Pretendimi: Kemi patur vaksina kundër gripit prej vitesh, por sëmundja ende ekziston
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————————
Në hapësirat konspiracioniste po qarkullon një imazh që kritikon faktin se vaksina kundër gripit është dhënë prej vitesh, por sëmundja ende ekziston.
Virusi i gripit është i ndryshëm në çdo stinë. Kjo është arsyeja pse vaksina riformulohet vit pas viti dhe nuk ka një vaksinë ‘universale’ për të eliminuar sëmundjen. Mbrojtja nga antitrupat që ajo gjeneron zgjat për një kohë të kufizuar, rreth 10-12 muaj. Për më tepër, jo të gjithë e marrin këtë vaksinë, gjë që është thelbësore për zhdukjen e një sëmundjeje.
Në fakt, zhdukja me sukses e sëmundjeve varet nga faktorë të ndryshëm, nga të cilët disponueshmëria e një vaksine është vetëm një. Një faktor tjetër janë karakteristikat e vetë agjentit infektiv. Virusi i gripit sillet ndryshe nga viruset e lisë dhe poliomelitit, duke shpjeguar pse kemi pasur sukses në zhdukjen e lisë dhe poliomelitit, por jo të gripit.
Një arsye është sepse virusi i gripit pëson mutacione lehtësisht. Kjo ndodh pjesërisht për shkak të mekanizmit të tij të papërsosur të replikimit të gjenomit, që rrit shanset e mutacioneve në gjenet e rëndësishme virale që lehtësojnë infeksionin. Kjo lejon që lloje të reja të viruseve të gripit të shfaqen gjatë gjithë kohës.
Një faktor tjetër që kontribuon në këtë variacion gjenetik është riorganizimi, një proces në të cilin dy viruse të ndryshme të gripit që infektojnë të njëjtën qelizë mund të shkëmbejnë segmente gjenesh me njëri-tjetrin.
Rikombinimi është një nga arsyet pse ekspertët janë në gatishmëri të lartë për infeksionet e gripit të shpendëve tek njerëzit. Ndryshe nga gripi sezonal, virusi i gripit të shpendëve H5N1 nuk është aq i përshtatur për infektimin e njerëzve, megjithëse ende ndodhin raste të rralla të infeksioneve njerëzore. Por nëse dy viruset bashkë-infektojnë të njëjtin individ, ekziston mundësia që një shkëmbim gjenetik të prodhojë një virus të ri gripi që infekton njerëzit me lehtësi. Në fakt, tre pandemitë e fundit të gripit në historinë e njerëzimit kanë lindur nga lloje që iu nënshtruan kësaj forme të shkëmbimit gjenetik.
Shkalla e lartë e mutabilitetit të virusit të gripit e bën atë në thelb një shënjestër lëvizëse që është e vështirë për t’u trajtuar me një vaksinë. Shkencëtarët në të gjithë botën duhet të monitorojnë viruset e gripit që qarkullojnë globalisht për të parashikuar se cilat lloje kanë më shumë gjasa të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit, në mënyrë që të mund të rekomandojnë se cilat viruse të gripit duhet të synojnë vaksina.
Këto parashikime ndonjëherë mund të jenë të gabuara, pasi virusi ndryshon vazhdimisht. Mund të ndodhë një mospërputhje midis viruseve të synuara nga vaksina dhe viruseve që qarkullojnë në të vërtetë gjatë sezonit të gripit, gjë që rezulton në efektivitet më të ulët të vaksinës së gripit.
Mutabiliteti i virusit të gripit është gjithashtu arsyeja pse vaksina e gripit duhet të përditësohet çdo vit, ndryshe nga vaksinat e tjera, si ato kundër lisë dhe poliomelitit.
Një pengesë tjetër për zhdukjen e gripit është aftësia e virusit të gripit për të infektuar kafshë si zogjtë dhe derrat. Kjo e dallon atë nga viruset që shkaktojnë linë dhe poliomielitin, të cilat nuk infektojnë natyrshëm kafshë të tjera përveç njerëzve. Kjo do të thotë se nuk ka rezervuar natyror ku të fshihen lija dhe poliomieliti. Kjo gjithashtu do të thotë që përpjekjet për zhdukjen e këtyre sëmundjeve duhet të përqendrohen vetëm te popullata njerëzore.
Ndërkaq, për të zhdukur virusin e gripit, do të na duhej të vaksinonim shumicën e kafshëve bartëse në të njëjtën kohë, përveç njerëzve – dhe kjo duke supozuar se kemi një vaksinë kundër gripit që është edhe më efektive se ajo ekzistuesja dhe që shënjestron të gjitha llojet ekzistuese të virusit të gripit. Fakti që ka specie zogjsh shtegtarë që mund ta bartin virusin në një vend tjetër e ndërlikon më tej çështjen.
Meqenëse vaksinimi në një shkallë të tillë nuk është i realizueshëm, virusi i gripit do të vazhdojë të ketë mundësinë të mbijetojë dhe të shumëzohet në një rezervuar shtazor, edhe nëse do të kishim një vaksinë shumë efektive që merret nga shumica e njerëzve. Në rezervuarin shtazor, virusi i gripit mund të vazhdojë të mutojë, potencialisht në një formë që është në gjendje të kapërcejë mbrojtjen nga vaksina. Përmes kontaktit midis njerëzve dhe kafshëve, këto viruse të sapogjeneruara kanë mundësinë të infektojnë përsëri njerëzit (infeksion zoonotik).
Prandaj, vetë natyra e virusit të gripit do të thotë se nuk ka gjasa ta zhdukim virusin përmes fushatave të sinkronizuara të vaksinimit, si ato kundër lisë dhe poliomelitit. Megjithatë, ndërsa zhdukja e sëmundjes përfaqëson rezultatin ideal, ai nuk është qëllimi i vetëm ose qëllimi kryesor i vaksinimit në përgjithësi. Është e rëndësishme të mbahet mend se gripi shkakton midis 290-650 mijë vdekje çdo vit në të gjithë botën, dhe vaksina kundër gripit ende ofron përfitime të rëndësishme për shëndetin publik duke zbutur rreziqet e sëmundjeve që lidhen me gripin.
Studimet tregojnë se vaksinimi zvogëlon rrezikun e sëmundjes me 40% deri në 60% kur viruset e gripit që qarkullojnë përputhen mirë me vaksinën.