Pretendimi: Kjo video tregon shkatërrimin e Izraelit nga raketat iraniane
Verdikti: Gjeneruar me AI
—————————————————————
Një video që po shpërndahet në rrjete sociale, përfshi edhe ato shqipfolëse, pretendohet se tregon pamje me dron të shkatërrimit masiv në Izrael pas sulmeve me raketa nga Irani.
Megjithatë, me gjasa video e mësipërme ëshë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Një kërkim me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens rezultoi se video është postuar disa herë në rrjet në versionin e saj të tanishëm, por pa ndonjë burim që tregon origjinën e pamjeve, si autori apo media që i ka xhiruar.
Llogaria e TikTok @malka.415, emri i së cilës shfaqet në cepin e poshtëm, djathtas, rezulton të jetë fshirë.
Më tej, video përmban elementë që na bëjnë të mendojmë se ajo është gjeneruar me AI.
Ndonëse pamjet nga lart të qytetit të shkatërruar duken realiste, ato kanë ende pamje pikture. Ndriçimi dhe ngjyrat janë perfekte, në një mënyrë të panatyrshme.
Në skenën e fundit të videos, ku duket një grua duke qarë në mes të gërmadhave, gjendet treguesi i sigurt se video është gjeneruar me AI. Siç Faktoje ka nënvizuar edhe më parë, programet AI hasin më shumë vështirësi në gjenerimin e skenave realiste me njerëz sesa pamjeve të objekteve.
Kështu, siç tregohet më poshtë, në video duket një deformim i krahut të gruas në lëvizje, një tregues i origjinës së saj artificiale.