.

.

BallinaPertejShiu pranveror dëmtoi kalldrëmet "e qëndisura” në Gjirokastër

Shiu pranveror dëmtoi kalldrëmet “e qëndisura” në Gjirokastër

ANXHELA RUÇI

Kalldrëmet në Gjirokastër duket se “nuk po gjejnë rehat”, që pas shqepjes (term ky i përdorur nga deputetja Mirela Kumbaro) së tyre për t’u restauruar, por mjaftuan reshjet e shiut pranveror të ditëve të fundit dhe një pjesë e kalldrëmeve u dëmtuan mjaftueshëm duke humbur rendin e tyre estetik të vendosur vetëm pak ditë më parë nga ustallarët e projektit.

Rreth 140 milionë lekë është fondi i dhënë nga Banka Botërore për restaurimin e kalldrëmeve karakteristike në Gjirokastër në kuadër të programit “Për Zhvillimin e Integruar Urban dhe Turizmin” i zbatuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Ndërkohë që puna për restaurimin e kalldrëmeve të gurta ka nisur prej kohësh, qysh prej fillimit opinioni publik në Gjirokastër filloi të “ziejë” dhe të ndihej disi skeptik nëse pamja e rrugëve të kalldrëmta do të ishte e njëjtë edhe pas projektit të restaurimit. Zyrtarë të lartë garantuan se ky projekt do t’i sillte një pamje edhe më të bukur qytetit të gurtë dhe se ishte e domosdoshme ndërhyrja në të. Një ndër to ishte edhe ish-ministrja e Kulturës dhe njëherazi deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro e cila garantoi se pas kësaj ndërhyrjeje Gjirokastra do të bëhej “nuse”, por mesa duket Gjirokastra do të jetë një “nuse pa vello”…

Enea Mijo, banor në qytetin e Gjirokastrës thotë për “Faktoje” se nga punimet në restaurimin e kalldrëmeve janë bërë një sërë gabimesh dhe ato dolën në pah “falë” shiut të ditëve të fundit, gjë që tregon dukshëm punimet skandaloze në zonën muzeale.

Nëpërmjet pamjeve filmike që “Faktoje” ka siguruar nga banorë të ndryshëm të Gjirokastrës, shihen qartë kalldrëmet e rrugëve të qytetit të cilat kanë lëvizur pas restaurimit, madje ato mund të hiqen lehtësisht me duar pasi nuk kanë zënë vend.

Këtë fenomen të lëvizjes së kalldërmeve pas restaurimit, për “Faktoje”, arkitekti restaurator njëkohësisht edhe ekspert i trashëgimisë kulturore Kreshnik Merxhani, e shpjegon me pakujdesinë që eshtë treguar gjatë punimeve si dhe materialeve që duheshin përdorur gjatë këtij procesi.

Dheu nuk është ngjeshur mirë dhe nuk janë përdorur të gjitha materialet që parashikon projekti për rishtrimin e kalldrëmeve. Duke qenë se ra shi, pjesa e pangjeshur rrëshqiti duke batuar edhe kalldrëmin”, tha ndër të tjera Merxhani.

Ndërkaq sipas Mijos niveli i kalldrëmit në pjesën fillestare është ngritur 5 cm nga niveli i mëparshëm dhe kur të mbërrijë tek pjesa më kulmore, mund të rritet edhe më tepër. Një gjë e tillë sipas tij mund të çojë edhe në humbjen e trotuareve.

Por problematikat me këtë projekt nuk përfundojnë me kaq. Kreshnik Merxhani sjell në vemendjen tonë dhe të lexuesit disa probleme të tjera që ka hasur në zbatimin e projektit për restaurimin e kalldrëmeve në Qafën e Pazarit. Sipas tij heqja e gurëve me seksione nuk është bërë me matrikullim, gjë që nënkupton që pas ndërhyrjes, guri të vihej në vendin e tij të mëparshëm.

“Një tjetër problem është përshtatja e gurëve të vjetër me gurët e rinj që do të vendosen në vend të gurëve të dëmtuar. Edhe për këtë proces duhet një studim i hollësishëm, gjë që ka munguar gjatë restaurimit,”– shpjegon Merxhani.

Për situatën e krijuar së fundmi me kalldrëmet në Gjjirokastër reagoi edhe ish- ministrja Mirela Kumbaro e cila thotë se në pjesën e dëmtuar pas restaurimit do të ketë një ndërhyrje të dytë për ta bërë këtë pjesë “rruazë”.

Fajin për dëmtimin e kalldrëmeve të saporestauruar, Kumbaro ia faturoi Bashkisë Gjirokastër, pasi sipas saj, ky institucion nuk ka marrë masa dhe ka lejuar mjete të tonazhit të rëndë të qarkullojnë mbi kalldrëmet e saposhtruar. Në shumicën e rasteve “faji mbetet jetim” thotë një shprehje e urtë, por pavarësisht kësaj, kalldrëmet e Gjirokastrës lënë shumë për të dëshiruar dhe situata aktuale mbetet aspak e këndshme.

E ndërsa faji kalon “ping-pong” nga një institucion në tjetrin, ekspertë të trashëgimisë kulturore e shohin situatën e krijuar në Gjirokastër si një rrezik potencial dhe për daljen e këtij qyteti nga UNESCO.

Në pritje të çeljes zyrtare të sezonit turistik ku numri i turistëve pritet të shtohet edhe më shumë, Gjirokastra do t’ju servirë një pamje jo fort dinjitoze siç i ka hije qytetit të gurtë dhe që për shumë turistë vendas apo të huaj, vizitohet pikërisht për karakteristikat e saj “të gurta” që mesa duket do të vijojnë “të çalojnë” .

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img