Rrugët e brendshme në Sarandë dhe Ksamil ende me probleme

Rrugët e brendshme të Sarandës, në disa lagje, janë të asfaltuara, ndonëse më në thellësi të qytetit ka ende problematika.

29

Sebi Alla Në fundin e muajit prill të këtij viti, kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi, shprehu bindjen se deri në maj (kur u mbajtën edhe zgjedhjet parlamentare) rrugët e brendshme në Sarandë dhe Ksamil do të përfundonin, për t’i shërbyer në vijim sezonit turistik.

“Fundi i majit nuk kap asnjë investim në të gjithë rrugët e Sarandës dhe Ksamilit të pambaruar. Në momentin që do të fillojë zyrtarisht sezoni turistik, punët publike do jenë mbaruar”, tha Çaçi në një nga mbledhjet e Këshillit Bashkiak.  

Faktoje vërejti në terren (në fillim të muajit shtator) se në qytetin e Sarandës rrugët e brendshme në disa lagje janë të asfaltuara, ndonëse më në thellësi të qytetit ka ende problematika.

Disa rrugica që të çojnë në lagjet periferike, në veripërëndim të Sarandës kanë probleme me infrastrukturën rrugore.

Prej vitesh janë rrugë të hapura kryesisht nga vetë banorët dhe të shtruara me çakull. Në këto zona dora e pushtetit lokal nuk është ndjerë. Megjithatë, në pjesën urbane të ngjeshur asfalti është ende i feskët, ndërsa problem mbeten trotuarët e ngushtë, kjo edhe për shkak të dendësisë së ndërtimeve dhe pamundësisë së zgjerimit.  

Faktoje.al iu drejtua Bashkisë Sarandë me një kërkesë për informacion në lidhje me infrastrukturën rrugore dhe premtimet, por deri në botimin e këtij shkrimi nuk pati reagim nga ana e tyre.

Ksamili “përgjysmë”

Ndryshe është situata në Ksamil, një zonë e rrahur nga shumë turistë. Në hyrje të qytezës së vogël përqark qendrës së saj rrugët janë të asfaltuara, por gjithçka ndryshon në brendësi, ku prej vitesh infrastruktura është problem serioz.

Rrugë të pa-asfaltuara, mungesë parkimesh dhe ndërtime të ngjeshura. “Qendra është mirë, këtë vit e sistemuan, por në brendësi të lagjeve është problem i madh. Po na prishen automjetet dhe shpesh përgjatë sezonit turistik shumë rrugë të brendshme bllokohen”, thotë një banor i Ksamilit për Faktoje.al.

Përfundimi

Ndonëse disa rrugë të brendshme në qytetin e Sarandës ishin të shtruara dhe sistemuana, premtimi se në sezonin turistik nuk do kishte asnjë rrugë të pambaruar në Sarandë dhe Ksamil do e konsiderojmë të pambajtur.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED), po monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar mbajtjen ose jo të premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët.