim, ishin kufizimi i informacionit të institucioneve publike, mungesa e transparencës në financim të mediave dhe mungesa e profesionalizmit në raportimet gazetareske, sidomos në hapësirën e mediave online.
Pyetjes së kryetares së komisionit parlamentar të Ligjeve, znj. Klotilda Bushka, për sugjerime se si parlamenti mund të ndihmojë në këtë drejtim, pjesëmarrësit i dhanë përgjigje specifike, duke propozuar ndryshime ligjore konkrete që mund të përmirësojnë sitiuatën e lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri.
TRANSPARENCA
Sugjerimi që mori më shumë zë nga grupet e interesit të pranishëm, ishte bërja transparencë e burimeve të financimit dhe pronësisë së mediave, atyre tradicionale dhe online.
Fakti që burimi i financimit dhe pronësia përcaktojnë linjën editoriale të mediave në vend, gjeti dakordësi mes gjithë të pranishmëve. Zv.kryetari i komisionit të medias, z. Petro Koçi solli rastin e mediave online që bëjnë shkrime interpretative ndaj denoncimeve të politikanëve, duke funksionuar si zëdhënës të financuesve anonimë. Kjo vërehet lehtësisht edhe në vetë përmbajtjen e publikimeve, sipas kryetares së Komisionit të Integrimit Europian, znj. Jorida Tabaku. “Lajmet që publikohen në portale, dukshëm reflektojnë interesat e financuesve dhe kjo nuk mund të vijojë të ndodhë në vitin 2022.” – tha ajo. Transparenca e burimeve të financimit do e bënte më të lehtë identifikimin e “zëdhënësve të interesave private” dhe moslejimin e përfshirjes së politikës në pronësinë e mediave.
Një pjesë e mirë e financimit të mediave vjen nga shpërndarja e reklamave publike, që nuk rregullohen nga ligji për prokurimin publik, por mbeten tagër i institucionit publik që i krijon. Kjo praktikë bëhet edhe më shqetësuese gjatë fushatave zgjedhore.
Detyrimi për të bërë transparencë të burimeve të financimit dhe pronësisë së mediave, duhet të jetë një prioritet i parlamentit sipas të pranishmëve. Kjo adreson rekomandimin e Komisionit Europian të vitit 2021, për adoptimin e “standardeve europiane në rregullimin e transparencës së pronësisë dhe financimit të medias, kufizimet e pronësisë së saj, si dhe shpërndarjen e reklamave publike” në mënyrë që të kapërcehet pengesa që i vendoset gazetarisë për shkak të kryqëzimit të interesave të biznesit dhe politikës.
Një sugjerim konkret i gazetarëve, në ndihmë të transparencës së mediave, ishte amendimi i ligjit për deklarimin e pronarëve përfitues të bizneseve. Ky ligj sot detyron bizneset të deklarojnë pronarët përfitues që zotërojnë të paktën 25% të aksioneve. Kjo transparencë, sipas njërit prej rekomandimeve të paraqitura, në rastin e mediave duhet të jetë në nivelin 100% të deklarimit të pronarëve përfitues.
INSTITUCION PËR ZBATIMIN E REKOMANDIMEVE TË KE
Një tjetër propozim konkret i pjesëmarrësve ishte krijimi i një institucioni të dedikuar për mbrojtjen e interesave të publikut ndaj mediave apo edhe për zbatimin e rekomandimeve të KE.
Ekspertët holandezë sollën praktikën e vendit të tyre, ku ekziston një ombudsman për mediat (avokat publik për mediat), i cili ruan interesat e publikut duke ndjekur dhe shqyrtuar praktikën dhe produktin gazetaresk, apo që shqyrton dhe heton ankesat e bëra nga publiku.
Krijimi i një forumi që ka për detyrë zgjidhjen e problemeve të ngritura nga raportet e përvitshme të Komisionit Europian përsa i përket medias, ishte një tjetër propozim konkret.
ZBATIMI I LIGJEVE EKZISTUESE
E fundit, por jo për nga rëndësia, është zbatimi i ligjeve ekzistuese si Kodi i Punës dhe e drejta për informim.
Sigurimi i kushteve minimale të punës, përmes kontratave që bazohen tek Kodi i Punës dhe zbatohen nga punëdhënësit, u identifikua si një problem i hershëm nga folësit në takim. Mugesa e sigurisë në vendin e punës është një faktor i rëndësishëm në vetëcensurimin që është “instaluar” në gazetarinë shqiptare.
Problem tjetër i përhapur gjerësisht është pamundësia e gazetarëve për të aksesuar informacione të institucioneve publike. Pavarësisht ekzistencës së ligjit dhe ndërhyrjes së zyrës së komisionerit për të drejtën e informimit, gjithsesi gazetarët apo organizatat e kanë të pamundur të marrin informacionin e kërkuar në kohë të arsyeshme.
Në përfundim të takimit u diskutua edhe paketa ligjore antishpifje, e propozuar nga qeveria dy vjet më parë, që synonte rregullimin e mediave online – e kritikuar nga Komisioni i Venecias dhe Bashkimi Europian. Edhe pse qeveria është shprehur se do ta tërheqë propozimin nga Kuvendi, kjo nuk ka ndodhur ende zyrtarisht, gjë e cila i lë shteg një rikthimi të mundshëm të saj në një moment të dytë.
Këmbënguljes së gazetarëve dhe anëtarëve të shoqërisë civile për t’u njohur me arsyet se pse draftiligji vazhdon ende të jetë në kalendarin e Kuvendit të Shqipërisë, zv.kryetari i komisionit të mediave Petro Koçi iu përgjigj me garantimin se mazhoranca është tërhequr përfundimisht nga kjo nismë dhe është vetëm çështje kohe zyrtarizimi i procedurës.
Deputetët dhe pjesëmarrësit shprehën vlerësimin për organizimin e një takimi të tillë dhe kërkuan që diskutimi mbi problemet e evidentuara dhe rekomandimet përkatëse të vijojnë edhe më tej në formate më të gjera. Takimi është pjesë e projektit “Përmirësimin e procesit të verifikimit të fakteve në gazetari”, zbatuar nga Faktoje me mbështetjen e ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë.