.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit Perëndimor“Shanset që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë janë zero!”

“Shanset që Republika Srpska të bashkohet me Serbinë janë zero!”

Lajmi se në fillim të muajit maj mund të ndodhë një bashkim i Serbisë me Republikën Sprska – publikuar si analizë nga një media italiane – zuri vend gjerësisht në median shqiptare. Edhe pse kërcënimet e Milorad Dodik për shkeputje të Republikës Srpska nga Bosnje Hercegovina janë një narrativë e përsërtur, sipas ekspertëve shanset që ky bashkim të ndodhë në të ardhmen e afërt, janë zero.

Jona Plumbi

Alarmi: Vuçiç do shpallë Jugosllavinë e re në 5-6 Maj!

Ky ishte njoftimi “shqetësues” më i fundit i mediave shqiptare lidhur me zhvillimet në rajon. Lajmi i ka fillesat në një artikull të publikuar nga media Italiane për situatën në Ballkanin Perëndimor. Më pas ai u përhap gjerësisht në mediat shqipfolëse.

Media italiane: Vuçiç rrezik, do shpallë “Jugosllavinë” e re në muajin maj! – Top Channel

Media italiane: Vuçiç mund të shpallë “Jugosllavinë” e re në muajin maj! – 360 Gradë

Mediumi italian: Vuçiqi rrezik për Ballkanin, do shpallë “Jugosllavinë e Re” në muajin maj – Zëri

Mediet italiane: Vuçiqi mund ta shpallë Jugosllavinë e re më 5-6 maj – Epoka e Re

“Vuçiç do krijojë “Jugosllavinë e re””, gjenerali shqiptar tregon skenarët e frikshëm – Report TV

Mesazhet shqetësuese të Vuçiç, media italiane: Mund të shpallë Jugosllavinë e re më 5-6 maj! – Syri

Sipas këtyre lajmeve, rreziku është ai i shkeputjes së Republikës Srpska nga Bosnje Hercegovina dhe bashkimi i saj me Serbinë, që sipas tyre do të ndodhë në datat 5-6 Maj, kur Dodik ka paralajmëruar se do të japë një lajm të rëndësishëm për të gjithë serbët.

Por sipas ekspertëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në Serbi, kjo s’ka shanse të ndodhë.

“Mundësitë që Republika Srpska të shkëputet në të ardhmen e afërt nga Bosnje Hercegovina dhe të bashkohet me Serbinë janë zero.” – Ledion Krisafi, studiues

Krisafi shpjegon se nuk mjafton vetëm dëshira për t’u shkëputur një territor nga ai i një shteti, pasi duhet dhe njohja ndërkombëtare, të paktën nga shumica e shteteve të botës.

Me përjashtim të Rusisë, asnjë shtet tjetër nuk ka ndonjë marrëdhënie të veçantë me Republika Srpskan, rrjedhimisht nuk ka asnjë mbështetje për shkëputje përveç Rusisë dhe kjo deri më tani nuk ka pasur një qëndrim të qartë publik në mbështetje të shkëputjes.” – argumenton Krisafi.

Sipas tij, Vuçiç nuk do e mbështeste një vendim të tillë pasi në të kundërt do të përballej me sanksione të forta nga BE dhe SHBA, gjë që do të dëmtonte marrëdhënien me investitorin dhe një nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të Serbisë.

Nikola Petrovic, nga Fondacioni ISAC në Serbi jep një tjetër argument se përse ky skenar bashkimi s’ka gjasa të ndodhë.

Ka dy arsye madhore. E para dhe më e rëndësishmja është se Serbia është një nga firmëtaret e marrëveshjes së Dejtonit që vendosi ekzistencën e Bosnje Hercegovinës në formën që ka sot. Shkelja e kësaj marrëveshjeje do e vendoste edhe Serbinë edhe Republikën Srpska nën presion të jashtëzakonshëm nga komuniteti ndërkombëtar. Arsyeja e dytë është se një vendim i tillë do të anulohej nga Përfaqësuesi i Lartë i Bosnje Hercegovinës duke e bërë të pavlefshëm përpara ligjit dhe standardeve ndërkombëtare.” – Nicola Petroviç, ISAC Fund Serbia

Sipas tij, deklarata e Vuçiç për “ditë të vështira përpara dhe se Serbia do të luftojë dhe do të fitojë” e cituar në lajmin e medias italiane, duhet parë si një mënyrë e zakonshme e presidentit serb për të ngritur moralin kombëtar, veçanërisht përpara zgjedhjeve të reja në Beograd dhe komuna të tjera të Serbisë.

*mesazhi i Vuçiç i shpërndarë në lajmin e medias italiane

Narrativa të tilla për shkëputjen e Republikës Srpska dhe bashkimin e saj me Serbinë nuk janë të reja dhe janë shfaqur në mënyra të ndryshme më herët.

Studiuesi Ledion Krisafi, shpjegon se edhe pse Bosnje Hercegovina është një shtet që nuk funksionon në këtë format në të cilin është vendosur nga marrëveshja e Dejtonit në 1995-n, që e ka ndarë vendin praktikisht në dy pjesë, e vetmja mënyrë që ajo të shkëputet është duke ndryshuar këtë marrëveshje me miratimin e fuqive Perëndimore, gjë që nuk ka gjasa të ndodhë të paktën në të ardhmen e afërt.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img