.

.

BallinaFaktometerE vërtetëShërbimet online, sfida e pakapërcyeshme për moshat e treta

Shërbimet online, sfida e pakapërcyeshme për moshat e treta

Kthimi i zyrave të kadastrës në makineri digjitale, siç e pagëzoi kryeministri Rama në 2023, rezultoi kundërproduktiv për një komunitet të gjerë. Verifikimi në Pogradecit tregoi se qindra individë, shumica të moshuar, por edhe të rinj nuk dinë ose nuk mund të aplikojnë online. Këtë situtë e kanë kthyer në biznes kanceleritë dhe zyrat noteriale, që ua masin kokat me pe‘ sidomos të moshuarve që duan të aplikojnë në e-Albania. Avokati i Popullit është i shqetësuar se po cënohen të drejtat e njeriut, ndërkohë që AKSHI pranon se kanë munguar fushatat për informimin e grupeve vulnerabël në përdorimin dhe marrjen e shërbimeve nga e-Albania.

Artin Halili

Në fund të qershorit 2023, Kryeministri Edi Rama u zotua se prej 3 korrikut 2023 çdo shërbim i Kadastrës do të dixhitalizohej dhe 71 shërbime të saj do të merreshin  online përmes platformës e-Albania.

“Nga e hëna 3 korrik Kadastra është makineri dixhitale. Askush nuk do të gjejë dot si trajtohet prona veç makinerisë së Kadastrës. Qytetarët të mos shkojnë më në Kadastër se nuk i pret askush, si në Bankën e Shqipërisë. Çdo veprim do të bëhet përmes e-albania” tha Rama gjatë prezantimit të reformës së Kadastrës.” Zotimi i kryeministrit pritej t’i jepte fund sorollatjeve për mijra qytetarë të cilët prej vitesh enden dyerve të hipotekave për të marrë pronat.

Çfarë ndodhi pas 3 korrikut

Prej 3 korrikut 2023 askush nuk mund të marrë më një përgjigje në sportele apo dokumenta fizikisht, por vetëm nëpërmjet E-Albania. Pensionistët, banorët e zonave rurale deri tek ata me aftësi ndryshe duket se janë komunitetet që preken më shumë nga mungesa e njohurive se si ta kërkojnë shërbimin ne e-Albania dhe rrjedhimisht të mbeten pa e përfituar këtë shërbim.

Çifti i pensionistëve në Pogradec: Pronat, kur të na “mbijë bari”

Çifti i pensionistëve Pasko dhe Pavlina Bicja, që banojnë në Lin të Pogradecit, prej vitit 2019 ka tentuar pa sukses të marrë certifikatat e pronësisë, të përfituara me ligjin 7501. Pas digjitalizimit të kadastrës, iu duket një mision edhe më i pamundur, sidomos që tani edhe shëndeti e fuqitë po i lenë.

“Kur aplikuam na thanë të merrnim topograf për të kryer matjet, e morëm topografin dhe paguam në bankë për këtë proces, diku tek 17.600 lek të reja. I dërguam dokumentat dhe pritëm, por nuk na dolën certifikatat. Më pas na thanë se duhet të merrnim kufitarët e tokës dhe të paraqiteshim tek noteri për ndarjen e kufijve, nuk e kuptova këtë, sepse ne kishim marrë topografin për këtë punë. Duhej të bëja deklarata noteriale të cilat na kushtonin shumë para’ dhe nuk e vazhduam si proces.”- thotë Pavlina, e cila i shërben 24 orë në 24 të shoqit të sëmurë me tumor.

Pavlina dhe Pasko Bicja, pensionistë në Pogradec
Pavlina dhe Pasko Bicja, pensionistë në Pogradec

Me nisjen e pandemisë institucionet u izoluan dhe vetëm pas heqjes së kufizimeve çifti arriti të merrte takim me drejtuesen e kadatstrës Pogradec, e cila sipas tyre u garantoi se brenda një muaji do të pajiseshin me certifikatat e pronësisë.

Në fakt ka kaluar gati 1 vit dhe nuk i kemi marrë certifikatat. Tashmë nuk i ndjek dot më! Vajza që kam jashtë shtetit i ka shkruar Kryeministrit, por ende presim, jemi pa përgjigje.“-tregon e moshuara e cila tani gjendet në hall se kush do ta ndihmojë të aplikojë në e-Albania.

Unë nuk di ta përdor E-Albanian, nuk di të bëj kërkesa, nuk di as ku të shkoj t‘i bëj. Sot për sot i kam humbur shpresat se do të zgjidh dicka, burrin e kam me kancer dhe as ai, as unë nuk i ndjekim dot tokat. Fëmijët janë jashtë, punojnë andej, sepse nuk kanë ku të punojnë këtu”.

Noteri ‘zgjidh hall’ por do para’

E-Albania tashmë ofron 95 % të shërbimeve që qytetarët deri dje i merrnin fizikisht dhe duke paguar tarifa. Një certifikatë personale apo familjare, deri para pak kohësh tërhiqej në zyrat e gjendjes civile. Sot ajo sigurohet pa pagesë online, por shumë persona të moshës së mesme apo të tretë nuk kanë njohuri për aplikacionin, nuk kanë telefona smart dhe kompjuter që mundësojnë aplikimin, apo printer në rastin kur dokumenti duhet të jetë i printuar.

Bari Isallari, pensionist duhet të pajiset me certifiktën e shtëpisë, pas vdekjes së gruas. Për këtë atij i duhet më parë të pajiset me certifikatën e vdekjes së të shoqes që të vijojë me procedurat e tjera. Mirëpo ai nuk ka një telefon smart dhe as nuk di të logohet në e-Albania. Për të zgjidhur hallin, ka shkuar në një prej kancelarive të qytetit ku është vendosur njoftimi se ofrohet asistencë për shërbimet e-Albania, sigurisht kundrejt pagesës. Por nuk mbaron këtu. Me certifikatën në dorë, i drejtohet noterisë që të bëjë çeljen e pasurisë dhe sërish i duhet të paguajë për gjenerimin e dokumenteve të tjera për t’ia dalë në krye. I gjithë procesi, që dikur bëhej me asistencën e një punonjësi kadastre, tani bëhet tek noteri ose nëpër kanceleri me çmime madje të përcaktuara.

Asistenca jepet për aplikim për pasaportë, certifikata, raporte mjekësore, dëshmi penaliteti, aplikime pensioni, koalidime makine, aplikime për hipotekë, kërkesa për shpërblim lindje, etj.

Çmimet për secilin shërbim variojnë nga 500 deri në 3000 lekë të reja, varësisht nga lloji i dokumentit dhe aplikimit. Sipas të dhënave që morëm nga disa kancelari në Pogradec, llogaritet që mesatarisht secila prej tyre iu ofron 20 deri 30 qytearëve në ditë asistencë kundrejt pagesës për shërbimet online. Qytarët raportohet t’i përkasin moshës së mesme, moshës së pensionit, por nuk bëjnë përjashtim as të rinjtë.

Kjo është një sfidë me kosto të lartë për shumë individë në Pogradec, që numëron një popullsi prej rreth 82 mijë banorësh prej të cilëve, 12 mijë janë pensionistë.

Endri Çela jurist në qytetin e Pogradecit është skeptik kur vjen fjala tek  dixhitalizimi i shërbimeve, që sado të ketë lehtësuar shëbimet për shumë individë, ka krijuar vështirësi për komunitetin e të moshuarve dhe jo vetëm.

Endri Çela jurist

“Shumë e vështirë është, sidomos për aplikimet për ASHK. Ishte më efektive dhe e lehtë kur ishin të hapura zyrat e Adisa-s pasi të gjithë personat të cilët nuk mund ta bëjnë aplikimin, e merrnin këtë shërbim aty.“ thotë Çela duke shtuar se është i domosdoshëm komunikimi interaktiv për të marrë informacionin. Sipas tij, pritja për të marrë informacionin nga e-Albania në disa raste është më e zgjatur në kohë dhe jo efektive pasi jo të gjitha detajet apo pyetjet mund të marrin përgjigje në këtë formë.

Edhe Avokati i Popullit konfirmon situatën problematike për marrjen e shërbimeve online nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit në Pogradec.

Ankesa ka pasur për aplikimet në kadastër, sigurimet shoqërore, këto janë më të shumta në numër. Zyra jonë i ndihmon qytetarët në dhënien e këtij shërbimi, pa pagesë. Jo se është detyrim i institucionit, por për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe për të shmangur tarifat e larta që privati ofron për dhënien e këtyre shërbimeve”-thotë Burbuqe Ngracanji, përfaqësuese e zyrës së Avokatit të Popullit, që konfirmon mbërritjen e të paktën 80 ankesave në lidhje me pengesat që hasen në marrjen e shërbimeve online. Digjitalizimi si hap është pozitiv që të ketë një shërbim më të shpejtë, por duhet zgjidhje për qytetarët që kanë vështirësi në përdorim, si shtresat e varfëra,  mosha e tretë, por edhe të rinjtë, veçon Ngracanji e cila shton:

Avokati i Popullit po punon në përgatitjen e një studimi me fokus “Mbrojtja e të Drejtave të Njeriut në Digjitalizimin e Shërbimeve Publike në Shqipëri”. Pas përfundimit të punës kërkimore, do realizohet një raport përmbledhës ku do të pasqyrohen problematikat dhe rekomandimet përkatëse të cilat do t‘i adresohen organeve shtetërore kompetente, me qëllimin që procesi i digjitalizimit të shërbimeve publike në Shqipëri të zhvillohet në përputhje me standartet e të Drejtave të Njeriut.

Sipas të dhënave nga Bashkia Pogradec, në zyrat qëndrore të saj dhe 7 njësitë administrative që përfshin, nuk ka asnjë punonjës që të japë asistencë për shërbimet bazike në e -Albania, një kërkesë e domosdoshme siç tregon verifikimi sidomos për aplikimet në kadastër.

“Çdo institucion duhet të ketë një punonjës të mirëtrajnuar për të dhënë shërbimin, pasi dhe ne që i ndihmojmë, në shumë aplikime detyrohemi të marrim informacion nga kadastra ose sigurimet shoqërore se si mund të bëhet një aplikim i caktuar”-thekson për Faktoje përfaqësuesja e zyrës së Avokatit të Popullit.

Nga informacioni që siguruam pranë ASHK Pogradec mësojmë se prej 3 korrikut deri në fund të 2023 ka patur 14 500 kërkesa/aplikime online. Vetëm janari 2024 shënoi për kadastrën e Pogradecit 1500 aplikime. Për zyrtarët e këtij institucioni forma dixhitale është efektive pasi shmangen kontaktet me qytetarët dhe tentativat për korruptim të punonjësve. Sa për pamundësinë e aksesimit të shërbimeve online nga individë të moshuar apo shtresa të tjera vulnerabël, kjo nuk është përgjegjësi e hipotekës.

AKSHI pranon mungesën e fushatave informuese

Shërbimet dixhitale u futën shumë shpejt në zbatim, ndërkohë që fushatat informuese në media apo në terren për komunitetet më të prekura, kanë munguar. Edukimi dhe nxitja e përdorimit të TIK-ut (teknologjisë së informacionit) nga publiku, është një prej objektivave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Në një përgjigje zyrtare ndaj kërkesës për informacion për Faktoje, AKSHI pranon problematikën dhe konfirmon se në vijim do të mundësohen lehtësira për shtresat që kanë pasur vështirësi në aksesimin e aplikacionit.

“Në kuadër të ofrimit të asistencës fizike për mbështetje teknike të qytetarëve që nuk kanë njohuritë e duhura digjitale apo aftësinë fizike për të përdorur sistemin, është parashikuar transformimi i 10 ish-qendrave të ADISA-s në të gjithë vendin. Në to do të dedikohet një hapësirë e veçantë për të ndihmuar popullsinë e gjerë në përdorimin e shërbimeve elektronike (personat që nuk kanë mjaftueshëm aftësi digjitale, përfshirë grupet në nevojë), duke kontribuar në përmirësimin e njohurive digjitale të popullatës.”

Sipas përgjigjes, ndryshimet do të zbatohen gjatë këtij viti, çka mbetet për t’u verifikuar.

“Me ndryshimet e reja që priten të zbatohen gjatë vitit 2024 do të integrohen standardet ndërkombëtare të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, që portali të jetë lehtësisht i përdorshëm prej tyre përmes softëare-ve dhe tools-eve që ata përdorin për leximin e faqeve ëeb. Ndryshimet do të vijnë si pasojë e takimeve të njëpasnjëshme informuese dhe konsultative të zhvilluara me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, të PAK dhe të fashave vulnerabël të popullsisë”

Përfundim

Hipoteka u kthye vërtetë në një makineri digjitale, siç deklaroi edhe kryeministri Rama korrikun e vitit të kaluar, por për shumë individë të komunitetit të të moshuarve dhe jo vetëm ky vendim rezultoi i nxituar dhe kundërproduktiv. Digjitalizimi i gjeti të papërgatitur dhe të painformuar këto komunitete. Verifkimi në Pogradc tregoi se në asnjë zyrë shteti, përfshirë dhe ASHK ku numërohen mijëra kërkesa për çështje pronësie nuk ka asnjë punonjës qoftë për të kthyer një përgjigje në lidhje me aplikimin për pronat. Kjo mangësi është kthyer në mjet fitimprurës për kanceleritë dhe zyrat noteriale ku pensionistët duhet të gërmojnë xhepat para se të aplikojnë për shërbim në e-Albania.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img