Rruga Qukës- Qafë Plloçë e bllokuar

Jo të gjitha akset kombëtare të kalueshme, ndryshe nga sa pretendoi Balluku

177

Gjatë raportimit në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencave Kombëtare, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se pavarësisht motit të keq, të gjitha rrugët kombëtare ishin të hapura.

“Kemi arritur të sigurojmë që akset rrugore kombëtare të jenë të hapura gjatë gjithë kohës…”- deklaroi Balluku.

Por pak minuta pas kësaj deklarate, informacionet zyrtare nga Prefektura e Korçës vërtetonin tjetër gjë. Në raportimin e orës 09:30 të mëngjesit të 9 janarit, Prefektura njoftonte se aksi Qafë Plloçë – Qukës ishte i bllokuar dhe vijonte puna për pastrimin e inerteve.

Edhe verifikimet e Faktoje në terren atë ditë tregojnë qartë se rruga, e sapoinaguruar, nuk ishte e kalueshme.  

Rruga Qukës –Qafë Plloçë, 9 janar 2025

Madje, jo vetëm atë ditë. Ky aks kombëtar vijon të jetë i bllokuar prej pesë ditësh për shkak të rrëshqitjeve të dherave dhe inerteve në rrugë. Për të shmangur rreziqet autoritetet vendore kanë pezulluar qarkullimin e automjeteve fill pas aksidentit të ndodhur më 7 janar.

Policia e Qarkullimit Rrugor e Korçës dhe Elbasanit orientojnë mjetet drejt rrugës së vjetër, duke vendosur patrulla në hyrje të Qafë Plloçës dhe Qukësit. Rruga do të qëndrojë e mbyllur deri në pastrimin e plotë të dherave dhe inerteve nga firma kontraktore dhe nuk dihet se sa do të zgjasë ky proces.

Bllokim pas bllokimi

Aksi Qukës – Qafë Plloçë, i gjatë 43,4 km, nisi të ndërtohej 16 vite më parë dhe kushtoi rreth 242.6 milionë dollarë. Ndonëse u inaugurua me daulle dhe bukë me qiqra, Faktoje verifikoi se rruga u hap për qarkullim e papërfunduar.

Problemet me rrugën që u inagurua në shtator të vitit të shkuar nisën që në javët e para. Por pamjet e çarjes të skarpatës dhe rënies masive të gurëve dy muaj më pas treguan degradimin e shpejtë të veprës më të shtrenjtë dhe më të stërzgjatur të infrastrukturës në Shqipëri.

Prej katër muajsh, ky aks ka shfaqur probleme të vazhdueshme me rrëshqitjet e dherave, veçanërisht gjatë reshjeve intensive.

https://faktoje.al/nga-perurimi-te-rreshqitja-e-masivit-shembja-qe-zbuloi-problemet-e-rruges-qukes-qafe-plloce

Përfundim

Bazuar në të dhënat e mbledhura nga prefektura e Korçës, ARRSH dhe verifikimet në terren, deklarata e ministres Belinda Balluku se “të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme” kategorizohet e pavërtetë. Aksi Qukës – Qafë Plloçë, segment strategjik i rrjetit rrugor kombëtar, vijon të jetë i bllokuar.