.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookShfaqja e flijimit të fëmijëve në Chicago nuk fsheh ndonjë plan amerikano-hebre 

Shfaqja e flijimit të fëmijëve në Chicago nuk fsheh ndonjë plan amerikano-hebre 

Pretendimi: Në 1933, 150 mijë hebrenj u mblodhën në Chicago për të simuluar një flijim fëmije për Molokun.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————–

Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i jashtëzakonshëm se në vitin 1933, “150 mijë hebrenj u mblodhën në Chicago për një “paradë historike” të njohur si “Romanca e një Populli” për të simuluar një flijim fëmije për Molokun.”

“Romanca e një Populli” është vërtet emri i një spektakli që u mbajt në Chicago, ShBA më 3 korrik 1933.

Walter Roth, ish-president i Shoqërisë Historike Hebraike të Chicago, në librin e tij “Duke parë prapa: Histori të vërteta nga e kaluara hebraike e Chicago” e përshkruan si “spektakli më i madh hebre i organizuar ndonjëherë në Chicago” për mbi 125 mijë persona.

I sponsorizuar nga Agjencia Hebraike për Palestinën, Romanca e një Populli ishte ngjarja kulminante e Ditës Hebraike në panairin botëror. Panairi ishte një përpjekje kolosale, e planifikuar për mbi pesë vjet, e projektuar për të reklamuar progresin e bërë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Chicago në fushat e teknologjisë, shkencës dhe industrisë gjatë njëqind viteve të mëparshme. Komiteti i Panairit kishte caktuar mbi 20 ditë të veçanta, një për secilën prej kombësive që përbënin popullsinë emigrante të Chicago.

Romanca e një Populli, siç tregohet në titull, ishte një rikrijim i historisë hebraike.

Në atë kohë, New York Times e quajti “historia e luftës së një populli për të gjetur Zotin dhe për të sjellë liri në tokë” duke shkruar: “Ishte një spektakël mahnitës; bekimet e kënduara nga priftërinjtë me rroba të bardha, gjoksorët e të cilëve të stolisur me gurë të çmuar shkëlqenin; gjëmimi i trombëve të brirëve të dashit, tingulli i kambanave, tundja e palmave.”

S. J. Duncan-Clark e përshkroi pjesën, së cilës i referohet postimi i mësipërm për Chicago Daily News si portretizim të “luftës së zymtë kundër adhurimit demonik të Molokut.” 

Chicago Daily Tribune botoi një foto të kësaj sekuence me diçiturën: “Sakrifikimi i një virgjëreshe për Molokun” dhe e përshkroi spektaklin si “një histori e popullit hebre ndër shekuj.”

Pra, megjithëse pretendimi i mësipërm përdor një numër faktesh historike për të ndërtuar një narrativë anti-semitike, ai është i rremë.

Në 3 korrik 1933, 125 mijë persona u mblodhën në Chicago për të parë një rikrijim të historisë së hebrenjve (një versioni të saj) të quajtur Romanca e një Populli që përfshinte, ndër të tjera, një rikrijim të një flijimi për Molokun.

Të njëjtat rikrijime të traditave fetare apo folklorike të kombësive të tjera u ndoqën masivisht gjatë Panairit Botëror në ditët e tjera të zhvillimit të tij. 

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img