Autorë: Elena Seferi, Marjol Skuka, Argjend Ceku
Fshati Kovashicë në Maqellare po përballet me vështirësi të mëdha për shkak të mungesës së investimeve. Një nga problemet është edhe shkatërrimi i urës që lidhte fshatin me zonat përreth. Ura, e cila dikur kishte rëndësi të madhe për transportin dhe turizmin është e pakalueshme dhe ka krijuar shumë vështirësi për banorët. Ata kërkojnë rindërtimin e saj dhe përmirësimin e infrastrukturës për të rikthyer sigurinë dhe aksesin në zonë.
Mungesa e investimeve në fshatin Kovashicë, të njësisë administrative Maqellarë e bën të vështirë jetesën për banorët. Një nga problemet që ngrenë banorët e zonës është edhe shkatërrimi i urës së Kovashicës, e cila dikur ka pasur një rëndësi të madhe për jetën e përditshme të fshatit.
Sipas banorëve, ura e ndërtuar rreth 50 vjet më parë lidhte fshatin Kovashicë me fshatra të tjerë si Topojan, Shpukth dhe Mazhicë. Ndërkohë sot, ajo është tërësisht e shkatërruar dhe askush nuk interesohet për ndërtimin e saj.
“Kjo urë është ndërtuar rreth 50 vite më parë. Ura lidhte fshatin Kovashicë me fshatrat e tjerë te cilët ishin Topojan, Shpukth, Mazhicë etj. Arsyeja pse është ndërtuar është kullotja e bagëtive, furnizimi me dru. Ka ndikuar shumë në jetën tonë shkatërrimi i saj, për shkak se kalimi nga ana tjetër duhet të bëhet përmes Drinit. Ka gati rreth 3 ose 4 vjet që është e pakalueshme dhe shumë e rrezikshme”, tregon Lavdrimi, banor i zonës.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/02/Ura.jpg)
Sipas banorëve, shkatërrimi i urës ka pasur ndikim edhe në frekuentimin e turistëve, duke ulur numrin e vizitorëve.
“Dikur kjo urë ishte jo vetëm një nyje lidhëse shumë e rëndësishme e të gjithëve ne banorëve për të dalë në rrugën nacionale apo tek tokat që kanë përgjatë Drinit, por ishte kthyer dhe si një atraksion turistik”, shton më tej Lavdrimi.
Kalimi në anën tjetër të fshatit bëhet përmes Drinit, por vetëm kur niveli i ujit është i ulët dhe nuk ka rrezik.
“Transporti është bërë dhe bëhet përmes Drinit, por gjithnjë nëse uji është i pakët dhe e kemi më të lehtë për të kaluar. Kur ka shumë ujë është e pamundur të kalosh në anën tjetër”, thonë banorë të zonës.
Të gjendur në këtë situatë, ata kërkojnë rindërtimin e urës dhe përmirësimin e infrastrukturës. Mungesa e investimeve mbetet një nga sfidat më të mëdha për fshatin Kovashicë, që ka nevojë për mbështetje të menjëhershme për të rikthyer sigurinë dhe aksesin për banorët dhe vizitorët.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të gjimnazit “Fiqiri Dine” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.