RAIMOND KOLA
Dëmet e mëdha nga zjarret në qarkun e Gjirokastrës kanë rikthyer vëmendjen mbi situatën e reparteve zjarrfikëse. 6 vjet pas reformës territoriale, bashkitë gjenden të papërgatitura të përballojnë shuarjen e zjarreve, ndërkohë që në shumë zona, sidomos në fshatra mungojnë hidrantet. Kërcënimi nga zjarret i kanoset edhe qendrës historike, e cila ka të dëmtuara disa prej monumenteve. Me mjete të vjetëruara që i përkasin 30-40 viteve më parë, me numër të pamjaftueshëm efektivësh dhe të patrajnuar, emergjencat civile janë vetë “në emergjencë” për t’u reformuar. Ekspertët thonë se duhet centralizuar shërbimi zjarrfikës, të paktën në nivel qarku për t’u bërë më veprues.
Qarku i Gjirokastrës që përfshin shtatë bashki, Tepelenën, Memaliajn, Libohovën, Dropullin, Këlcyrën, Përmetin dhe Gjirokastrën u përball sivjet me zjarre të përmasave të mëdha, që shkaktuan edhe dy të vdekur, në fshatin “Asim Zeneli”.
Zjarret lanë pas dëme të mëdha edhe në prona, pyje, vreshtari dhe kullota. Tre vatra të njëkohshme zjarri në zonën e Lunxhërisë në fillim të muajit gusht, ishin të pamundura të menaxhoheshin nga repartet zjarrfikëse të qarkut dhe ndihma nga ajri ishte e kufizuar. Zjarret dolën jashtë kontrollit duke rrezikuar jetën dhe shtëpitë e banorëve në disa fshatra, pavarësisht përpjekjeve dhe ndihmës nga Ministria e Mbrojtjes.
Flakët në zonën e mbrojtur të Parkut të Hotovës në Përmet, u arritën të viheshin në kontroll para se të përhapeshin në sipërfaqen masive të bredhave.
Zjarri në pyjet e Gjirokastrës
“Zjarret kanë lënë pasoja katastrofike për mjedisin dhe pyjet, dëmet do të jenë me një efekt afatgjatë për zonat që u prekën.”- thotë inxhinieri i pyjeve Kleanthi Mandi.
Dëmet nga zjarri në pyjet e Gjirokastrës
Sipas vlerësimeve paraprake vetëm në tri zonat e Krinës, Asim Zenelit, Arshi Lengos, në Bashkinë Gjirokastër, brenda pak orësh janë djegur 98 ha tokë bujqësore, vreshta dhe pemtore, 70 ha me pyje dhe bimësi pyjore, 900 ha sipërfaqe kullosore. Në Gjirokastër, aktivizimi i zyrës së parandalimit të zjarreve edhe këtë vit është bërë nga shërbimi emergjencave përmes takimeve me përfaqësues të pushtetit vendor, banorë, barinj dhe biznese.
Sipas një raporti për planin e emergjencave në qarkun e Gjirokastrës, të hartuar nga prefektura vitin e shkuar, 90% e zjarreve në kullota dhe pyje kanë qenë të qëllimshme, rast që rezulton i përsëritur edhe sivjet. Policia e Gjirokastrës raporton se ka proceduar pesë persona për zjarrvënie, vetëm gjatë muajit gusht ndërsa janë vendosur edhe disa gjoba, por praktikat gjyqësore të viteve të shkuara kanë dëshmuar se asnjë zjarrvënës nuk është dënuar me burg.
Shërbimet zjarrfikëse të bashkive dhe sfidat për mbrojtjen nga zjarri
Shërbimet zjarrfikëse në 7 bashkitë e qarkut të Gjirokastrës megjithëse u përgjigjën në kohë për ndërhyrjet në rastet e zjarrit, kanë pak mjete dhe pajisje në dispozicion për operacionet për shuarjen e tyre.
Sipas përgjegjësit të repartit të Zjarrfikësve në Gjirokastër, Kujtim Bizhga, ky shërbim ka 4 mjete të viteve 1980-1990 dhe 20 efektivë. Shërbimet e tjera të bashkive më të vogla si Dropulli, Libohova dhe Memaliaj kanë nga një mjet dhe 14 efektivë. Dy bashkitë e tjera, Përmet dhe Tepelenë ndihmohen në operacione nga zjarrfikëset e Gjirokastrës për shkak të mjeteve të kufizuara dhe të vjetëruara.
Zjarrfikësja e Libohovës në ndihmë në Bashkinë Gjirokastër
“Edhe në Gjirokastër automjetet zjarrfikëse janë të vjetëruara dhe megjithëse bëjmë përpjekje të vazhdueshme për t`i mirëmbajtur, ato shpesh të lënë në baltë.”- thotë zoti Bizhga, i cili konfirmon se gjatë këtyre viteve nuk është blerë asnjë mjet i ri.
“Nga përvoja e vendeve të tjera, shërbime të tilla veprojnë me mjete të kohës dhe shumë prej tyre e kanë në praktikë që automjetet zjarrfikëse nuk lejohen të blihen të përdorura”- shpjegon përgjegjësi Bizhga, i cili shton:
“Repartet zjarrfikëse kanë nevojë të mbështeten, pasi për pajisjet mbrojtëse, por edhe mjetet e ndërhyrjes ndaj zjarrit duhet të investohet në mënyrë të qëndrueshme. Shërbimi zjarrfikës duhet centralizuar të paktën në nivel qarku për t’u bërë më efektiv, më i menaxhueshëm nga një strukturë e vetme komanduese. Përveç kushteve, si nxehtësia shumë e lartë dhe territori i thyer, ne jemi të detyruar të shkojmë në operacione në bashkitë e tjera, Delvinë, Finiq apo Përmet, për shkak se këto bashki ende kanë struktura të vogla të mbrojtjes dhe ndërhyrjeve të zjarrit”.
Kujtim Bizhga, përgjegjësi i repartit të Zjarrfikësve në Gjirokastër
Shërbimi zjarrfikës në nivel qarku
Në shtatë bashkitë e Qarkut të Gjiroakstrës janë plotësuar stacionet zjarrfikëse me strukturat e efektivëve, pas kalimit të këtij shërbimi nga prefekturat në varësi të bashkive në vitin 2015. Në zbatim të vendimit të qeverisë në prill 2017, “Për miratimin e listës së bashkive, të cilat do të ngrenë stacione të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”, strukturat e reja të këtij shërbimi janë ngritur në katër prej bashkive: Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë dhe Dropull mbi bazë të parimit 1 zjarrfikës për 1500-2000 banorë.
Shërbimet në Libohovë, Dropull dhe Memaliaj kanë secila nga një mjet në dispozicion për shuarjen e zjarreve. Bashkia e Dropullit e ka të dhuruar nga Greqia dhe disa kohë më parë ka vënë në dispozicion 10 milionë lekë për krjimin e këtij shërbimi. Por përpjekjet janë të pamjaftueshme dhe investimet e vetë bashkive mungojnë për të plotësuar nevojat për efektivë, pajisje dhe teknikë ndërhyrëse në terren.
Një problem madhor është edhe mungesa e rrjeteve të hidranteve, përmes të cilave mjetet zjarrfikëse mund të furnizohen me ujë. Në shumicën e fshtarve të qarkut ato mungojnë, ndërsa në disa bashki numri i tyre është tejet i kufizuar.
Mjetet e vjetëruara zjarrfikëse në repartin Gjirokastër
“Duhet të bëjmë përpjekje për rrjetet e hidranteve që na furnizojnë me ujë pasi kemi vetëm një dhe atë të ngritur me forcat tona. Libohova po punon për ngritjen e rrjetit të ri të ujësjellësit dhe në këtë kuadër parashikohet hidrant për çdo lagje. Por edhe fshatrat e tjerë duhet të kenë hidrante, pasi përvoja nga ndërhyrjet në Krinë, Asim Zeneli, Arshi Lengo tregoi se në mungesë të hidranteve në këto fshatra zjarrfikëset shkuan disa kilometra larg për t`u furnizuar me ujë duke humbur kohën aq të çmuar në raste urgjente.”- tha përgjegjësi i zjarrfikësve të bashkisë së Libohovës Qirjako Kokthi.
Bashkitë | Mjetet zjarrfikëse | Viti i prodhimit |
Gjirokastër | 4 mjete | Nga 1980-1990 |
Tepelenë | 1 | 1974 |
Përmet | 1 | 1970 |
Këlcyrë | – | – |
Libohovë | 1 | – |
Dropull | 1 | – |
Memaliaj | 1 | – |
Tabelë ilustruese me numrin e mjeteve zjarrfikëse, sipas bashkive të qarkut Gjirokastër
Zjarrfikëset në terren me pak pajisje dhe teknike
Gjirokastra, kërkesa urgjente për mbrojtjen nga zjarri të Qendrës Historike
Qendra historike e Gjirokastrës që mbrohet nga UNESCO ku përfshihen asambletë muzeale dhe shtëpitë qindravjeçare, kërcënohet nga rreziku i zjarreve. Organizata Botërore e Monumenteve UNESCO, përmes misioneve që kanë inspektuar rregullisht Gjirokastrën, u ka kërkuar vazhdimisht autoriteteve vendore dhe qëndrore, masa efikase mbrojtëse për qendrën historike të qytetit. Zjarre të fuqishme kanë shkatërruar shtëpi e lagje të tëra, disa herë përgjatë historisë së Gjirokastrës dhe fatkeqësisht gjurmët e tyre janë edhe sot në disa ndërtesa, mes të cilave edhe shtëpia e lindjes së Musine Kokalarit. Shumë prej objekteve të djegura janë gati të parikuperueshme, pasi u janë dëmtuar çatitë që mbartin edhe rrezikun më të madh pasi janë ndërtuar me lëndë druri të vjetër.
Shtëpia e djegur Musine Kokalari në qendrën historike
Linjat elektrike në pjesën dërrmuese të objekteve historike janë thuajse të amortizuara dhe bëhen shkak për shkëndija elektrike që çojnë në zjarre. Gjirokastra ka gjithashtu specifikën e rrugëve të kalldrëmta dhe tepër të ngushta, çka e bën thuajse të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse. Ndërkohë afërsia mes banesave rrit mundësinë e shpërndarjes së zjarrit me shpejtësi nga një ndërtesë tek tjetra. Qyteti ka kufizime të furnizimit me ujë, veçanërisht gjatë muajve të verës, çka vështirëson ndërhyrjet e suksesshme për fikjen në kohë të zjarreve. Projekti i rehabilitimit të Pazarit Historik, i realizuar dy-tre vitet e fundit, parashikonte një sistem mbrojtjeje nga zjarri të vendosur paralel me sistemin e furnizimit me ujë nën trotuar. Hidrantët sipas projektit janë vendosur edhe në muret e ndërtesave në pazarin historik mbi 300-vjeçar.
Specialistët e monumenteve sugjerojnë si masë mbrojtëse plotësuese nga zjarri edhe shfrytëzimin e sterave të ujit që gjenden në shumë prej shtëpive historike, të cilat janë përdorur nga banorët vendas shumë kohë para vendosjes në përdorim të sistemit të ujësjellësit në qytet. Këto stera mund të grumbullojnë një sasi të madhe nga uji i shiut: nga 50-12 metër kub ujë, ose 15 herë me shumë se kapaciteti i një depozite të zjarrfikëseve, sipas një studimi të kryer nga “Organizata Trashëgimi kulturore pa kufij”.
Shërbimi Zjarrfikës i bashkive në shtatë vite shtoi mesatarisht më pak se 1 mjet për bashki
Sipas Ministrisë së Brendshme, Shërbimi Zjarrfikës i bashkive ka sot 150 automjete zjarrfikëse. Në 6 vitet e fundit, kur ky shërbim i ka kaluar në administrim pushtetit vendor, atij iu shtuan vetëm 45 automjete, që me një llogaritje të thjeshtë tregon se nga 61 bashkitë që ka vendi një pjesë e tyre nuk kanë arritur të marrin as të paktën një mjet të ri.
Ministria e Brendshme thotë se bashkitë, vitet e fundit kanë blerë rreth 30 automjete dhe rreth 15 automjete janë dhuruar nga shërbimet zjarrfikëse homologe. Në 61 bashkitë sipas Ministrisë së Brendshme janë instaluar 70 stacione zjarrfikëse, nga 38 që ishin në 2014, me 1250 punonjës. Ky numër u shtua gjatë periudhës së decentralizimit. Në vitin 2014 ky numër ishte 749 vetë.
Lexo edhe:
Emergjenca e zjarreve/ Zjarrëfikësit në “luftë” pa pajisje dhe makineri