“Në janar do të nisë demolimi i pallateve në Krujë, çka do t’i hapë rrugë rindërtimit të pallateve në sitin e katërt të bashkisë Krujë.” – kështu premtoi kryetari i bashkisë së Krujës Artur Bushi në Janar të vitit 2021. Faktoje u angazhua për të verifikuar mbajtjen apo jo të këtij premtimi, gjë e cila solli një kalvar pyetje-përgjigjesh aspak sqaruese nga Bashkia Krujë. Në përfundim, ky institucion refuzoi të informonte se cilës zonë i referohen si “siti katër”, për të mundësuar një verifikim të plotë dhe të qartë të premtimit të dhënë.
Jona Plumbi dhe Julian Shota
Premtimi i kryebashkiakut të Krujës, Artur Bushi, për nisjen e shembjes së pallateve, që i hap rrugë rindërtimit në këtë qytet, i referohej një zone specifike në qytetin e Krujës, të cilën Bushi e quan “siti 4”. Me qëllim verifikimin e këtij premtimi Faktoje kërkoi informacion nga Bashkia Krujë për të sqaruar se cila zonë quhet “siti 4” në Krujë, por deri në publikimin e këtij artikulli, përgjigja nuk ka ardhur ende.
Kërkesa e informacionit nga Faktoje, e nisur në vitin 2021 drejtuar Bashkisë Krujë, se cila zonë quhet “siti 4” në Krujë, asokohe mbeti pa përgjigje. Institucioni referoi një adresë në rrjet të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit si vendi ku mund të gjendet ky informacion. Pas një kërkimi të thelluar në këtë faqe, Faktoje verifikoi se në asnjë moment, në asnjë dokument të rindërtimit në Krujë nuk përmendet zona e quajtur “siti 4”.
Në çdo rast, informacioni i publikuar në rrjet për rindërtimin në Krujë, flet për “njësi” dhe “zona” por në asnjë moment për “site” e aq më pak “sitin 4”. Kjo ndodh edhe në planin e detajuar vendor për Krujën ku zonat përcaktohen sipas kodeve të ndryshme.
Për të mundësuar verifikimin e premtimit të artikuluar nga vetë kryetari i Bashkisë Krujë, Artur Bushi Faktoje kërkoi përsëri infomracion pranë Bashkisë, këtë herë duke kërkuar vendosjen e gjurmës së zonës që i referohen si “siti 4” në hartë.
Përgjigjja e Bashkisë Krujë, zgjodhi të injoronte plotësisht kërkesën për sqarimin e zonës ku pritej të niste shembja e pallateve.
Se cilës zonë, kryebashkiaku Bushi i referohet si “siti 4” mbetet ende mister. Ajo që përgjigjja e Bashkisë Krujë komplikon edhe më tej, është fakti se jep përgjigje kontradiktore brenda të njëjtës ditë.
*përgjigja e Bashkisë Krujë pas më shumë se 1 muaji nga kërkesa e informacionit
Bashkia njofton se procesi i shembjes së pallateve në Krujë ka përfunduar. (pyetja 2, imazhi 2). Por, e pyetur se në cilat zona janë pallatet që nuk janë shembur ende, Bashkia Krujë njofton se “pallatet janë të shpërndara në pjesën qendrore të qytetit nga hyrja deri në rrugën e malit të Krujës” (pyetja 4, imazhi 2) – orientim që i ngjan më shumë shpjegimit të një lokali lagjeje, më shumë sesa një zone të studiuar dhe të përcaktuar nga dokumenta zyrtare shtetërore të rindërtimit.
*harta e qytetit të Krujës nga hyrja (rrethuar në të majtë) tek rruga e Malit (rrethuar në të djathtë)
Sipas informacioneve të marra jo-zyrtarisht nga gazetari Julian Shota, siti 4 i rindërtimit përbëhet nga katër lagje të qytetit të Krujës, ku aktualisht ka filluar rindërtimi i pallateve të dëmtuara nga tërmeti i 2019-s.
Shota na informoi se katër lagjet që pretendohet të jenë pjesë e “sitit 4” janë Varosh, Ballafenia, Hoxhë dhe Zimzenel, edhe pse kjo mbetet për t’u vërtetuar nga një dokument zyrtar.
Identifikimi i zonës të cilën kryebashkiaku Artur Bushi zgjodhi të përmendte në premtimet e tij elektorale u kthye në mision të pamundur, por ajo që mund të thuhet me siguri është se puna për ndërtimin e pallateve në Krujë ka nisur.
Pavarësisht kësaj, Faktoje nuk mundi të verifikojë nëse premtimi elektoral i kryebashkiakut Bushi për shembjen e pallateve në “sitin 4” është mbajtur apo jo, për shkak se Bashkia Krujë nuk e jep informacionin se për cilën zonë bëhet fjalë. Për këtë arsye Faktoje e konsideron premtimin e bashkisë Krujë për shembjen e pallateve që do i hapë rrugë rindërtimit si gjysmë të mbajtur.
* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.