Punimet për tunelin e Llogarasë nisën në fund të vitit 2021 dhe i gjithë projekti duhet të përfundonte këtë verë. Por afatet u shkelën. Këtë vit do të hapet përkohësisht vetëm tuneli. Projekti 202 milionë euro i financuar nga buxheti i shtetit pritet të përfundojë në 2025-ën. Ekspertët e shohin me shqetësim shkeljen e afateve por edhe rritjen e kostos së këtij projekti. Këto dy elementë të kombinuar së bashku sipas Zef Preçit, ngrenë dyshime për përfitime korrupsioni.
Esmeralda Topi
Nëntorin e vitit 2021, shtëllunga tymi të kuq të dala pas një shpërthimi simbolik në Llogara shënjuan nisjen e punimeve për ndërtimin e tunelit 5.9 km nga ura e Shën Elizës deri në Palasë. Kontrata parashikonte se punimet do të zgjasin tre vite. Por ministrja e infrastrukturës Belinda Balluku premtoi se gjithçka do të ishte gati më herët se afatet e vulosura mes palëve.
“33 muaj do të jenë të mjaftueshëm për përfundimin e këtij projekti.” – premtoi asokohe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku.
Angazhimi publik nënkuptonte se i gjithë projekti do të përfundonte këtë verë.
“Synimi ynë është që sezonin e 2024, e gjithë vepra, pra 7.4 km (pasi 6 km është tuneli dhe 1.4 km janë rrugët lidhëse) të jenë gati dhe operative për të gjithë qytetarët.”, theksonte Balluku një vit pas nisjes së punimeve nga kantieri i Llogarasë.
Verifikim
Verifikimet e Faktoje tregojnë se ndryshe nga sa u premtua, punimet për të dorëzuar projektin infrastukturor do të shtyhen të paktën me një vit. Vepra 202 milionë euro e financuar nga buxheti i shtetit pritet të përfundojë në 2025-ën.
Këtë vit do të hapet përkohësisht vetëm tuneli.
“Tuneli këtë vit është një nga elementët që ne presim të zhvillojë më tej turizmin në jug. Është shumë pozitiv për faktin se shkurton distancën për udhëtarët që zgjedhin jugun e Shqipërisë. Palasë, Dhërmi, Vlorë apo edhe zonën e Radhimës. E afron më shumë Himarën me Vlorën.”, thotë Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistik në Vlorë.
Tuneli i Llogarasë do të jetë i kalueshëm për të gjithë qytetarët pa pagesë nga korriku deri në fillim të tetorit.
“Aplikimi i tarifës do të aplikohet pas 2025, kur të dorëzohet i plotë ky tunel, bashkë me tunelin e emergjencës.”, sqaroi Balluku nga kantieri i punimeve muajin e kaluar.
Më tej me shpoti ministrja “paralajmëroi” inxhinierët se nuk toleron të tjera shkelje afatesh. “Do t’i kapni sesbën afatet se tani nuk ka më të papritura.”, u tha ajo.
Me përfundimin e tunelit, koha për të kaluar nga një anë e Llogarasë në tjetrën do të jetë 7- 10 minuta.
Çfarë thonë ekspertët?
Zef Preçi që drejton Qendrën Shqiptare për Kërkime Ekonomike e sheh me shqëtësim shkeljen e afateve në projektet infrastrukturore.
“E vërteta është se jo vetëm Tuneli i Llogarasë, por asnjë vepër publike e qeverisë shqiptare gjatë dekadës së fundit nuk ka përfunduar apo përfundon në kohë. Madje edhe ato vepra të filluara dhjetë apo njëzet vjet më parë si rruga Qafë Thanë – Qafë Plloçë, Rruga e Arbrit, etj.” , argumenton ai.
Sipas tij, zgjatja e afatit të ndërtimit të veprave shoqëruar me rritje kostosh ngre dyshime për përfitime korruptive.
“Nuk ka asnjë rast të bërë publik në të cilin autoritetet përgjegjëse shtetërore të kenë zbatuar parashikimet kontraktuale për vjeljen e detyrimeve kur vepra nuk ka përfunduar në kohë apo në cilesine e duhur, etj., dhe ka dyshime jo pa baze se zgjatja e afatit të ndërtimit të veprave publike e shoqëruar me rritjen e fondit buxhetor në dispozicion është burim përfitimesh korruptive për zyrtarët e lartë publikë, përgjegjës për vendim-marrje të tilla, të cilat nga ana e tyre në shumicën e rasteve janë të “kopsitura” me vendime justifikuese këshillash teknike, etj.”, thekson Preçi.
Profesor Preçi e sheh të lidhur me një sërë faktorësh mos përfundimin në kohë të veprave publike.
“Duhet parë i lidhur ngushtë me mungesën e studimeve serioze të fizibilitetit, me “manovrat” e firmave ndërtuese për të shmangur konkurrentët e huaj (kryesisht kur ka të tillë). Duke ulur kostot e planifikuara të ndërtimit në garën fillestare por që rriten në mënyrë të konsiderueshme më vonë falë marrëveshjeve okulte të enteve prokuruese me ta. Duke përdorur rishikimin në rritje të kontratave të punimeve të ndërtimit përpara përfundimit të veprës, “zbulimit” të punimeve të paparashikuara, devijimeve që zgjatin rrugën me qëllim shtimin e fondit buxhetor, për qëllime elektorale, etj.”, përfundon ai.
1,7 miliardë më shumë
Rreth 1,7 miliardë lekë më shumë se parashikimi fillestar do të shpenzojë buxheti i shtetit për këtë projekt.
Kjo sepse fondi total i parashikuar për projektin e Tunelit të Llogarasë, në listën e investimeve publike me financim të brendshëm për periudhën 2021-2023, rezulton 18,7 miliardë lekë. Por gati 70% e financimit ishte planifikuar për tu dhënë pas vitit 2023. (Dokumenti i shkarkuar)
Më pas parashikimet fillestare ndryshuan dhe kostot e projektit u rritën. Lista e investimeve publike me financim të brendshëm për periudhën 2024-2026 tregoi se fondi total i projektit parashikohet në vlerën 20.4 miliardë lekë, ose rreth 1,7 miliardë lekë më shumë.
Deri në vitin 2022 rezulton se buxheti ka finacuar 6,1 miliardë lekë për tunelin e Llogarasë. Në 2023 janë planifikuar 7 miliardë lekë të tjera dhe këtë vit parashikohet 5,1 miliardë lekë. Ndërsa në 2025, buxheti parashikon 2 miliardë lekë për përfundimin e projektit.
Përfundim
Bazuar në verifikimet e kryera, të dhënat zyrtare dhe vlerësimet e ekspertëve, premtimin e ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku se qershorin e këtij viti e gjithë vepra e Llogarasë do të ishte dorëzuar, e kategorizojmë të pambajtur.