Ishte 12 maji i vitit 2023 kur Fisnik Qosja, ende kandidat për kryetar bashkie, përshkruante me fjalë projektin me render që kishte sjellë për televizionin ku po jepte intervistën: një rrugë panoramike që niste nga Kisha e Shna Premtës, zbriste drejt bulevardit Josif Buda dhe përfundonte në det, përmes një nënkalimi te përroi i Lëshnikës“.


“Unë këtë e kam synim. Brenda 4-vjeçarit tim, unë o e bëj këtë ose nuk kandidoj më,” deklaroi Qosja tre ditë pasi u votëbesua nga banorët e Kavajës, duke e shpallur ndërtimin e rrugës si “pikën kryesore” të mandatit të tij.
Me një gjatësi rreth 4.5 kilometra dhe një kosto të parashikuar prej 11 milionë eurosh, projekti kishte gjithçka: një studim fizibiliteti, një kryebashkiak të vendosur dhe një premtim të madh. Dy vjet më vonë, rruga e bregdetit nuk është reale por ekziston ende vetëm si metaforë.
Premtim në letër
Kur Faktoje pyeti Bashkinë e Kavajës për ecurinë e projektit, përgjigjja ishte: “Punimet nuk kanë nisur. Jemi në bashkëbisedim me qeverinë për ndërtimin e kësaj rruge”
Në terren, Faktoje përshkoi rrugën e premtuar.

Nga Kisha e Shna Premtës, një godinë e vetmuar mbi një kodër, e rrethuar nga heshtja dhe një qen roje në koliben e tij, deri te shëtitorja Josif Buda, rruga ekzistuese ishte 2.6 kilometra e gjatë dhe zgjaste 6-7 minuta.



Nga aty, sipas projektit të kryebashkiakut Qosja, rruga do të zgjatej deri në fshatin Stan i Ri e më pas në bregdet.

Por në vend të kantierëve apo shenjave të punimeve, hasëm vetëm rrugë të ngushta e të papastra.
Përfundimi
Nisur nga vetë përgjigja e Bashkisë së Kavajës, verifikimi në terren dhe mungesa e veprimeve konkrete, premtimi i kryebashkiakut për ndërtimin e rrugës së bregdetit kategorizohet si i pambajtur.