Vitin e kaluar, pas një serie zvarritjesh proceduriale, nisi ndërtimi i rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi, një nga premtimet kryesore të kryebashkiakut Benet Beci gjatë fushatës së 2023. Punimet duhet të përfundonin këtë vjeshtë, por verifikimet e Faktoje tregojnë se 40% e tyre mbeten ende të pambyllura.

Esmeralda Topi

Ndërtimi i rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi ishte një ndër premtimet kryesore në programin infrastrukturor elektoral të Benet Becit, teksa kandidonte për drejtimin e Bashkisë Shkodër majin e 2023. 

Kontrata për fillimin e punimeve në këtë rrugë, e cila përfshin edhe trajtimin e ujërave të zeza për këto zona, u lidh zyrtarisht më 16 tetor 2024 me vlerë 4.7 milionë euro. 

Punimet për rrugën e re nisën nëntorin e vitit të shkuar, pas një sërë zvarritjesh burokratike të verifikuara më herët nga Faktoje. Sipas kontratës së nënshkruar me kompaninë Alb Star duhet të përfundonin më 2 tetor të këtij viti. 

Ecuria e punimeve 

Në përgjigje zyrtare për Faktoje mbi ecurinë e projektit, Bashkia e Shkodrës na delegoi pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), që është njësia zbatuese e projektit.

FSHZH njofton se projekti, i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në kuadër të Programit për Zhvillimin e Turizmit dhe Infrastrukturës, është aktualisht në fazë zbatimi, me rreth 60% të punimeve të realizuara.

Institucioni pranon se një ndërhyrje e papritur ka shkaktuar tejkalim afatesh:

“Bashkia e Shkodrës, nëpërmjet OSHEE, ka kërkuar vendosjen e infrastrukturës për një linjë nëntokësore për furnizim me energji elektrike, një ndërhyrje që mund të shkaktojë vonesa shtesë”

FSHZH shton se punimet kanë ecur sipas grafikut të përcaktuar, por me disa vonesa kryesisht për shkak të sfidave të terrenit, duke përfshirë zonat urbane dhe turistike, ku mobilizimi i kantierit është i kufizuar. 

Ndërsa kryebashkiaku Benet Beci, këtë fillim shtatori e përshkroi kantierin e rrugës Shirokë-Zogaj si një investim strategjik që do të sjellë zhvillim për zonën, duke përmirësuar jo vetëm turizmin, por edhe lidhjen rajonale të Shkodrës, pa përmendur një afat të saktë për përfundimin e punimeve.

Më 12 shtator një ekip i Faktoje pa nga afër ecurinë e punimeve. Makineri të rënda po vijonin punën në segmentin afër kufirit. 

Segmenti i bypass-it që kalon në fshatin Zogaj kishte përfunduar hapjen e trasesë, ndërsa po vijonte puna për mbushjen dhe shtresat përfundimtare të rrugës. 

Rruga e re nga Shiroka në Zogaj do të zgjerohet mbi atë ekzistuesen. Ajo është 6.5 km e gjatë dhe parashikon korsi biçikletash dhe trotuar për këmbësorët.

Përfundim 

Duke u bazuar në informacionet e mbledhura dhe verifikimin në terren, premtimi i kryebashkiakut të Shkodrës, Benet Beci, për projektin e rrugës Shirokë-Zogaj-Kufi vlerësohet pjesërisht i mbajtur.

Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), monitoron 10 bashki në vend, duke verifikuar nëse premtimet e kryebashkiakëve po mbahen apo jo.