.

.

BallinaPertejSa i ndotur është ajri në Tiranë?

Sa i ndotur është ajri në Tiranë?

MERXHAN DACI

Disa ditë më parë Tiranën e mbuloi smogu, fluturimet u pezulluan dhe njerëzit raportuan për ndotje të madhe ajri. Në rrjetet sociale qarkulluan imazhe të dy aplikacioneve që raportonin për një ndotje alarmante të ajrit në Tiranë. Autoritetet nuk reaguan dhe ky problem kaloi në heshtje, megjithatë pyetja që ngritën njerëzit ishte: A janë të besueshme këto aplikacione, është vërtet kaq e ndotur Tirana? Po qeveria çfarë të dhënash disponon për ndotjen e ajrit?

——————————————————————————————————————-

Në mesin e muajit janar, aplikacionet AirCare dhe IQAirVisual raportonin se ajri në Tiranë ishte “SHUMË I PASHËNDETSHËM” dhe “cilësia e ajrit është shumë e dobët”.

AirCare

IQAir Visual

“Faktoje” kontaktoi me Gorjan Jovanovski, inxhinier softueresh, përgjegjës për aplikacionin AirCare dhe aktivist i mjedisit nga Maqedonia e Veriut. Ai tha se Shqipëria është shumë e vështirë për t’u mbuluar nga AirCare për shkak të mungesës së stacioneve të vendosura nga qeveria.

Stacioni i vetëm nga kemi informacion në Tiranë është një matje vullnetare nga rrjeti Luftaden. Ky stacion është ngritur nga vullnetarë dhe të dhënat janë më pak të sakta se pajisjet e shtrenjta që mund të përdorë qeveria” thotë Jovanovski.

Ai shtoi se në Maqedonia, ndryshe nga Shqipëria ka shumë prej këtyre pajisjeve, dhe se sipas tij ato janë goxha të sinkronizuara me të dhënat nga stacionet e qeverisë.  

Të pasurit disa stacione në Shqipëri do të krijonte vërtet një panoramë më të mirë të ndotjes”, tha ai për “Faktoje”. 

Edhe Agron Deliu, ekspert i mjedisit thotë se matjet alternative jo shtetërore duhen marrë me rezervë.

Aplikacionet janë përpjekje amatore për të sjellë të dhëna, kur institucionet shtetërore janë të pafuqishme praktikisht, për t’ju përgjigjur kërkesave teknike rigoroze që ka monitorimi i ajrit në vendet e BE”, tha Deliu për “Faktoje”.

Shteti shqiptar nuk mat ndotjen e ajrit

Ndotja e ajrit në Tiranë vjen kryesisht nga transporti rrugor, sipas ekspertëve.

“Faktoje” pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe Agjencinë Kombëtare të Mjedisit nëse bëjnë matje të cilësisë së ajrit dhe përgjigja që mori ishte se monitorimi i cilësisë së ajrit në Tiranë është realizuar në vite dhe se që nga viti 2009 është realizuar me stacion automatik (të lëvizshëm).

Kur “Faktoje” ripyeti AKM-në për detaje dhe nëse mund të njihet me rezultatet e matjeve, mori një përgjigje evazive.  

Në raportin e vitit 2018 për mjedisin, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka raportuar për të gjithë komponentët e tjerë, por mungojnë shpjegimet për ajrin. Seksioni i ajrit është pothuajse bosh. AKM në këtë raport shkruan se “Monitorimi i cilësisë së ajrit urban për vitin 2018 me stacionet automatik nuk është realizuar për shkak të pamundësive për të kryer kualidimin e aparaturave”.

Në Shqipëri ekziston një ligj për mbrojtjen e mjedisit. Ligji 162/2014, “Për mbrojtjen e Cilësisë së Ajrit në Mjedis”. Sipas ligjit, përveçse qeveria duhet të bëjë matje, ajo duhet edhe të informojë qytetarët.

Po ashtu, qeveria është zotuar se e ka përparësi një mjedis pa rrezik për shëndetin e qytetarëve.

Po në vitin 2014 është miratuar edhe Strategjia Kombëtare për Cilësinë e Ajrit në Mjedis.

Strategjia konfirmon se deri në në atë vit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka bërë matje sipas standardit të Bashkimit Europian dhe si rrjedhojë të dhënat nuk mund të merren të mirëqena.

Këtë problem konstaton edhe sot eksperti Agron Deliu.

Nga 2011-2013 matjet ne Tiranë janë kryer në mënyrë të vazhdueshme me dy stacione automatikë të kalibruar, pranë Poliklinikes Qendrore te rruga Q.Stafa dhe në oborrin e pasëm të ISHP. Ato janë të vetmet matje të sakta dhe statistikisht të besueshme, të kryera deri tani në Tiranë. Pas vitit 2013 këto stacione kaluan në administrim të AKM, dhe as nuk u kalibruan sipas kërkesave teknike të vendeve të BE, as nuk punuan pandërprerje 365 dite/vit si kërkohet nga legjislacioni europian. Kjo për mungesë kronike fondesh”, -tregon Deliu.

“Mushkëri të Gjelbra” në Tiranë?

Greenlungs”, projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian, ka 1 vit e gjysmë që mat cilësinë e ajrit në Tiranë.

Kjo mënyrë alternative mat tetë komponentë për cilësinë e ajrit ku ka rezultuar se në rrugën e Elbasanit parametrat e dikosidit të azotit janë 10 herë më të larta se norma e lejuar 0,04 mg/m3 nga BE. Shqetësuese janë po ashtu vlerat e marra brenda lagjeve në këtë zonë, të cilat janë 3-4 herë më të larta se norma e lejuar. 

Foto nga matjet e Greenlungs

Harta e mëposhtme tregon matjet e përditësuara për praninë e dikosidit të azotit NO2 (i formuar nga emetimet e automjeteteve motorike, industria etj). Rezultatet tregojnë për norma të tejkaluara.

Edhe aplikacioni “Tirana Ime” i Bashkisë së Tiranës jep të dhëna për cilësinë e ajrit. Megjithatë, nga 4 stacione të vendosura, të dhënat për parametrat e cilësisë së ajrit janë brenda normave, me përjashtim të stacionit tek rruga e “Elbasanit”, ku kemi norma të larta të ozonit. Vlera mbi normë gjithashtu janë regjistruar për PM2.5 dhe PM10 tek kryqëzimi i “21 Dhjetorit”.

Applikacioni Tirana Ime

Arion Sauku, menaxher projekti që punon me “Greenlungs” tha për “Faktoje” se në disa raste, rezultatet e tyre janë të ndryshme nga ato të aplikacionit të vendosur nga bashkia.

Bëmë matjet te Rruga e Elbasanit dhe ndotja nga NO2-shi doli 10 herë mbi normën, atë ditë aplikacioni i Bashkisë Tiranë e kishte në normë”.

Ekspertët e “Greenlungs”, Arion Sauku dhe Nertil Lugji thanë për “Faktoje” se Tirana në përgjithësi ka ajër të ndotur, por se i marrin në konsideratë edhe rezervat që autoritetet kanë treguar ndaj matjeve të tyre alternative.

Për sa kohë shteti shqiptar nuk ka matjet e veta, matjet alternative mbeten e vetmja mënyrë për të konfirmuar ndotjen në kryeqytet.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img