Rikualifikimi i lagjes “Skënderbeg” në Lezhë, çfarë është realizuar deri tani

Vetëm një pjesë e ndërhyrjeve të parashikuara për lagjen “Skënderbeg” është realizuar.

257
Kopshti Skënderbeg, Lezhë

Lagjja “Skënderbeg” në Lezhë është përfshirë në një seri ndërhyrjesh të Bashkisë për përmirësimin e infrastrukturës.

Projekti parashikon rikualifikimin e dy rrugëve dhe rikonstruksionin e kopshtit të lagjes.

Sipas përgjigjes së Bashkisë Lezhë për Faktoje, rikualifikimi i rrugëve “Mbretëresha Teuta” dhe “Abat Preng Doçi” ka nisur në vitin 2025, ndërsa përfundimi i tyre është parashikuar gjatë vitit 2026.

Ndërkohë, në të njëjtën paketë ndërhyrjesh është përfshirë edhe rikonstruksioni i kopshtit “Skënderbeg”, i cili sipas Bashkisë ka nisur dhe pritet të përfundojë gjatë vitit 2026.

Ecuria e rrugëve

Për rikualifikimin e rrugës “Mbretëresha Teuta”, Bashkia ka parashikuar një investim prej 10.733.535 lekësh, ndërsa për “Abat Preng Doçi” investimi është 6.588.340 lekë.

Ndërsa punimet në rrugën “Mbretëresha Teuta” kanë përfunduar, rruga “Abat Preng Doçi” sipas verifikimit në terren është ende në proces rikualifikimi pavarësisht se në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Bashkia Lezhë e konsideron si të përfunduar.

Rruga Abat Preng Doçi

Një tjetër pjesë e projektit është rikonstruksioni i kopshtit “Skënderbeg”, për të cilin është parashikuar një investim prej 13.061.966 lekësh.

Punimet janë në proces dhe Bashkia parashikon përfundimin e tyre gjatë vitit 2026.

Në total, tre ndërhyrjet kanë një vlerë prej rreth 30.4 milionë lekësh dhe financohen nga buxheti i Bashkisë Lezhë.

Po trotuaret dhe ndriçimi?

Përveç rrugëve dhe kopshtit, Bashkisë iu kërkua informacion nga Faktoje edhe për ndërhyrje të tjera që lidhen me rikualifikimin urban të lagjes, si trotuaret, ndriçimi publik, gjelbërimi, kanalizimet, hapësirat publike dhe parkimet.

Për këto ndërhyrje, Bashkia sqaron se në të ardhmen parashikohet përmirësimi i ndriçimit në disa segmente dhe riparimi i trotuareve.

Këto ndërhyrje nuk janë pjesë e asaj që është realizuar deri në momentin e verifikimit dhe, për rrjedhojë, nuk llogariten si të parealizuara brenda afatit të premtimit aktual.

Ato i përkasin fazave të ardhshme të ndërhyrjes në lagje.

Përfundimi

Verifikimi i Faktoje tregon se vetëm një pjesë e ndërhyrjeve të parashikuara për lagjen “Skënderbeg” është realizuar.

Për këto arsye, në momentin e verifikimit, Faktoje e konsideron premtimin e kryebashkiakut Pjerin Ndreu pjesërisht të mbajtur.

Shënim për rrugën Abat Preng Doçi*

Pas publikimit të këtij artikulli, Faktoje u kontaktua nga Kejvin Kola, banor i lagjes “Skënderbeg”, i cili ngriti shqetësimin për gjendjen e rrugës “Abat Preng Doçi”.

Banori i dërgoi Faktojes edhe fotografi të marra së fundmi në këtë rrugë, ku, sipas tij, punimet nuk kanë përfunduar. Kejvin shprehet se në rreth dy të tretat e rrugës është hequr me mjete të rënda shtresa e sipërme e asfaltit, ndërsa nuk është vendosur ende shtresa e re. Pjesa tjetër e rrugës, sipas tij, vijon të jetë në gjendjen e mëparshme.

Informacioni i marrë nga banori dhe fotografitë e dërguara pas publikimit tregojnë se rruga “Abat Preng Doçi” është ende në proces rikualifikimi dhe jo e përfunduar, siç rezulton nga informacioni i marrë zyrtar nga Bashkia Lezhë.

Për këtë arsye, pjesa e artikullit që i referohet punimeve në rrugën “Abat Preng Doçi” duhet lexuar në dritën e këtij përditësimi (1 tetor 2026). Faktoje do të vijojë ta monitorojë ecurinë e punimeve deri në përfundimin e tyre.

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët