Sauditët nuk ndaluan fotot për pelegrinët gjatë Haxhit 2026

11

Pretendimi: Arabia Saudite ka ndaluar zyrtarisht të gjitha fotografitë dhe videot në Qabe për sezonin e Haxhit 2026

Verdikti: E pakonfirmuar

———————————————————-

Në fillim të dhjetorit 2025, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, qarkulloi lajmi se Arabia Saudite kishte ndaluar zyrtarisht kryerjen e fotove dhe videove brenda xhamive të shenjta në Mekë gjatë pelegrinazhit të Haxhit 2026.

Postimet pretendojnë se Ministria saudite e Haxhit dhe Umres kishte ndaluar të gjitha fotografitë dhe videografinë, përfshi ato me telefona celularë brenda vendeve të shenjta gjatë gjithë sezonit të pelegrinazhit. Për miliona besimtarë musliman që do të marrin pjesë në këtë udhëtim unik në jetën e tyre në vendin e shenjtë ky lajm mund të jetë pritur me shqetësim. 

Megjithatë, një kërkim në kanalet zyrtare saudite nuk gjeti asnjë njoftim të tillë. Agjencia Saudite e Shtypit (SPA), Ministria e Haxhit dhe Umres dhe Autoriteti i Përgjithshëm për Kujdesin e Dy Xhamive të Shenjta nuk kanë lëshuar asnjë qarkore apo direktivë që tregon ndonjë ndryshim në rregullat e fotografisë për vitin 2026.

Fotografimi brenda Dy Xhamive të Shenjta udhëhiqet nga një etiketë e vjetër që i nxit besimtarët të veprojnë me respekt, të shmangin bllokimin e shtigjeve dhe të sigurohen që veprimet e tyre të mos i shqetësojnë të tjerët që po luten. Këto udhëzime janë praktikë standarde dhe mbeten të pandryshuara për Haxhin 2026.

Zyrtarët vazhdojnë të lejojnë fotografimin për sa kohë që nuk kompromenton sigurinë, nuk prish lëvizjen ose nuk cenon privatësinë e besimtarëve.

Qershor 2025, Arabia Saudite njoftoi ndryshime drastike për pelegrinazhin e Haxhit 2025 duke përfshirë rregulla të reja që ndalonin fëmijët të shoqërojnë pelegrinët dhe duke u dhënë përparësi pelegrinëve që udhëtonin për herë të parë.

Shënim: Data 4 shkurt 2025 faqja Gazeta e Re e ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.