.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingSa u përmbush zotimi i Ahmetajt se në pranverën e 2022 nuk do kishte asnjë gjurmë nga tërmeti?

Sa u përmbush zotimi i Ahmetajt se në pranverën e 2022 nuk do kishte asnjë gjurmë nga tërmeti?

Ina Allkanjari

Në Prill të këtij viti, nuk do të kishte më shenja nga tërmeti i nëntorit 2019, sipas një premtimi të ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj. Verifikimi në terren i Faktoje në dy prej zonave më të goditura në Durrës dhe Kombinat në Tiranë, tregon se shumë ngrehina të dëmtuara dhe pa asnjë masë sigurie, mbahen në këmbë, si provë e gjallë e asaj cfarë ndodhi në 26 nëntor. Instituconet përgjegjëse lanë pa përgjigje pyetjet e Faktoje në lidhje me afatet e rindërtimit, që po shkelen njëri pas tjetrit.

——————————-

“Premtimi jonë i bazuar në procese konkrete, është që në pranverën e vitit 2022, diku në prill, nuk do ketë më asnjë shenjë nga tërmeti i 2019.”- u zotua Ministri i Rindërtimit Ahmetaj thuasje një vit më parë gjatë një interviste në Report TV.

Kjo deklarata u pasua nga disa të tjera, të cilat shtynin gjithmonë e më shumë afatatet e procesit të rindërtimit, sa më shumë afroheshin afatet e premtuara.

Në 20 prill të këtij viti, ministri Ahmetaj teksa ndau me mediat vendimet e qeverisë në kuadër të afateve për procesin e rindërtimit deklaroi:

“Përveç disa institucioneve publike dhe zonës së Kombinatit, pjesa më e madhe e rindërtimit, kryesisht të banesave individuale dhe pallateve e shkollave mbaron në vjeshtë të këtij viti. Do të vazhdojmë përtej vjeshtës me kombinatin që është në proces, por edhe për shkak të pandemisë dhe të shpronësimeve ka pasur edhe një përparësi momentale shumë intensive, por gjithsesi nuk ka ecur me ritmin e sajteve të tjera.”

Por çfarë ndodhi me premtimin se nuk do të ketë më asnjë shenjë nga tërmeti i nëntorit 2019. Sipas këtij zotimi, pavarësisht zvarritjes së ringritjes së banesave të reja, pritshmëritë ishin të paktën që pranverën e këtij viti të mos kishte ngrehina të dëmtuara nga tërmeti, të cilat në varësi të dëmeve ose duhej të ishin shembur, ose të ishin rikonstruktuar.

Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Rindërtimit, ku ndër të tjera kërkuam të dhëna mbi ecurinë e rindërtimit në bashkitë e prekura nga tërmeti i vitit 2019.

Screenshot, kërkesa për informacion drejtuar Ministrisë së Rindërtimit datë 29.04.2022

Deri në publikimin e këtij artikulli, ende nuk kemi marrë përgjigje.

Faktoje iu drejtua me kërkesë për informacion edhe njësive zbatuese të procesit të rindërtimit, konkretisht Fondit Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkisë Tiranë, por ende nuk kemi marrë përgjigje.

Në datën 28 Prill Faktoje bëri një verifikim në Durrës, për të parë nëse kishte ende gjurmë nga tërmeti i 2019-s.

Përgjatë rrugës drejt zonës së plazhit në Durrës, shihen ende pallate me dëme të mëdha, por që as nuk janë rrethuar për t’u shembur dhe as kanë ndonjë shenjë që do të rikonstruktohen.

Pallat në zonën e plazhit në Durrës i dëmtuar nga tërmeti, foto datë 28.04.2022

Artani një prej banorëve të kësaj zone tregon se procesi i rindërtimit duket sikur është pezulluar, për rreth dy vite nuk kanë asnjë informacion se çfarë do të ndodhë me disa prej pallateve të dëmtuara.

“Kur ra tërmeti erdhën ekspertë dhe panë nivelin e dëmeve, por u bë dy viteve që ndonëse banorët kanë dalë nga apartamentet, nuk është vënë dorë për ta rregulluar pallatin. As për të shembur, as për ta rikonstruktuar, është po njësoj me dëmet që mori prej tërmetit. Ne kemi shumë dyshime që këto pallate do mbarojnë së shpejti,”- tregon Artani.

Pallat në zonën e plazhit në Durrës i dëmtuar nga tërmeti, foto datë 28.04.2022

Pallat në zonën e plazhit në Durrës i dëmtuar nga tërmeti, foto datë 28.04.2022

Pallat në zonën e plazhit në Durrës i dëmtuar nga tërmeti, foto datë 28.04.2022

Disa prej pallateve ndonëse duken të braktisura nga banorët për shkak të dëmeve që kanë pësuar, vijojnë të kenë të afishuar njoftimin ‘Shiten apartamente’.

Pallat në zonën e plazhit në Durrës i dëmtuar nga tërmeti, foto datë 28.04.2022

Pas verifikimit të realizuar në zonën e plazhit në Durrës, ne shkuam në zonën e Kombinatit në kryeqytet, për të cilin ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj konfirmoi shtyrje të afatit të rindërtimit përtej vjeshtës së këtij viti.

Banorët të zonës treguan për Faktoje se 2 vite e gjysmë pas tërmetit, ende disa prej pallateve të dëmtuara në nivelin DS5 nuk janë shembur.

“Ky ishte pallati i parë që u përcaktua për shembje pas tërmetit pasi pati shumë dëmtime. Të gjithë banorët e këtij pallati dolën menjëherë nga apartamentet dhe ende jetojnë me qera. Ndërkohë ky pallat siç e shikoni nuk është shembur. Pallati është kthyer në burim infeksioni dhe duhet patjetër të jepet një zgjidhje sa më shpejt”- tregon për Faktoje Mehmeti një prej banorëve të kombinatit.

Foto pallati numër 174 në zonën e Kombinatit, datë 04.05.2022

Erdi, një tjetër banor i zonës së kombinatit i cili disponon apartament në një prej pallateve të përcaktuara për shembje tregon se një pjesë e banorëve janë larguar, ndërsa një pjesë tjetër kanë refuuar të largohen nga apartamentet e tyre.

“Një pjesë e banorëve kanë dalë pasi erdhi lajmërimi që pallati 168/2 është për shembje. Unë personalisht nuk kam lëvizur dhe nuk jam dakord që të shembet pasi dëmtimi i këtij pallati nuk është në nivelin DS5. Për më tepër ne nuk kemi asnjë njoftim dhe asnjë lloj dokumenti se çfarë do të ndodhë në vazhdimësi dhe ku do jepen apartamentet nëse ky pallat shembet. Akt ekspertiza e parë për këtë pallat ishte DS3, më pas në akt ekspertizën e dytë e nxorrën DS5”- tregon për Faktoje Erdi.

Foto pallati numër 168/2 në zonën e Kombinatit, datë 04.05.2022

Foto pallat në zonën e Kombinatit, datë 04.05.2022

Foto nga vendi ku janë shembur pallatet në Kombinat

Transparenca e munguar mbi ecurinë e procesit të rindërtimit

Transparenca dhe llogaridhënia ishte një prej pikave të programit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit 2019. Portali unik qeveritar rindertimi.gov.al, u krijua pikërisht për të unifikuar informacionin dhe për ta përcjellë atë me transparencë për publikun.

Faktoje evidentoi se portali ka mungesë të botimeve të raporteve periodike për ecurinë e punës në lidhje me zbatimin e programeve të rindërtimit.

Screenshot, portali unik qeveritar datë 06.05.2022

Screenshot, portali unik qeveritar në 22.07.2020 informimi i fundit për ecurinë e procesit të rindërtimit

Faktoje raportoi në 18 nëntor 2021 mbi transparencën e munguar të portalit unik qeveritar edhe pse në një deklaratë të muajit shkurt 2020 ministri Ahmetaj zotohej për garantimin e transparencës mbi procesin e rindërtimit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img