Pretendimi: Evropa dhe NATO po na detyrojnë të flemë me antiplumb në bunkerë
Verdikti: Mungon konteksti
Rreshtimi pro-Ukrainës në përballjen e saj me pushtimin rus është një nga narrativat kryesore që po qarkullon në rrjet gjatë fushatës për zgjedhjet në Parlamentin Evropian. Ajo fokusohet tek pasojat ekonomike dhe rritja e tensionit për sigurinë në Evropë në rast të një përballjeje me Rusinë.
Pjesë e kësaj retorike është dhe postimi i një përdoruesi shqipfolës i Facebook, i cili nënvizon se “Evropa dhe NATO po përgatiten seriozisht për luftë me Rusinë dhe shumë shpejt të gjithë ju do të visheni me antiplumb dhe kaloni natën nëpër bunkerë”.
Postimi për militarizimin e Evropës si pasojë e mbështetjes ndaj Ukrainës
Postime të tjera ndajnë gjithashtu lajmet për planet e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe për të nxitur shërbimin ushtarak për të rinjtë e tyre.
Sigurisht, komentuesit që mbështesin këtë narrativë, përmendin vetëm pasojat duke anashkaluar arsyen e këtij rikthimi të Evropës në strategjitë e përgatitjes ushtarake: kërcënimin rus dhe ambicjet e Putin për të rikthyer madhështinë e dikurshme të Bashkimit Sovjetik.
Përsa i takon planeve për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Gjermania e ka rihapur këtë diskutim në sfondin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe niveleve të ulëta të lindjeve.
Pas diskutimeve të gjata, partia kryesore opozitare e Gjermanisë, Unioni Kristian Demokrat (CDU) konservator, votoi më 7 maj 2024 për të vendosur kthimin gradual të shërbimit të detyrueshëm ushtarak në programin e saj. Kjo do të thotë se nëse CDU kthehet në pushtet, ajo do të përpiqet të prezantojë legjislacionin që e bën të detyrueshëm për të rinjtë që të shërbejnë ose në ushtri ose në sektorin social për një vit. Gjermania kishte një sistem të tillë, por e hoqi atë në 2011.
Në Britaninë e Madhe, e cila ndodhet gjithashtu përpara zgjedhjeve parlamentare, janë zbuluar planet e konservatorëve, partisë së kryeministrit aktual Rishi Sunak, për të propozuar një shërbim të detyrueshëm kombëtar ku të rinjtë të angazhohen në përgatitje ushtarake ose punë publike, duke nxitur disiplinën dhe përgatitjen e tyre profesionale për të ardhmen.
Anëtarët e Bashkimit Evropian që kanë rikthyer shërbimin ushtarak pas agresionit rus në Krime në vitit 2014 janë Suedia, Letonia, Litunia. Dy vendet e tjera kufitare me Rusinë, Estonia dhe Finlanda – nuk e kanë hequr asnjëherë këtë detyrim. E njëjta strategji është ndjekur edhe nga Austria, Danimarka dhe Greqia, por të rinjtë zgjedhin kryesisht të angazhohen në shërbim civil dhe punë në komunitet.
Bashkimi Evropian ka rritur gjithashtu shpenzimet për armatimet ushtarake si pjesë e rritjes së aftësive mbrojtëse ndaj kërcënimeve të reja nga Rusia. Pas nisjes së sulmit ndaj Ukrainës, të gjitha vendet evropiane e kanë kuptuar oreksi i Putin nuk ndalet vetëm me diplomaci.