.

.

Rritje skandaloze e çmimit të bulmetit në Elbasan

Paralajmërimi për shtrenjtimin e bulmetit pas 15 shkurtit, bëri xhiron e rrejteve sociale dhe mediave në fillim të muajit shkurt. Ekspertët u shprehën të skandalizuar me rritjen deri në 37 % të këtyre produkteve. Por një verifikim i Faktoje në Elbasan, tregoi se shtrenjtimi i këtyre çmimeve ka ndodhur që në muajt dhjetor e janar. Këto çmime në treg tejkalojnë edhe spekulimet në rrjetet sociale. Mjafon të tregojmë se vetëm çmimi i djathit të bardhë që sipas paraashikimit shkonte në 1050, në bulmetoret e Elbasanit është mbi 1300 lekë kilogami. Për këtë fenomen, Zyra e Konsumatorit në Elbasan, ende nuk ka kthyer një përgjigje zyrtare.

Bardha Nergjoni

Rritja e çmimeve të nënprodukteve të qumështit është kthyer në një sfidë më vete për familjet shqiptare. Në javën e parë të muajit shkurt, në rrjete sociale dhe media qarkulloi një informacion i shoqëruar me një tabelë që ilustronte rritjen e çmimeve të bulmetit nga 8-37% prej datës 15 shkurt 2023. Sipas informacioneve, kjo rritje u ishte bërë e ditur njësive të tregtimit me pakicë nga kompanitë vendase të përpunimit të qumështit.

Lista me çmimet e nënprodukteve të qumështit para dhe pas 15 shkurtit 2023

Lidhur me këtë situatë, Autoriteti i Konkurrencës, në faqen zyrtare në facebook, në 8 shkurt 2023 reagoi duke paralajmëruar:

“Autoriteti po monitoron në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet në tregun e shitjes me pakicë dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.

Ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit apo vendosin kushte tregtimi.

Sjellim në vëmendje të ndërmarrjeve të përpunimit të qumështit se, shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.”

 

Njoftimi në Facebook i Autoritetit ë Konkurrencës, 8 shkurt 2023

Por çfarë po ndodh me çmimet e produkteve të bulmetit në Elbasan?

Ne bëmë një verifikim në terren në disa pika shitjeje para dhe pas 15 shkurtit 2023.

Ajo që vumë re ishte se që para 15 shkurtit çmimet e këtyre produkteve ishin edhe me të larta nga ato që sugjeroheshin në tabelën më lart.

Përshembull, nëse në tabelë tregohej se çmimi i djathit të deles (kovë) nga 850 do rritej në 1050, në një bulmetore në Elbasan djathi i deles nuk gjendej poshtë çmimit 1300 lekë kilogrami.

Çmimet e djathit të deles dhe dhisë në një bulmetore në Elbasan, shkurt 2023

Çmimet e djathit kaçkavall dhe gjalpit në një bulmetore në Elbasan, shkurt 2023

Tregtarë të njësive të shitjes me pakicë në Elbasan thanë për Faktoje se çmimet e bulmetit janë rritur kohë pas kohë, duke i tejkaluar ato të parashikuara në tabelën që ka qarkulluar në fillim të muajit shkurt, si rritje e kërkuar nga kompanitë e mëdha të përpunimit të qumështit.

“Tek ne nuk kanë ndryshuar çmimet, pasi ne shesim djathin e kompanive të mëdha. Por çmimet kanë ndryshuar disa herë. Kështu kanë ndryshuar në dhjetor, në janar dhe rritja është e ndjeshme. Nuk kanë ndryshuar pas 15 shkurtit, pasi kanë qenë të rritura. Ndërkohë qumështi, kosi e gjiza kanë ndryshuar me kohë dhe jo tani”-tha për Faktoje një shitës bulmeti në Elbasan.

Një kilogram djathë dhie apo deleje që duhet të kushtonte 850 deri në 870 lekë sipas tabelës më lart, në treg rezulton shumë më e lartë edhe nga parashikimi I çmimit të rritur pas 15 shkurtit. Kështu një kilogram nga i njëjti djath shkon nga 1100 deri në 1300 lekë kilogrami.

Shtrenjtimi I bulmetit, përtej parashikimve vërehet në pika të ndryshme, në varësi të prejardhjes së nënprodukteve të qumështit. Rritja duket kryesisht tek djathi I  dhisë, deles dhe gjalpi. Më pak rritje ka pësuar djathi i lopës.

Shitësit e justifikojnë këtë shtrenjtim me faktin se nuk ka më bagëti në Shqipëri në numër të madh, rritjen e kostos së transportit etj. Por si kanë reaguar qytetarët në Elbasn, përballë këtij shtrenjtimi?

Njerëzit blejnë më pak dhe ankohen për cilësinë

Arjana, shitëse në një prej dyqaneve të qytetit në Elbasan thotë se njerëzit po marrin gjithmonë e më pak.

“Ata që merrnin një kilogram, tani marrin gjysmë kilogrami djath, ata që blenin një litër qumësht tashmë marrin gjysmë dhe kështu ndodh edhe me gjërat e tjera. Njerëzit ankohen, por nuk është faji ynë. Unë jam shitëse dhe s’mund të kontrolloj dot çmimet. Klientët kërkojnë edhe gjëra cilësore që gati janë zhdukur. Ne më parë merrnim djath Sarande e tani nuk vjen dot më ose do vijë me çmim shumë më të lartë se më parë. Cilësi nuk ka më!”

Ademi është pensionist dhe ndërsa bën blerjet e javës thotë se çmimet e bulmetit kanë shkuar në qiell.

“Këto janë të përziera, nuk kanë cilësi dhe këta e dinë mire, por do blejmë çfarë do bëjmë. Do ushqehemi. Unë blej kos ndërsa djathin mundohem ta gjej nga fshatarët. Ka shkuar kilogrami i gjalpit 15 mijë lekë të vjetra. Ka shkuar djathi i bardhë sa kaçkavalli i dikurshëm. Nuk di të them se ku do shkojnë këto çmime, por ne blejmë më pak. Unë dikur e bleja qumështin nga fshati, por tani nuk ka më. I kanë hequr lopët të gjithë, nuk ka më gjëra origjinale. Tani janë edhe të përziera, edhe shtrenjtë. Do marrim më pak gjithmonë”.

Vjollca Cani ka blerë një gjysmë kilogrami djathë lope, pak djathë kaçkavall, një shishe kos dhe një shishe qumësht.

“Unë harxhova 2000 lekë me kaq pak gjëra, për cilësinë kam dyshim. Ku na del rroga të bëjmë të gjitha blerjet! Nuk ka duk leku fare dhe jemi të detyruar t’i blejmë gjithsesi, nuk kemi mundësi zgjedhjeje. Duhet të ndërhyjë shteti dhe të mbrojë njerëzit që nuk kanë mundësi. Sot njerëzit po ushqehen keq dhe kjo ndodh për shkak të rritjes së çmimeve dhe humbjes së cilësisë”.

Nisur nga ankesat e qytetarëve dhe çmimet e rritura edhe më shumë se parashikimi në tabelën që vetë Autoriteti i Konkurrencës pranoi se po qarkullonte, ne iu drejtuam një kërkesë për informacion zyrës së konsumatorit pranë bashkisë Elbasan. Ne kërkuam të dijmë nëse janë monitoruar pikat e tregtimit të bulmetit dhe nëse janë marrë masa nw rast tw rritjes abuzive.

Kërkesa për informacion dërguar Zyrës për mbrojtjen e konsumtorit Elbasan

Deri në publikimin e këtij artikulli, Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit Elbasan nuk ka kthyer përgjigje, megjithstë ne presim një reagim në zbatim të ligjit për të drejtën për informim.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img