Në 2017, kryeministri Rama teksa kërkonte mandatin e dytë qevrisës premtoi transformim të sistemit arsimor, duke nisur nga ai parashkollor. Mes angazhimeve të artikuluara ishte edhe rritja e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor. Verifikimi i Faktoje tregoi se prej 2017, numri i të regjistruarve në parashkollor jo vetëm nuk u rrit, por ka rënë vazhdimisht.Ky fenomen është shtrirë në të gjitha nivelet e sistemit, deri tek ai universitar.
*Pjesë nga program i qeverisjes për vitin 2017-2021
A u rrit numri i fëmijëve të regjistruar në parashkollor nga viti 2017 e deri më sot?
Nisur nga premtimi i 2017-s, që reflektohet edhe në programin qeverisës të Partisë Socialiste për mandatin e dytë, Faktoje bëri disa verifikime.
Së pari kërkuam shifrat zyrtare për të kuptuar nëse kishte rritje të numrit të fëmijëve në arsimin parashkollor, prej 2017-s. Nga të dhënat që gjetëm në faqen zyrtare të Institutit të Statistikave mësuam se numri i nxënësve të parashkollorit, jo vetëm që nuk është rritur, por ka pësuar rënie nga vitit 2017 deri në vitin 2021.
*Tabela me numrin e të regjistruarve në arsim në Shqipëri, INSTAT
Mes të dhënave, tërheq vëmendjen edhe rënia e numrit të nxënësve në ciklet e tjera të arsimit duke nisur nga ai fillor deri tek niveli universitar. Në të njëjtën kohë Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit për të mësuar të dhënat për numrin e të regjistruarve në sistemin parashkollor.
*Kërkesa dërguar Ministrisë së Arsimit nga Faktoje.al
Në përgjigjen dërguar për Faktoje, ky institucion na vuri në dispozicvion një tabelë me shifra e cila përkon edhe me atë të publikuar në faqen zyrtare të INSTAT, duke dëshmuar të njëjtat gjetje për uljen në vijimësi të numrit të nxënësve në parashkollor, prej 2017-s e deri sot.
*Përgjigjja nga Ministria e Arsimit për Faktoje.al
Të dhënat e dërgura nga MASR, dëshmojnë se rënia ka nisur prej vitit shkollor 2015-2016.
Sipas një analize të shifrave të INSTAT, rënia e numrit të nxënësve në sistemin arsimor në vend, është duke pësuar rënie të ndjeshme nga viti në vit si pasojë e emigracionit të lartë dhe uljes së numrit të lindjeve. Sipas këtij institucioni nxënësit e arsimit parauniversitar kanë një ulje të vazhdueshme në numër në të gjithë programet, ulje e cila vitin e fundit arrin 13,0 %, krahasuar me nxënësit e arsimit parauniversitarit 2016-2017.
Të dhënat tregojnë edhe për një rënie të numrit të nxënësve dhe studentëve për numër banorësh.
Për sociologen Entela Binjaku faktorët që kanë ndikuar në këtë situatë, janë disa: vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare për të pajisur fëmijët me mjetet e nevojshme, vështirësitë për të përballuar ekonomikisht studimet, qoftë edhe dërgimin në parashkollor, mungesa e institucioneve të edukimit në fshatra, mbyllja e institucioneve në zona rurale apo qyteza ku emigrimi e ka gërryer popullatën, lindjet e pakta dhe në rënie, humbja e besimit tek e ardhmja më e mirë falë arsimimit, mungesa e perspektivës për të ardhmen në vend.
“Pasojat kanë nisur të shfaqen: më pak fëmijë e të rinj në shkolla, më shumë mësues që nuk plotësojnë dot normën për orë të plota, më pak shkolla ose më shumë shkolla që po mbyllen, afrimin e rrethit të të arsimuarve rreth zonave të mëdha urbane dhe mbetjen jashtë tij të atyre që kanë nevojë të arsimohen dhe edukohen, sepse janë pak.”- sqaron Binjaku.
Po sipas saj arsimimi, shkollimi është një investim që frutet ia jep shoqërisë më ngadalë, edhe pas 12 vjetësh dhe si e tillë qeverisësit shqiptarë të këtyre 20-30 viteve nuk kanë pasur as durimin dhe as kohën për të investuar sipas këtij termi kohor.
“Çfarë kanë bërë dje, duket sot! Cfarë nuk po bëjnë sot, do të duket nesër. Ky është rregulli.”-përfundon ajo.
Në përfundim të kërkimit të Faktoje, nisur nga të dhënat e grumbulluara zyrtarisht përmes institucioneve rezulton se numri i të regjistruarve në sistemin parashkollor nuk është rritur, por ka ardhur në rënie nga viti 2017 deri në vitin 2021. Nisur nga këto të dhëna premtimin e dhënë nga kryeministri Rama do ta kategorizojmë të pambajtur.