Pretendimi: Nuk ka asnjë telefon të vetëm në Kanada që ka 5G
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————–
Një video e ndarë në rrjete sociale nga publicisti Alfred Cako pretendon se telefonat në Kanada nuk kanë 5G, e si rrjedhim kullat e reklamuara si kulla 5G në fakt po përdoren për ndonjë qëllim të fshehtë dashakeq.

“Nuk ka asnjë telefon të vetëm në Kanada që mbështet 5G,” thotë folësi në video. “Nuk ka asnjë operator të vetëm në Kanada që mbështet 5G.” Folësi nuk është i dukshëm, por thotë: “Unë rregulloj telefona çdo ditë.” Klipi tregon dy telefona të çmontuar me vende bosh ku supozohet se duhet të ndodheshin antenat marrëse të 5G.
Vendosja e 5G filloi në vitin 2018 në Shtetet e Bashkuara dhe menjëherë pas kësaj në Europë.
Në Kanada, Rogers Communications e lançoi 5G në qytetet kryesore në vitin 2020, i ndjekur nga operatorë të tjerë telefonikë.
Disa organizata kanë konfirmuar se Kanadaja ka një rrjet të fuqishëm 5G, megjithëse disponueshmëria dhe shpejtësitë ndryshojnë.
Një raport i shkurtit 2023 nga konsulenca teknologjike Opensignal gjeti shpejtësi mesatare shkarkimi prej 158.7 Mbps për Bell, e përshtatshme për transmetim video, lojëra dhe përdorime të tjera.
Një raport i Opensignal në qershor 2023 e vendosi Kanadanë në mes të listës për sa i përket shpejtësive të ngarkimit dhe shkarkimit, ndërsa vuri në dukje se lidhjet 5G ishin të disponueshme vetëm rreth 10 përqind të kohës, një normë e ngjashme me Mbretërinë e Bashkuar, por më e ulët se Shtetet e Bashkuara.
Një firmë tjetër, Ookla, gjeti shpejtësi mesatare të shkarkimit celular prej 75.47 Mbps në gusht 2023, shumë përpara mesatares globale të vitit 2018 prej 22.82 Mbps. Testi gjeti gjithashtu shpejtësi shkarkimi prej më shumë se 100 Mbps për telefonat Apple dhe Samsung në vitin 2023.
Apple thotë në faqen e saj të internetit se të gjithë telefonat që nga iPhone 12 mbështesin 5G nëse janë të lidhur me një operator që e përdor këtë teknologji. Pajisjet Samsung dhe Google Pixel gjithashtu mund të lidhen me 5G në Kanada, sipas prodhuesve.
Testet e kryera nga PC Magazine në mesin e vitit 2022 gjetën shpejtësi të forta 5G në Toronto për të gjithë operatorët pas përmirësimeve të rrjetit.






