Katër muaj përpara zgjedhjeve të 14 majit, mazhoranca premtoi rritje pagash dhe përfitime për grupe të ndryshme interesi në vend. Ekspertët shpjegojnë se interpretimi që mazhoranca i ka bërë ligjit zgjedhor, që duhet të ndryshohet, shkon kundër parimeve të përcaktuara në dokumenta të ODIHR ku Shqipëria është e përfshirë prej vitit 1990. Eksperti Viktor Gumi tha për Faktoje se “Kodi Zgjedhor duhet të ndryshohet që të përfshijë ndalime edhe në periudhën kohore para dhe gjatë muajit të fushatës për zgjedhjet vendore, sepse ky është standarti ndërkombëtar që duhet të reflektohet më tej në Kodin Zgjedhor.”
Jona Plumbi
Dy muaj përpara se qytetarët të shkojnë drejt kutive të votimit për të zgjedhur se kush do të drejtojë qytetin e tyre për 4 vitet e ardhshme, kryeministri Edi Rama në një aktivitet publik, bëri një premtim të ri.
“Unë sot duhet t’ju them se në prill, në këtë prill, jo në prillin e vitit tjetër dhe jo në 1 prill, por në 30 prill, mjekët specialistë do fillojnë të marrin 50 mijë lek të reja plus në pagën e tyre. Ndërkohë që do të mbajmë zotimin për rritjen 7% të pagës për mjekët e përgjithshëm dhe për infermierët.” – Edi Rama, Kryeministër, 6 mars 2023
Kodi Zgjedhor (neni 91, pika 4) ndalon propozimin, miratimin ose nxjerrjen e akteve ligjore e nënligjore për t’i dhënë përfitime kategorive të caktuara të popullsisë, në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re. Si shembull ligji përmend “rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale etj…
Nisur nga deklarata e kryeministrit Rama dhe nga ligji zgjedhor, Faktoje vendosi të verifikojë nëse premtimi i kryeministrit për rritje pagash shkon kundër ligjit.
Çfarë thotë KQZ-ja
Për të kuptuar nëse deklarata e kryeministrit Rama për rritjen e pagave të mjekëve bie ndesh me parashikimet ligjore, Faktoje pyeti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për rastin. Në përgjigje, KQZ informoi Faktojen se Kodi Zgjedhor dhe Vendimi nr.9 i KQZ-së e parashikojnë ndalimin e premtimit për rritje pagash vetëm në peridhën para zgjedhjeve parlamentare, duke përjashtuar ato lokale.
Argumenti mbështetës për këtë interpretim ligjor ishte fakti se Kodi Zgjedhor dhe Vendimi nr.9 i KQZ-së përmend periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve “deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve…” Për shkak të përdorimit të termit “qeverisë së re’, KQZ vlerëson se kjo pikë e ligjit mund të zbatohet vetëm për zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë.“Sa më sipër, në mungesë të një dispozite ndaluese, nxjerrja e kësaj kategorie aktesh për zgjedhjet vendore, qofshin këto dhe të pjesshme, nuk përbën veprimtari të ndaluar për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.” – tha KQZ për Faktoje.
Çfarë thotë ligji
Kodi Zgjedhor
Kodi Zgjedhor i Shqipërisë në nenin 91 përcakton ndalimin e përdorimit të burimeve publike në mbështetje të subjekteve zgjedhore. Ky nen është pjesë e Kreut I të ligjit, që rregullon financimin e zgjedhjeve duke përcaktuar rregullat për burimet e financimit, fondet publike dhe ato private që mund të mbledhin partitë politike dhe kandidatët.
Kjo pjesë e ligjit përbëhet nga 14 nene. 13 prej tyre janë nene që zbatohen si për zgjedhjet e përgjithshme ashtu edhe për zgjedhjet vendore. Vetëm një prej tyre, neni 9 (e madje vetëm pika 4 e këtij neni), në interpretimin ligjor nuk zbatohet dot për zgjedhjet e përgjithshme.
Vendimi nr.9
Kodi Zgjedhor ngarkon KQZ-në me detyrimin për të nxjerrë udhëzime më të hollësishme për të përcaktuar përdorimin dhe shpërndorimin e burimeve publike. Kështu komisioni rregullator i KQZ-së miratoi Vendimin nr.9 për përcaktimin e kategorive të veprimtarive të ndaluara përpara zgjedhjeve.
Pjesë kryesore e objektit të këtij vendimi është “përcaktimi i rregullave për raportimin e veprimtarive me karakter publik të institucioneve publike qendrore e vendore”.
Pavarësisht kësaj, Vendimi nr.9 e ka marrë “copy-paste” pikën 4 të nenit 91 të Kodit Zgjedhor, duke mos ndryshuar apo shtuar asnjë detaj të mëtejshëm.
Termi “qeverisje e re”
Nisur nga fakti se termi “qeverisje e re” për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve i përjashton zgjedhjet lokale, Faktoje iu drejtua përsëri ligjit. Në çdo rast, ligji përmend termin “qeverisje vendore” për të rregulluar zgjedhjet vendore.
- Qëllimi dhe objekti i Kodit Zgjedhor përcakton se ligji cakton rregullat për zgjedhjet për në Kuvendit e Shqipërisë, për organet e qeverisjes vendore dhe referendumet.
- Tek përkufizimet, Kodi Zgjedhor përcakton se “periudhë zgjedhore” është periudha e vitit e përcaktuar në këtë Kod, gjatë se cilës zhvillohen zgjedhjet periodike të radhës për Kuvendin e Shqipërisë dhe organet e qeverisjes vendore.
- Njëkohësisht ky Kod, fjala “zgjedhje” përkufizohet si “votimet për Kuvenditn, për njësitë e qeverisjes vendore dhe referendumet.
- Kushtetuta e Shqipërisë e ka një kapitull të dedikuar që rregullon funksionimin dhe mënyrën e zgjedhjes së “Qeverisjes vendore”.
Madje, termi “qeverisje” përdoret në Kushtetutën e Shqipërisë në mënyrë të veçantë për “qeverisjen vendore”. Ndërsa termi “qeverisja qendrore” apo termi “qeveri” nuk ekziston në Kushtetutë, pasi ligji i referohet qeverisë me termin “Këshilli i Ministrave”.
Çfarë thonë ekspertët
Duke mos gjetur asnjë lidhje përjashtuese mes termit “qeveri e re” dhe “qeverisjes vendore” Faktoje vendosi t’i drejtohej ekspertëve të fushës për më shumë informacion.
Pikëpamje ligjore
Viktor Gumi, jurist dhe ekspert i ligjit zgjedhor, i cili ka qenë pjesë e hartimit të Kodit Zgjedhor sjell për Faktoje përkufizimin që fjalori shqiptar jep për termin “qeveri”.
“Sipas fjalorit të Gjuhes Shqipe “Qeveri” është organi qendror më i lartë i administratës shtetërore, që ushtron veprimtari ekzekutive e urdhërdhënëse”. Neni 95 i Kushtetutës përcakton se Këshilli i Ministrave (Qeveria) përbëhet nga Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Neni 91, pika 4 përdor taksativisht termin “formimin e qeverisë së re” dhe në asnjë praktikë ndërkombëtare fjala “qeverisë së re” i referohet kryetarit të bashkisë ose këshillit bashkiak.” – argumenton Viktor Gumi për Faktoje.
Njëkohësisht, Gumi kujton se në diskutimet e bëra në Këshillin Politik në vitin 2020, që bëri ndryshimet e fundit të Kodit Zgjedhor, ka qënë qëllimi i Ligjvënësit që neni 91, pika 4 te mos perfshije dhe te mos zbatohet në rastin e zgjedhjeve vendore. Nisur nga kjo Gumi vë në dukje se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mund të vendosë ndalime pa një bazë ligjore në Kodin Zgjedhor. Për pasojë, në rastin e zgjedhjeve vendore është e lejuar rritja e pagave dhe pensioneve, përsa kohë nuk është e parashikuar si ndalim në Kodin Zgjedhor.
Por pavarësisht kësaj, praktika e rritjes së pagave katër muaj përpara zgjedhjeve është faktikisht shkelje e rregullave të OSBE-së, sqaron Viktor Gumi.
“Konkretisht kjo rritje bie ndesh me Dokumentin e Kopenhagës nga OSBE dhe Udhëzimet e përbashkëta të ODIHR dhe Komisionit të Venecias për parandalimin dhe reagimin ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative gjatë proceseve zgjedhore.” – Viktor Gumi.
Pikëpamje civile
Gerta Meta, drejtore ekzekutive e Shoqatës për Kulturë Demokratike, pjesë e shoqërisë civile që angazhohet edhe në vëzhgimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në vend, e sheh me keqardhje reduktimin e zbatimit të Kodit Zgjedhor, e më specifikisht ndalimit të vendimeve përmes së cilave përfitojnë grupe të caktuara të shoqërisë, vetëm për zgjedhjet e përgjithshme.
“Fryma e ligjit në fakt është për t’i trajtuar gjithmonë njësoj zgjedhësit apo veçanërisht votuesit në prag zgjedhjesh në të gjitha proceset zgjedhore, si ato qendrore e lokale, ndaj nuk ka kuptim logjik që në një palë zgjedhje, siç janë ato të përgjithshmet, të kufizohet veprimtaria e institucioneve, ndërsa për zgjedhjet lokale të mos konsiderohet kufizimi i veprimtarisë së institucioneve qendrore apo lokale në favor të grupeve të caktuara të interesit.” – Gerta Meta, Shoqata për Kulturë Demokratike.
Për Metën Kodi Zgjedhor duhet amenduar në mënyrë që të kuptohet qartë, pa lozur me ngërçe apo boshllëqe ligjore, se çfarë konsiderohet si “qeveria e re”.
Ndryshimi i ligjit
Eksperti ligjor për zgjedhjet, Viktor Gumi e sheh si të domosdoshëm ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të rregulluar këtë parashikim.
“Neni 91, pika 4 e Kodit Zgjedhor duhet të ndryshohet që të përfshijë ndalime edhe në periudhën kohore para dhe gjatë muajit të fushatës për zgjedhjet vendore, sepse ky është standarti ndërkombëtar që duhet të reflektohet më tej në Kodin Zgjedhor.” – tha Gumi për Faktoje.
Drejtuesja e Shoqatës për Kulturë Demokratike, Gerta Meta, tha për faktoje se situata nuk duhet të mbetet tek një lexim apo interpretim i Kodit. “Kjo kërkon që të gjithë aktorët e politikës në vend dhe veçanërisht qeveria, të tregojnë integritet dhe kujdes maksimal në sjelljen politike, duke e trajtuar si të barabartë votuesin në çdo proces zgjedhor.” – shpjegon Meta.
Ndryshimi i Kodit Zgjedhor nuk është gjë e re për parlamentin e Shqipërisë. Në shkurt të vitit 2022 Kuvendi i Shqipërisë ngriti një komision për reformën zgjedhore. Kjo do ishte hera e 9-të që ligjvënësi vendos të ndryshojë ligjin zgjedhor që nga rënia e komunizmit.
Pasi u mandatua në fillim të shkurtit, komisioni i reformës zgjedhore u mblodh për herë të parë në Qershor 2022. Hera e dytë që ky komision u mblodh ishte data 6 gusht 2022, kohë në të cilën i përfundonte mandati 6 mujor. Anëtarët kërkuan shtyrje me 6 muaj të tjerë të mandatit të komisionit të reformës.
Argumentat e palëve politike
Pasi Kuvendi shtyu me 6 muaj afatin e komisionit të reformës zgjedhore, edhe pse ky i fundit nuk kishte arritur të prodhonte as një plan pune, diskutimi për ndryshimin e Kodit Zgjedhor ka vijuar. Pjesë e këtij diskutimi ka qenë edhe pika 4 e nenit 91 të kodit Zgjedhor, pikërisht me qëllim rregullimin e këtij ngërçi.
Në Dhjetor 2022, iniciativa për ndryshime në Kodin Zgjedhor e propozuar nga deputeti Enkelejd Alibeaj në emër të grupit Parlamentar të Partisë Demokratike sugjeronte pikërisht ndryshimin e nenit 91 për të përfshirë zgjedhjet lokale në ndalimet e pikës 4.
Në nenin 91, bëhen shtesat dhe ndryshimet si më poshtë:
4. Nga data e nxjerrjes së dekretit të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re ose deri në betimin e kryetarit të Bashkisë, sipas rastit, pas zgjedhjeve, ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore.”
Por Partia Socialiste në Komisionin e Reformës Zgjedhore mendoi se përderisa në Shqipëri ka zgjedhje çdo dy vjet, ndalime të tilla drastike me këtë frekuencë kohore mund të cënojë mandatin kushtetues për të qeverisur të shumicës që del nga zgjedhjet. Për këtë arsye PS vendosi t’i kërkojë mendim ODIHR-it për këtë çështje.
“Zbehje e kufirit mes shtetit dhe partisë”
Në raportin përfundimtar për zgjedhjet lokale të zhvilluara në Gjeorgji në 2 dhe 30 tetor 2021, ODIHR vlerësoi një situatë të ngjashme me atë në Shqipëri, ku gjatë fushatës elektorale për zgjedhje vendore, kabineti i ministrave u angazhua me dalje në fushatë elektorale për kandidatë të partisë në pushtet, duke dhënë premtime për përfitime ekonomike për grupe të ndryshme të shoqërisë.
Raporti i OSBE ODIHR për zgjedhjet lokale në Gjeorgji 2022
“Avantazhi i panevojshëm i të qënit në detyrë vijoi gjatë gjithë fushatës me njoftimet e projekteve publike, premtime për përfitime sociale dhe një plan për rritjen e pagave të nëpunësve publikë duke filluar nga janari 2022.
Gjatë gjithë fushatës ministrat e kabinetit, përfshirë kryeministrin, u bënë pjesë aktive e aktiviteteve të fushatës së partisë në pushtet, duke informuar për projektet e planifikuara infrastrukturore, ekonomike dhe bujqësore për mbi 14 miliardë euro, duke njoftuar transferimin e qindra banesave për familjet e zhvendosura, rritjen e pagesës mujore për veteranët, rritjen e pagat e nëpunësve publikë dhe kujtoi planet e qeverisë për të rritur buxhetet e bashkive dhe të projekteve të ardhshme ekonomike dhe infrastrukturore në shkallë të gjerë.”
Raporti i ODIHR vijon duke vënë në dukje se edhe pse disa prej këtyre masave kishin nisur përpara fillimit të fushatës, këto veprime shkojnë kundër frymës së ligjit dhe zbehën kufirin mes partisë dhe shtetit.
Dokumenti i Kopenhagës nga OSBE (1990)
Paragrafi 5 i dokumentit të vitit 1990 të OSBE-së, dakordësinë për të cilën e ka dhënë edhe Shqipëria, thekson se palët “deklarojnë solemnisht se ndër ato elemente të drejtësisë
të cilat janë thelbësore për shprehjen e plotë të dinjitetit të qenësishëm dhe të të drejtave të barabarta e të patjetërsueshme të të gjithë qenieve njerëzore është edhe një ndarje e qartë ndërmjet shtetit dhe partive politike; në veçanti, partitë politike nuk mund të shkrihen me shtetin;
Udhëzimet e përbashkëta të ODIHR dhe Komisionit të Venecias (2016)
Njëkoshësisht, dokumenti i rpërmendur nga eksperti Viktor Gumi se shkelet nga bërja e premtimeve për përfitime ndaj grupeve të ndryshme të shoqërisë 4 muaj përpara zgjedhjeve, është ai i “Udhëzimeve të Përbashkëta të ODIHR dhe Komisionit të Venecias”.
Paragrafi II, gërma B e këtij udhëzimi flet pikërisht për ndalimin e keqpërdorimit të burimeve të administratës shtetërore. Pika 1.3 e këtij udhëzimi thekson sa vijon:
“…puna e zakonshme e qeverisë duhet të vazhdojë gjatë periudhës zgjedhore. Megjithatë, për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve administrative që çekuilibrojnë kushtet e barabarta gjatë garave zgjedhore, kuadri ligjor duhet të deklarojë se asnjë njoftim i madh që lidhet ose synon krijimin e një perceptimi të favorshëm ndaj një partie apo kandidati të caktuar nuk duhet të ndodhë gjatë fushatave.”
Njëkohësisht, në paragrafin II, gërma B, pika 1.1 thotë se “korniza ligjore duhet të ofrojë mekanizma efektivë që ndalojnë autoritetet publike nga përfitime të padrejta për shkak të pozicionit të tyre, duke mbajtur aktivitete publike për qëllime elektorale, duke përfshirë ngjarje bamirësie, ose ngjarje që favorizojnë ose disfavorizojnë ndonjë parti politike apo kandidat”.
Përfundimi
Qartësisht mospërfshirja e zgjedhjeve për bashki në kufizimet ligjore për aktivitetet publike 4 muaj përpara zgjedhjeve konsiderohet nga ekspertët si mospërputhje me frymën e ligjit por edhe rregullat e përcaktuara nga ODIHR për demokratizimin e këtij procesi. Kjo nuk ka ndaluar mazhorancën të përfitojnë nga ngërçi i krijuar për shkak të interpretimit ligjor, për të shpallur premtime që shpërblejnë financiarisht pjesë të ndryshme të shoqërisë.
Mungesën e vullnetit politik për të rregulluar këtë ngërç ligjor e vërteton argumenti i përdorur nga vetë Kryeministri Rama. Në mbrojtje të njoftimit të tij për rritjen e pagave, me gjuhë ofenduese për ata që kërkojnë barazi në trajtimin e zgjedhjeve lokale dhe të përgjithshme nga ligji zgjedhor, kryeministri mburret me interpretimin që vetë i ka bërë ligjit.
“Analfabetizmi politik është ku e ku më i keq se sa analfabetizmi real apo ai funksional! Neni që ndalon rritjen e pagave 4 muaj para zgjedhjeve lidhet me zgjedhjet politike, ku flitet për periudhën para krijimit të qeverisë së re.” – kryeministri Edi Rama, 29 Mars 2023
Pasi njoftoi rritjen e pagës për mjekët, kryeministri Rama vijoi në dalje të ndryshme të njoftojë rritjen e pagës minimale, rritjen e ndihmës ekonomike, si dhe rritjen e pagës mesatare, të gjitha këto në periudhën parazgjedhore.
Ky shkrim u publikua në kuadër të projektit “Nxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartë” mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) dhe zbatuar nga Faktoje.