.

.

BallinaPertejShfrytëzimi abuziv me pyjet rritet edhe pse ka një moratorium në fuqi

Shfrytëzimi abuziv me pyjet rritet edhe pse ka një moratorium në fuqi

ANDI BORA

Sipërfaqe e madhe toke e veshur me drurë të dendur e të lartë ose me shkurre; kështu e shpjegon fjalën “Pyll” fjalori shkencor i gjuhës shqipe.

Për vite me radhë pyjet në Shqipëri i janë nënshtruar shfrytëzimit pa kriter duke lënë kështu “plagë” të dukshme por edhe të padukshme që ende nuk janë rekuperuar dhe që lënë pasoja për të ardhmen. Nga të dhënat e fundit të Bankës Botërore që datojnë në vitin 2016, pyjet zënë 26.8% të sipërfaqes totale të territorit shqiptar.

Në vitin 2016 qeveria miratoi “Moratoriumin e Pyjeve”, një ligj që ka për qëllim reduktimin e ndërhyrjeve në fondin pyjor të vendit. Moratoriumi ndalon shfrytëzimin e lëndës drusore të fondit pyjor publik dhe privat; tregtimin e produkteve të tij; ndalimin e eksportit të lëndës drusore të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe qymyrit të drurit.

Ndërkohë që nga kjo fushë zbatimi përjashtohen rastet e shfrytëzimit të lëndës drusore për plotësimin e nevojave të banorëve të bashkive me dru zjarri; rastet e ndryshimit të destinacionit të fondit pyjor dhe kullosor; rastet e shfrytëzimit të lëndës drusore për rigjenerim, shëndetësimi e pyjeve dhe pastrimi i mbetjeve drusore.

Por a është respektuar moratoriumi, në këtë rast ligji?

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, në hapësirën kohore të një viti, 2016-2017, sipërfaqja e pyjeve ka rënë me 336 hektarë, sipërfaqja e kullotave është zvogëluar me 107 hektarë ndërsa sipërfaqja me bimësi pyjore është zvogëluar me 45 hektarë.

Ndërkaq lidhur me shfrytëzimin e pyjeve dalin në pah të dhëna të tjera, ku nga viti 2016 deri në vitin 2017 vihet re se shfrytëzimi i trupave të drurit është rritur me 214% ose e thënë ndryshe me 9 mijë m3 trupa druri.  

Shfrytëzimi në total nga viti 2016 në 2017-ën, ku përfshihen dru zjarri, qymyr druri, degë voze, shtylla miniere, lëndë ndërtimi dhe trupa druri, është rritur me 112.7 mijë m3 dhe kjo e shprehur në përqindje është 14.8%.

Sipas të dhëna që po INSTAT ka publikuar, eksportet e produkteve të drurit dhe  të letrës kanë gjithashtu një rritje të dukshme për periudhën 2016-2018, me një vlerë prej rreth 15.8%, duke shkuar kështu nga 7.7 miliardë lekë në vitin 2016, në 9.6 miliardë lekë në vitin 2018.

Në vitin 2017, një vit pas moratoriumit të pyjeve, ministri i mjedisit të asaj kohe, Lefter Koka, miratoi një udhëzim me qëllim përcaktimin e ngastrave dhe grupngastrave për trajtimin e pyjeve me prerje rigjeneruese si edhe përcaktimin e rregullave për sigurimin e drurëve të zjarrit për ngrohje.

Ky udhëzim u jep të drejtën bashkive që të hapin tendera për prerjen e drurëve të zjarrit si edhe vjeljen e prodhimeve drunore e jo-drunore.

Sipërfaqet e djegura të pyjeve dhe investimi nga qeveria

Përveç procesit të rigjenerimit natyral së cilit duhet t’i nënshtrohen pyjet, janë të domosdoshme edhe investimet e vazhdueshme nga institucionet përgjegjëse pasi shpesh dëmtimet e shkaktuara mbi këto hapësira toke nuk mundësojnë faktin që pyjet të kryejnë vetë këtë proces.

Sipas të dhënave të INSTAT të paraqitura edhe në grafikun e mëposhtëm, investimet e realizuara në pyje kanë rënë ndjeshëm përgjatë vitit 2016 dhe 2017.


Por nga ana tjetër, viti 2017 ka shënuar një rritje të sipërfaqeve pyjore të djegura gjë që shton edhe më tepër problematikën në këtë sektor.

Sipas Global Forest Watch, platformës për monitorimin e të dhënave për pyjet, Shqipëria nga viti 2001 deri në 2017-ën, ka humbur 5.5% të sipërfaqes së saj pyjore, ku katër qarqe janë përgjegjëse për 63% të kësaj humbjeje.

Po sipas kësaj platforme, qarku i parë që kryeson humbjen e sipërfaqeve pyjorë është Vlora, ndjekur nga Korça, Dibra dhe Shkodra.

Pak ditë më parë ministri i mjedisit, Blendi Klosi, deklaroi se Shqipëria nuk ka një inventar të pyjeve dhe për këtë arsye po punohet në të gjithë territorin për inventarizimin e tyre.

Përmirësimi i situatës në të ardhmen dhe plani për mbjelljen e 20 milionë pemëve deri në vitin 2020

Në nëntor të vitit 2017 qeveria paraqiti planin për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve deri në vitin 2020,  një iniciativë që do të shtonte hapësirat e gjelbra në vendin tonë duke përmirësuar edhe cilësinë e ajrit.

Sipas një përgjigjeje zyrtare të ardhur në adresë të “Faktoje” nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, nga dhjetori i vitit 2017-ës e deri më tani, rezultojnë të jenë mbjellë rreth 7 milionë e 400 mijë pemë.

Sipas ministrisë, fushata për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemëve është një nismë në kuadër të programit kombëtar “Clean and Green 2020”.

I njëjti program po implementohet në Australi, e cila ka një sipërfaqe rreth 267 herë më të madhe se Shqipëria, duke synuar që të mbjellë 20 milionë pemë deri në vitin 2020.

Sipas Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, mbjellja e pemëve është realizuar 70% me kontribut të sektorit privat, pasi subjekte të ndryshme kanë një detyrim pyllëzimi me rreth 5 milionë fidanë pyjorë.

Mbetet për t’u parë nëse kjo nismë do të finalizohet me sukses dhe që sipërfaqet pyjore të dëmtuara të mund t’i nënshtrohen investimeve. Mbetet gjithashtu për t’u parë nëse masat e marra apo moratoriumet e vendosura do të mund të parandalojnë apo do të eleminojmë shfrytëzimin abuziv të pyjeve në vend.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img