Pretendimi: Në dhjetor të vitit 2024 në Guatemalë u gjet një varr masiv me 200 fëmijë të përdhunuar dhe sakrifikuar në rite fetare nga sekti izraelit Lev Tahor.
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Arrestimi i Yoel Alter, një nga anëtarët e lartë të sektit hebre Lev Tahor në Guatemala është raportuar në rrjete sociale shqipfolëse, nganjëherë shoqëruar me pretendimin se “në dhjetor të vitit 2024 në Guatemalë u gjet një varr masiv me 200 fëmijë të përdhunuar dhe sakrifikuar në rite fetare.” Akuza të tilla ngjallin natyrshëm urrejtje ndaj një komuniteti të tërë dhe janë shoqëruar në rrjet me gjuhë urrejtjeje antisemitike.
Në të vërtetë, Reuters raporton se “autoritetet e Guatemalës shpëtuan 160 fëmijë dhe adoleshentë nga sekti fondamentalist hebre Lev Tahor në Guatemalën juglindore të premten [20 dhjetor 2024] pas akuzave për abuzim të fëmijëve, përfshirë përdhunimin, thanë prokurorët.“
Sipas BBC, ngjarjet filluan kur policia bastisi fermën e sektit në Oratorio, në jug-lindje të qytetit të Guatemalës, më 20 dhjetor, duke marrë nën kujdes fëmijët.
“Bazuar në deklaratat e ankuesve, provat e marra dhe ekzaminimet mjekësore, u arrit të konstatohej se ka forma të trafikimit të qenieve njerëzore kundër këtyre të miturve, të tilla si martesa e detyruar, abuzimi dhe krimet e lidhura me to,” tha në një konferencë për shtyp Nancy Paiz, një prokurore në Prokurorinë e Guatemalës Kundër Trafikimit të Njerëzve.
Por dy ditë më vonë, më 22 dhjetor, rreth 100 nga të afërmit e fëmijëve – të gjithë anëtarë të sektit – u mblodhën jashtë qendrës ku ato po mbaheshin për të bërë thirrje për kthimin e tyre. Disa anëtarë të sektit më pas hapën me forcë portën dhe u përpoqën të rrëmbenin fëmijët dhe adoleshentët e strehuar atje, tha Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm.
Fëmijët u kapën nga autoritetet dhe u futën në një minibus të bardhë, raportojnë mediat lokale. Me ndihmën e policisë, qendra “arriti të lokalizojë dhe mbrojë të gjithë përsëri”, shtoi Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm. Zyrtarët ishin përpjekur më parë të kontrollonin mirëqenien e fëmijëve, por u penguan të hynin në fermë nga anëtarët e sektit.
Komuniteti Lev Tahor, i themeluar në vitin 1988 në Izrael, praktikon një formë të ashpër të judaizmit me interpretime të ligjit hebre që përfshin seanca të gjata lutjesh dhe martesa me shkuesi. Sekti mbron martesën e fëmijëve, jep dënime të ashpra edhe për shkelje të vogla dhe kërkon që gratë dhe vajzat nga tre vjeç të mbulohen plotësisht. Lev Tahor është përballur me akuza të shumta për rrëmbim, martesë të fëmijëve dhe abuzim fizik që kur u themelua.
Komuniteti u vendos në Meksikë dhe Guatemala midis 2014 dhe 2017. Në vitin 2022, një operacion i policisë meksikane në shtetin jugor meksikan Chiapa në kufirin e Guatemalës shpëtoi një grup fëmijësh dhe adoleshentësh nga një kamp Lev Tahor, anëtarët e të cilit u arrestuan me dyshimin se kishin marrë pjesë në abuzime me të mitur por më vonë u liruan për mungesë provash.
Komuniteti Hebre i Guatemalës në një deklaratë tha se sekti ishte i huaj për organizatën e tij dhe shprehu mbështetjen e tij për autoritetet e Guatemalës në kryerjen e hetimeve të nevojshme “për të mbrojtur jetën dhe integritetin e të miturve dhe grupeve të tjera të cenueshme që mund të jenë në rrezik”.
Megjithatë, në asnjë nga raportimet vendase dhe ndërkombëtare mbi akuzat ndaj sektit Lev Tahor nuk përmendin ndonjë varr masiv ku janë gjetur fëmijë të përdhunuar dhe të vrarë si sakrifica.
Nëse diçka e tillë do të ishte gjetur vërtet nga autoritetet guatemalase gjatë bastisjes së fermës së Lev Tahor, akuzat e ngritura kundër sektit nga prokurorët vendas, veç trafikimit seksual të fëmijëve, do të pëfshinin edhe vrasjen dhe akuza të lidhura me të. Asnjë akuzë e tillë nuk është bërë publike.
Anëtarët e Lev Tahor janë përballur me akuza në Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera, duke çuar shpesh në zhvendosjen e sektit.
Në vitin 2013, autoritetet kanadeze akuzuan anëtarët e Lev Tahor për neglizhencë dhe abuzim të fëmijëve. Në vitin 2022, autoritetet meksikane arrestuan një udhëheqës të sektit pranë kufirit të Guatemalës dhe larguan disa gra dhe fëmijë nga kompleksi. Në vitin 2021, dy drejtues të grupit u dënuan për rrëmbim dhe shfrytëzim seksual të fëmijëve në New York. Ata dyshohet se rrëmbyen dy fëmijë nga nëna e tyre për të kthyer një vajzë adoleshente në një “marrëdhënie seksuale” të paligjshme me një mashkull të rritur. Në qershor 2024, tre anëtarë të vjetër të Lev Tahor, vëllezërit Weingarten, u dënuan me 12 vjet burg nga një gjykatë federale e New York për rrëmbim dhe trafik seksual.