Pretendimi: Kolapsimi i futbollistit të Romës Evan Ndicka gjatë një ndeshjeje lidhet me vaksinën anti-Covid.

Verdikti: Mungon konteksti, E paprovuar

———————————————-

Konspiracionistët anti-vaksinë mbeten të vendosur ta lidhin çdo incident mjekësor të bujshëm me vaksinën anti-Covid.

Viktima më e fundit është futbollisti i Romës Evan Ndicka, i cili pësoi një shembje në tokë gjatë një ndeshjeje të serisë A kundër Udinese më 14 prill.

Edhe në vendin tonë, publiçisti Alfred Cako ka shpërndarë lajmin e kolapsit të Ndickës, duke shtuar: “Si shumë po shtohen këta. Përse vallë?!” Insinuata këtu, si zakonisht, është se përgjigjia lidhet me vaksinën anti-Covid. 

Megjithëse pyetja e Cakos ishte retorike, Faktoje vendosi të zbulojë “përse vallë” futbollisti i Romës ishte rrëzuar në fushë papritur në minutën e 72 të ndeshjes.

Sipas Reuters, Ndicka fillimisht ra mbrapsh në fushë. Ai ishte i ndërgjegjshëm por dukej që kishte dhimbje, duke fërkuar kraharorin ndërsa ekipi mjekësor nxitonte drejt tij. Si pasojë, ndeshja mes Romës dhe Udineses u pezullua.

Testet të cilave iu nënshtrua Ndicka në spital eleminuan mundësinë e atakut në zemër. Sipas një deklarate nga klubi i futbollit Roma, në testet e kryera përpara se Ndicka të lëshohej nga spitali rezultoi se gjendja e tij ishte e ngjashme me një traumë të kraharorit dhe një pneumotoraks minimal në mushkërinë e majtë.

Gazeta italiane Gazzeta dello Sport raportoi se Ndicka mund të ketë kolapsuar si pasojë e një sforcimi të tepruar gjatë pjesës së parë të ndeshjes. Në minutën e 38, Ndicka u godit me bërryl në kraharor nga Lorenzo Lucca, ndërsa u përfshi në dy përleshje më pak të dhunshme me kundërshtarët pak para shembjes.

Pra, ekspertiza mjekësore ka treguar se Ndicka kishte shenja të traumës së kraharorit, gjë që mund të shkaktohet nga vaksina anti-Covid vetëm nëse dikush të godet me një arkë të rëndë mbushur me vaksina anti-Covid.

Përpjekjet për ta keqinterpretuar kolapsin e Ndicka si të lidhur me vaksinën u adresuan nga Matteo Bassetti, kreu i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Spitalin Poliklinik San Martino në Genova:

“Disa politikanë italianë pa asnjë ekspertizë shkencore – dhe mbi të gjitha pa ditur raportet mjekësore – janë të interesuar në rastin e lojtarit të Romës Ndicka për të ngritur dyshimet e zakonshme mbi vaksinat. U kujtoj se ngjarje të ngjashme kanë ndodhur gjithmonë në futbollin italian, nga Manfredonia te Morosini për të kaluar nëpër Curi dhe Astori, vetëm për të përmendur disa. Ata nuk e kuptojnë dëmin që po u bëjnë vaksinave dhe indirekt qytetarëve që duhet të mbrojnë dhe përfaqësojnë.”