Pretendimi: Presidenti rus Vladimir Putin ka miratuar një ligj sipas së cilit çdo rus që kultivon apo shet ushqime të modifikuara gjenetikisht do konsiderohet terrorist.

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, tregon një grua që pretendon se presidenti rus Vladimir Putin ka miratuar një ligj sipas së cilit çdo rus që kultivon apo shet ushqime të modifikuara gjenetikisht (OMGj) do konsiderohet terrorist.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se gruaja në video është Barbara O’Neill, një naturopate famëkeqe australiane.

Në vitin 2019, O’Neill u ndalua për jetë të ofronte këshilla ose shërbime shëndetësore në Australi, pasi përhapi histori të rreme të rrezikshme për qëllime fitimi. Sipas vendimit, O’Neill ishte një mjeke e paregjistruar pa kualifikimet, diplomat ose anëtarësimin e duhur në ndonjë organizatë të akredituar shëndetësore. U zbulua se ajo ofronte shërbime naturopatie, të të ushqyerit dhe edukimi shëndetësor përtej trajnimit dhe ekspertizës së saj, duke paraqitur një rrezik për shëndetin dhe sigurinë publike për shkak të pretendimeve të saj të dyshimta dhe të rrezikshme.

Përsa i përket legjislacionit rus, në vitin 2016, qeveria ruse miratoi një ligj që ndalonte ushqimet e prodhuara duke përdorur modifikimin gjenetik të bimëve ose kafshëve.

Ligji ndalon në mënyrë specifike përdorimin e farave të nxjerra përmes modifikimit gjenetik, edhe kur këto fara nuk mund të riprodhojnë ose transferojnë materialin e tyre gjenetik të trashëguar, dhe ndalon mbarështimin e kafshëve që i janë nënshtruar inxhinierisë gjenetike.

Megjithatë, ligji ende lejon kërkime në inxhinierinë gjenetike dhe importimin e disa ushqimeve të modifikuara gjenetikisht, si soja. Në vitin 2019, Rusia gjithashtu nisi një fushatë federale për të zhvilluar varietete të reja të kulturave dhe kafshëve të modifikuara gjenetikisht.

Ligji rus përcakton dënime me burg për njerëzit që konsiderohen terroristë. Por, sipas provave dhe raportimeve në dispozicion, dënimi për individët ose kompanitë që shkelin ligjin e OMGj do të ishte një gjobë prej “10,000-50,000 rubla për individët dhe 100,000-500,000 rubla për personat juridikë.”

Bimët ose kafshët që u është ndryshuar materiali gjenetik quhen organizma të modifikuar gjenetikisht. 

Organizmat e modifikuar gjenetikisht nuk janë asgjë e re.

“Që kur njerëzit kanë rritur bimë dhe kafshë për ushqim, ata kanë zgjedhur bimë dhe kafshë me tipare të dobishme për mbarështim të mëtejshëm”, thotë Autoriteti Europian i Sigurisë Ushqimore (EFSA). Shembuj të kësaj përfshijnë përzgjedhjen e kulturave që kishin rendimentin më të lartë ose ishin më rezistente ndaj sëmundjeve, duke përfituar nga ndryshimet gjenetike që ndodhin natyrshëm midis kulturave.

Me teknologjinë moderne tani është e mundur që këto ndryshime gjenetike të krijohen në laboratorë. Kjo bëhet për të futur tipare që janë të dëshirueshme për njerëzit që kultivojnë kultura ose mbarështojnë kafshë.

Modifikimi gjenetik, ose inxhinieria gjenetike, përdoret në të gjithë botën për qëllime të rëndësishme përtej rritjes së rendimenteve dhe uljes së sëmundjeve. Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) thekson se inxhinieria gjenetike është përdorur për t’i bërë ushqimet bazë më ushqyese, si dhe për të krijuar insulinë njerëzore dhe në një sërë aplikimesh të tjera mjekësore.

Organizatat e besueshme shëndetësore nuk kanë gjetur ndonjë problem sigurie në ushqimet e modifikuara gjenetikisht të disponueshme për publikun.