Vaksinimi kundër Covid-19 nuk ka ndikuar në uljen e jetëgjatësisë në ShBA, siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale dhe portale. Ekspertë të shëndetit kanë argumentuar se ka qenë koronavirusi që ka shtuar sëmundjet e zemrës.
Lajme të publikuara në rrjete sociale pretendojnë se jetëgjatësia në SHBA po bie dhe shkak për këtë është bërë vaksinimi kundër Covid-19. Provë e ofruar për të mbështetur këtë pretendim është bërë një studim i publikuar nga një institute kërkimor prestigjioz amerikan.
Lajmi është publikuar edhe në Gazeta Impakt në 14 janar nën titullin “Jetëgjatësia në SHBA tani po bie pas vaksinimit kundër COVID-19”.
Artikulli i publikuar në portale
Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtyre pretendimeve, duke kërkuar fillimisht studimin të cilit i referohet portali në artikullin në fjalë. Nga një kërkim i bërë shihet se studimi i përket vitit 2022 dhe në të flitet për rrezikun nga infarkti i miokardit gjatë pandemisë. Të dhënat e këtij studimi treguan se rreziku i zhvillimit të sindromës së takikardisë ortostatike posturale, ose POTS, është pesë herë më i lartë pas COVID-19, sesa pas vaksinimit.
“Hulumtuesit nga Instituti i Zemrës Smidt në Cedars-Sinai vërtetuan lidhjen midis një gjendjeje dobësuese të zemrës dhe COVID-19 dhe në një masë më të vogël, një lidhje të re midis të njëjtës gjendje dhe vaksinimit nga COVID-19”, sqaron instituti.
Gjithashtu, një sërë studimesh të tjera të besueshme dëshmojnë se pandemia e COVID-19 ka pasur një ndikim të dëmshëm në sistemin e kujdesit shëndetësor. Më tej shtohet se ka pasur një rrezik të shtuar të vdekshmërinë nga infarkti akut i miokardit gjatë pandemisë COVID-19.
“Para pandemisë, shkalla e vdekshmërisë së lidhur me infarktin e miokardit u ul në të gjitha nëngrupet. Këto tendenca u përmbysën gjatë pandemisë, me rritje të konsiderueshme të vërejtura për femrat dhe meshkujt në moshë më të re edhe gjatë periudhës më të fundit të rritjes së prekjeve nga Omicron”-përcaktohet në rezultatet e studimeve.
Një shkrim i botuar në revistën “Journal of Medical Virology” thekson: “Nivelet e vdekjeve nga sulmi në zemër janë rritur për të gjitha grupmoshat gjatë pandemisë, më së shumti në mesin e individëve të moshës 25 deri në 44 vjeç, të cilët zakonisht nuk konsiderohen në rrezik të lartë për sulm në zemër.
“Rritja dramatike e sulmeve në zemër gjatë pandemisë ka përmbysur atë që ishte një përmirësim i qëndrueshëm gjatë dekadës së mëparshme në vdekjet kardiake,” tha Yee Hui Yeo, autori i parë i studimit të publikuar në këtë revistë.
Në vitin para pandemisë, kishte 143,787 vdekje nga sulmet në zemër në SHBA. Në vitin 2020, ky numër u rrit me 14% në 164,096. Deri në vitin 2021, shkalla e vdekjes nga sulmi në zemër ishte rritur me 29.9% për të rriturit e moshës 25 deri në 44 vjeç, me 19.6% për të rriturit e moshës 45 deri në 64 vjeç dhe me 13.7% për të rriturit e moshës 65 vjeç e lart.
Rënia e jetëgjatësisë në ShBA
Jetëgjatësia në SHBA ka rënë në 76.4 vjet, më e shkurtra që ka qenë në gati dy dekada, sipas të dhënave të dhjetorit nga CDC. Dy ekspertë nga “Harvard T.H. Chan School of Public Health”, Dean Michelle Williams dhe Asaf Bitton i Ariadne Labs ngritën shqetësimin në lidhje me këtë çështje, duke treguar edhe arsyet.
“Numrat janë tronditës,” tha Williams, duke vënë në dukje se të rinjtë në Amerikë po vdesin me ritme më të larta sesa homologët e tyre në vendet e tjera me të ardhura të larta dhe se SHBA-ja gjithashtu ka ndër normat më të larta të vdekshmërisë së nënave dhe foshnjave në mesin e vendeve me të ardhura të larta.
Të dy ekspertët Williams dhe Bitton thanë se shumica e problemit buron nga mënyra se si është strukturuar sistemi i kujdesit shëndetësor në SHBA.
“Ne kemi një sistem të mrekullueshëm të kujdesit për njerëzit shumë të sëmurë, por një sistem shumë të pamjaftueshëm të kujdesit shëndetësor për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve”- tha Bitton.
Ai vuri në dukje se qasja e njerëzve në kujdesin shëndetësor varet nga faktorë të tillë si nëse ata kanë sigurim shëndetësor, ku jetojnë, ose raca ose përkatësia e tyre etnike.