Pretendimi: Arnold Schwarzenegger kritikon Donald Trump pas samitit në Alaskë me Putin
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Sipas një lajmi që po qarkullon në rrjetet sociale dhe portalet shqiptare, aktori i njohur amerikan Arnold Schwarzenegger ka kritikuar presidentin Trump pas takimit të këtij të fundit me presidentin rus Vladimir Putin në Alaskë me datë 15 gusht. Videoja vetë është e vërtetë, por ajo nuk është publikuar nga Schwarzenegger në gusht 2025, por në 17 korrik 2018, gjatë mandatit të parë presidencial të Trump.

Sipas postimeve në shqip, pak ditë pas takimit të Putin me Trump për të diskutuar luftën në Ukrainë, Schwarzenegger regjistroi këtë video ku e akuzon Trumpin se ishte sjellë tepër butë ndaj Putin dhe dukej sikur po bëhej gati t’i kërkonte autografin. Kjo i përputhet narrativave të ngjashme që qarkulluan pas takimit midis të dy udhëheqësve, ku Trump u akuzua nga media dhe analistët politikë se kishte dalë i humbur nga takimi me kryetarin e shtetit rus.
Megjithatë, duke verifikuar mediat sociale të Schwarzenegger dallohet që videoja nuk është bërë sivjet, por më 17 korrik 2018, një ditë pasi Trumpi takoi Putinin për një samit në Helsinki gjatë mandatit të parë të Trumpit.

Fotografi nga video 17 korrik 2018
Përgjatë këtij takimi në vitin 2018, Trump u shpreh kundër inteligjencës sekrete amerikane që kishin arritur në përfundimin se Rusia kishtë ndërhyrë në zgjedhjet elektorale të vitit 2016 përmes përdorimit të “bots” dhe strategjive të tjera kibernetike për të favorizuar pikërisht Trumpin dhe partinë republikane. Fjalimi i Trump solli reagime dhe kritika të shumta, duke përfshirë dhe videon e Schwarzenegger, e cila është rishfaqur në rrjet pa shpjegimin e duhur duke nxitur keqinterpretime pas takimit të dytë mes dy liderve, kësaj rradhe mbi luftën në Ukrainë.