Esmeralda Topi

Më 7 mars të vitit të kaluar, në ditën e mësuesve, kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, premtoi rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda”.

“Shkolla 9-vjeçare ‘Ndre Mjeda’ do të rikonstruktohet tërësisht. Ajo është përzgjedhur si një nga projektet fituese të dorëzuara nga Bashkia Shkodër në Ministrinë e Arsimit. Puna do të nisë shumë shpejt”, premtoi Beci në atë kohë.

Premtimi mori formë konkrete në fillim të këtij viti, kur nisi puna për rikonstruksionin e shkollës. Sipas njoftimit të Bashkisë Shkodër, ky ishte një investim i përfituar nga aplikimet e saj pranë Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë Shqiptare. Fondi i vënë në dispozicion ishte mbi 129 milionë lekë me TVSH, ndërsa afati i përfundimit të punimeve, sipas tabelës, parashikohej 12 muaj.

Inspektim në fushatë

Projekti për rikonstruksionin e shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda” nuk i shpëtoi përdorimit elektoral. Gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kantieri i punimeve u shfrytëzua si skenë politike. Në prani të kryeministrit Edi Rama, kryebashkiaku Benet Beci deklaroi: “Këtu, zoti kryeministër, kanë qenë 800 nxënës me dy turne, pa palestër, pa ngrohje, shkolla ka qenë e amortizuar. Ndërhyrja këtu është pothuajse e bërë nga e para”

Në muajt pasues, kryebashkiaku përsëriti disa herë në rrjetet sociale se rikonstruksioni i shkollës do të përfundonte përpara nisjes së vitit të ri shkollor. Në maj, korrik dhe gusht, ai premtoi se shtatori do t’i gjente nxënësit e “Ndre Mjedës” në ambiente të reja.

“Firma kontraktuese po punon me kapacitet të plotë, me synimin që në shtator nxënësit ta nisin vitin e ri shkollor në një mjedis tërësisht të rikonstruktuar”, premtoi Beci pak javë para nisjes së vitit të ri shkollor.

Edhe në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Bashkia e Shkodrës bënte të ditur se projekti nuk kishte hasur vonesa dhe kishte mbetur vetëm 5% e punimeve për tu mbyllur.

“Deri në këtë fazë punimet janë të përfunduara në nivelin 95%. Ju njoftojmë se nuk ka vonesa”, njoftonte Bashkia më 25 gusht.

Verifikim

Në javën e nisjes së vitit shkollor, Faktoje udhëtoi në Shkodër për të verifikuar premtimin e kryebashkiakut. Vëzhgimi në terren tregoi se nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Ndre Mjeda” e nisën vitin shkollor në një godinë të rikonstruktuar tërësisht.

Sipas Bashkisë së Shkodrës, ky institucion arsimor tashmë ofron klasa moderne, laboratorë smart dhe të shkencave, bibliotekë, terrene sportive, palestër dhe hapësira rekreative për rreth 800 nxënës dhe mësues.

Shkolla 9 vjeçare “Ndre Mjeda”, Shkodër

Përfundim

Nga verfikimet e kryera në terren si dhe informacionet e marra në rrugë zyrtare, premtimin e kryebashkiakut Benet Beci se shkolla “Ndre Mjeda” do të ishte gati për nisjen e vitit të ri shkollor e kategorizojmë të mbajtur.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.