Pretendimi: SHBA ndërpreu plotësisht ndihmën ushtarake për Ukrainën

Verdikti: Gjysëm e vërtetë

—————————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon lajmi se ShBA ka ndërprerë plotësisht ndihmat ushtarake për Ukrainën.

Ky lajm është pjesërisht i vërtetë.

Në fakt, më 2 korrik 2025, në një deklaratë të dërguar me email mediave amerikane, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Anna Kelly tha se Departamenti i Mbrojtjes i ShBA vendosi të ndalojë disa dërgesa në Ukrainë pasi një shqyrtim zbuloi se rezervat ushtarake amerikane ishin të ulëta.

Ndërprerja e dërgesave të armëve është pjesë e një “rishikimi të aftësive” për të “siguruar që ndihma ushtarake amerikane të jetë në përputhje me prioritetet tona të mbrojtjes”, tha në një konferencë për shtyp më 2 korrik zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell.

Pentagoni ka ndaluar dërgesat e sistemeve të mbrojtjes ajrore Patriot, raketat ajër-tokë Hellfire, raketat GMLRS të përdorura nga artileria raketore Himars, sistemet portative të mbrojtjes ajrore Stinger dhe predhat e artilerisë 155 mm të premtuara fillimisht nga administrata Biden.

Armët që duhej të dërgoheshin janë pjesë e ndihmës ushtarake dhe armëve me vlerë 66 miliardë dollarë të miratuar nga Kongresi nën administratën e Biden që nga shkurti i vitit 2022. Megjithëse nuk janë autorizuar shpenzime të reja nën administratën Trump, paketat e mëparshme të ndihmës ushtarake kanë vazhduar kryesisht, përveç një pauze të shkurtër në Mars.

Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, tha se “kjo nuk është një ndërprerje e ndihmës sonë për Ukrainën apo e furnizimit me armë. Kjo është një ngjarje dhe një situatë, dhe ne do të diskutojmë se çfarë tjetër do të dalë në të ardhmen”.

Pra, pretendimi se ShBA ka ndërprerë plotësisht dërgesat e armëve në Ukrainë nuk është tërësisht i vërtetë. Deri më tani, ShBA ka ndërprerë vetëm dërgesat e disa armëve.