Një vit më parë në Konferencën e Donatorëve u premtua një fond kolosal prej 1.15 miliardë eurosh për rimëkëmbjen e Shqipërisë pas tërmetit të nëntorit 2019. Nga këto fonde, 400 milionë euro i premtoi Bashkimi Europian përmes shteve anëtare të BE, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Komisionit Europian, i cili premtoi 115 milionë euro grante të drejtpërdrejta. Nëpërmjet programit “EU4Schools” 75 milionë euro nga grantet u vunë në funksion të rindërtimit të 58 objekteve arsimore në zonat e dëmtuara. Më 11 mars 2021, ambasadori i BE, zoti Luigi Soreca dhe përfaqësuesja e UNDP, zonja Limya Eltayeb, vizituan tre prej këtyre objekteve, ku njëra ishte përfunduar ndërsa tjetra ende në proces. Ata folën për vizionin për të rindërtuar më mirë, konsultimin me komunitetin për nevojat e tyre, si dhe theksuan rëndësinë e transparencës.
Konferenca e Donatorëve “Së bashku për Shqipërinë”, e mbajtur në Bruksel më 17 shkurt të vitit 2020, shënoi një tjetër nivel mbështetjeje të komunitet ndërkombëtar drejt Shqipërisë së gjymtuar nga tërmeti. Një aktor madhor në këtë konferencë ishte Bashkimi Europian duke dhuruar 400 milionë euro, nga të cilat 115 milionë në grante të drejtpërdrejta. Këto grante të premtuara nga Komisioni Europian do të ndahen në dy projekte, “EU4Schools” dhe “EU4Culture”, siç saktësohet nga delegacioni i BE në Shqipëri.
Marrë nga portali i transparencës së programit EU4Schools
Më 11 mars 2021, ambasadori i BE, zoti Luigi Soreca dhe përfaqësuesja e UNDP, zonja Limya Eltayeb, vizituan tre prej objekteve arsimore që janë pjesë e programit “EU4Schools”, për rindërtimin e 58 shkollave dhe kopshteve. Ky program realizohet me fondet e Komisionit Europian dhe zbatohet nga UNDP, e cila ka përfshirë gjithashtu 765 mijë euro nga fondet e saj. Kopështi “1 Qershori” në Durrës kishte përfunduar plotësisht dhe pret fëmijët javën tjetër, ndërsa kopështi dhe shkolla “Dom Nikollë Kaçorri” në Laknas ishin ende në procës rindërtimi, me hapjen e tyre të parashikuar për muajin qershor të këtij viti.
Zoti Soreca dhe zonja Eltayeb u drejtuan fillimisht në kopështin dhe shkollën 9-vjeçare “Dom Nikollë Kaçorri”, vlera e kontratës për të cilat është rreth 139 milionë lekë. Së bashku, këto dy objekte arsimore do të mirëpresin 385 fëmijë, përkatësisht 75 fëmijë kopështi dhe 310 nxënës shkolla.
Shkolla 9-vjeçare dhe kopështi “Dom Nikollë Kaçorri”, 11 mars 2021
Duke u ndalur tek vizioni “Building Back Better” (Të Rindërtosh Më Mirë), ambasadori Soreca theksoi dhe rëndësinë që komuniteti kishte zënë në projektin e tyre.
“Ne nuk donim vetëm që ta rindërtonim, por donim që ta rindërtonim më mirë, nga një pikëpamje sigurie, cilësie të infrastrukturës dhe tani është në standardin më të mirë ndërkombëtar. Ne donim gjithashtu që të rindërtonim së bashku me komunitetin, që do të thotë me prindërit dhe me fëmijët. Kështu që së bashku me miqtë tanë në UNDP, muajt e kaluar i kemi dëgjuar ata, kemi dëgjuar nevojat e tyre, si e ëndërronin ata shkollën. Dhe tani, ata kanë shkollën dhe kopështin, siç e ëndërronin”- u shpreh ambasadori i BE.
Shkolla 9-vjeçare dhe kopështi “Dom Nikollë Kaçorri”, 11 mars 2021
Ndërsa këto dy objekte arsimore përfundojnë në fund të verës, përfaqësuesja e UNDP, zonja Limya Eltayeb tha se projekti total për të 58 shkollat do të përfundojë brenda dy vitesh.
“[Për sa i përket] 22 shkollat e para, për të cilat filloi puna në qershor, 2 prej tyre janë përfunduar. 20 të tjerat janë në faza të ndryshme të konstruksionit. Ndërsa për pjesën e mbetur të 58 shkollave, 18 prej tyre po skicohen në faza të ndryshme ndërsa të tjerat do të realizohen më vonë.
Ne presim dhe shpresojmë që 22 shkollat do të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Synimi ynë është që të kemi sa më shumë prej tyre gati përpara muajit shtator, kur viti i ri shkollor do të fillojë. Projekti total i 58 shkollave do të përfundojë brenda dy vitesh.” – u shpreh zonja Eltayeb.
Më pas, dy përfaqësuesit e lartë të BE dhe UNDP vizituan edhe kopështin “1 Qershori” në Durrës, i cili ka përfunduar plotësisht dhe nuk shfaq asnjë gjurmë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit të vitit 2019.
Kopështi “1 Qershori”, 11 mars 2021
Riparimi i kopështit, i cili do të mirëpresë 163 fëmijë duke filluar nga java e ardhshme, ka kushtuar mbi 40 milionë lekë. Një komunitet prej 12 mijë personash përfiton në mënyrë direkte nga rindërtimi i këtij objekti arsimor.
Kopështi “1 Qershori”, 11 mars 2021
Ambasadori Soreca u ndal veçanërisht edhe tek transparenca, duke e cilësuar atë si vlerë të Bashkimit Europian, i cili kërkon që të jetë llogaridhënës në këtë proces. Ai bëri me dije se paratë që po shpenzohen në këtë projekt përmes UNDP dhe në konsultim me autoritetet shqiptare, janë të gjitha transparente në një faqe te dedikuar programit “EU4Schools”, ku detajohen të gjitha shkolla, projekt për projekt. Ai u shpreh për Faktoje se kjo është qasja e Bashkimit Europian.
“Ne kemi bërë këtë zgjedhje e cila është një vlerë për Bashkimin Europian që të zgjedhim portalin e transparencës.
Unë mendoj që reagimi që kemi marrë që kur kaloi në funksion portali i transparencës është shumë i mirë, dhe do të ecim përpara në sensin që do të kemi këtë portal transparence të plotë me informacione të shtuara për të gjitha 58 shkollat.” – tha zoti Soreca.
Lista e projekteve në portalin e transparencës të programit EU4Schools
Së fundmi, zoti Soreca u shpreh mbi dy fushat në të cilat po investohen grantet prej 115 milionë eurosh të Komisionit Europian si urën që do ta lidhin Shqipërinë me të ardhmen e saj europiane:
“Mendoj që edukimi dhe kultura janë dy shtyllat e ndihmës sonë për Shqipërinë sepse kjo është e ardhmja. Është ura drejt së ardhmes. Shqipëria është një shtet anëtar i ardhshëm i Bashkimit Europian. Ne po ndërtojmë të ardhmen sot, të asaj që Shqipëria do të bëhet shumë shpejt”.