Pretendimi: Në Toulouse të Francës u mbajt një ceremoni publike sataniste duke dëshmuar kolapsin e Perëndimit.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Eshtë një traditë në Francë që artistët të tërheqin vëmendjen e publikut nëpërmjet provokimit apo të krijojnë debate me krijimitarinë e tyre. Kësaj here tentativa për të provokuar ka shkuar pak më larg duke krijuar edhe kritika nga Kisha franceze për përdorimin e simboleve satanike. Ndërsa në rrethe të tjera konspiracioniste, një krijimtari arti është sjellë si provë për degradimin e Perëndimit. 

 “‘Litani’ e Satanit në Tuluzë të Francës” ngre alarmin portali mast.al në titullin e artikullit të tij.

Artikulli vijon: “Në Tuluzë në një ceremoni publike sataniste, të pranishmit adhuruan 666 dhe bishën! Shfaqën kryqin e Satanait, Vula e Luçiferit dhe shenjën e bishës në mes Europë! Kohë bishash! Ky është kolapsi i Perëndimit!”

Kolapsi i Perëndimit, mesa duket, konsiston në një performancë publikekompanisë teatrale La Machine, protagonistë të së cilës janë tre kukulla gjigande mekanike. Performanca e quajtur “Porta e Errësirës”, pas një shfaqjeje në një festival muzike metal, u rikthye në Toulouse në tetor 2024 për edicionin e dytë të një shfaqjeje që tërhoqi mbi 800 mijë persona në 2018.

Asterion, Minotauri u shoqërua si në 2018 nga gjysmë-motra e tij Ariane, merimanga gjigante. Këtë vit, një personazh i tretë u shfaq për herë të parë në Toulouse: Lilith, gruaja akrep. E bërë prej druri dhe çeliku, ajo është 11 metra e lartë, 14 metra e gjatë, peshon 38 tonë, lëviz në tetë këmbë, lëviz qepallat, gojën dhe gjuhën dhe është e tatuazhuar me simbole. Ajo u ndërtua për festivalin e metalit Hellfest që zhvillohet çdo vit në Clisson.

Asterion, Minotauri

Ariane, merimanga

Lilith, gruaja akrep

Që në verë, Kisha vendase shprehu alarm për shfaqjen e simboleve sataniste në publik, dhe kryepeshkopi i Toulouse vendosi ta shenjtërojë qytetin në meshën e 16 dhjetorit.

Këto “reagime nga një tjetër kohë”, dhe stuhia mediatike që i pasoi, e kanë habitur krijuesin e performancës, François Delarozière, i cili deklaroi se besonte “se po dëshmojmë rikthimin e një forme puritanizmi.” Ai shtoi se “nuk kam asnjë qëllim të shpreh pikëpamje satanike.”

“Posteri përdor ikonografinë mesjetare dhe pyes veten nëse sot nuk po rishfaqen të njëjtat frikë si në mesjetë”, tha Delarozière. Kur vizatoi Lilith, ai përdori shenja ezoterike dhe estetike si atribute të personazhit të tij. “Nuk ka domethënie pas gjithë kësaj. Nëse do të kisha vizatuar një gangster, do të kisha bërë të njëjtën gjë, do të kisha përdorur të gjithë ikonografinë për ta bërë të qartë se ai është një gangster”, shton ai.
Artisti, i cili tha se frymëzimi i tij vjen nga “mitologjia dhe simbolet popullore për të treguar historinë e një familjeje”, është ende i befasuar nga polemikat. “Ky mbetet teatër popullor,” këmbënguli ai, duke shpresuar që “kisha të mbetet e hapur ndaj krijimit artistik”.