.

.

Rikthet fantazma e “luftës në Ballkan”

Paralajmërimi i presidentit ukrainas Volodymir Zelensky se Rusia po përgatit një konflikt në Ballkan përhapi frikën e një lufte të mundshme në rajon. Mediat  ndezën narrativa lufte, duke luajtur shpesh me tituj të pasaktë. Nga një verifikim i reagimeve të  NATO-s dhe BE-së, bie teza e një rreziku të afërt ushtarak, ndonëse pranohet ndikimi keqdashës rus në Ballkan dhe se vigjilenca nuk është asnjëherë e tëpërt. Edhe eksperti argumenton për Faktoje se mundësia e një lufte ndërshtetërore në Ballkan do ishte e papërballueshme për Serbinë ndaj s’ka gjasa të ndodhë.

Paralajmërimi i Zelenskyt

Presidenti i Ukrainës, Volodymir Zelensky paralajmëroi se Rusia mund të jetë duke planifikuar ndezjen e një lufte në Ballkan, për të hequr vëmendjen nga lufta e vazhdueshme në Ukrainë.

“Kushtojini vëmendje Ballkanit. Besomëni, ne po marrim informacione se Rusia ka një plan të gjatë”raporton Agjencia e Lajmeve në Ukrainë të ketë thënë Zelensky.

Më tej, në një intervistë për median britanike “The Sun” Zelensky e çoi skenarin “apokaliptik” një hap më tej duke paralajmëruar për përshkallëzim në një Luftë të Tretë Botërore.

“Ukraina është sot në qendër të një rreziku botëror për luftë botërore. Vërtetë e mendoj se Rusia do nxisë derisa SHBA dhe Kina t’i thonë të tërhiqet nga Ukraina. Sepse Europa nuk e bën dot e vetme. Rusia nuk e ndjen të gjithë botën kundër tyre. Ndaj mendojmë se ata po përgatisin tani në Ballkan hapa të tjerë dhe po mundohen të trajnojnë, ose kanë filluar tashmë të trajnojnë disa njerëz dhe nuk do ndalen, sepse ideja e tyre është të nisin një konflikt dhe te ndezin “zjarre” të tjera përrreth. Destabilizim përmes nxitjes së konflikteve të reja”.tha Zelensky për The Sun.

Pasqyrimi në media

Lajmi i deklaratës së Zelenskyt u pasqyrua gjerësisht në media si alarm për Ballkanin.

Shpejt paralajmërimi i Zelenskyt për një luftë të mundshme u raportua si informacion i vërtetuar, madje duke e portretizuar Bashkimin Europian si të shqetësuar nga kjo mundësi.

Top News/ NATO ndez alarmin: Rusia, luftë në Ballkan! Stoltenberg sot në Kosovë, tur edhe në rajon

Plas LUFTA?! Rusia gati të hapë front lufte në Kosovë e në Ballkan! Kosova dyfishon MBROJTJEN

Plani rus për luftë në Ballkan, BE konfirmon alarmin e Zelenskit: Kemi informacione!

“Rusia po përgatit luftë në Ballkan”, BE e shqetësuar, Stano: Pajtohemi me presidentin ukrainas, Rusia po bën gjithçka që

Peter Stano konfirmon frikën për luftë në Ballkan nxitur nga Rusia

Si e parashikoi “Komploti” i Ben Blushit një luftë në Ballkan

Alarmi i Zelenskyt për luftë ‘ngre në këmbë’ NATO-n, Stoltenberg ‘zbarkon’ sot në Ballkan

Në fakt, deklaratat e ardhura nga NATO dhe BE, njohin përpjekjet e vazhdueshme të Rusisë për të shtrirë influencën e saj në Ballkan, por në asnjë moment nuk mbështetën pritshmërinë e nisjes së një lufte në Ballkan.

Reagimi ndërkombëtar

Dy ditë pas deklaratës së Zelenskit, në nisjen e turit Ballkanik, nga Bosnje Hercegovina sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësime në lidhje me ndërhyrjet e huaja keqdashëse, përfshirë Rusinë, e cila kërcënon të minojë stabilitetin dhe të pengojë reformat në rajon.

I pyetur edhe nga gazetarët në Maqedoninë e Veriut, lidhur me paralajmërimin e Zelenskyt, Stoltenberg theksoi se NATO është gati, megjithatë për momentin nuk ka një rrezik të dukshëm ndaj anëtarëve të saj.

“Ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt ushtarak nga Rusia kundër ndonjë aleati apo rajoni të NATO-s. Por sigurisht, mbetemi vigjilentë. Ne kemi një prani ushtarake në këtë rajon me KFOR-in, me seli në Sarajevë dhe në fakt edhe një zyrë në Beograd. Jemi gati të përforcojmë shpejt dhe të bëjmë atë që është e nevojshme për të mbrojtur çdo aleat kundër çdo kërcënimi. Por e përsëris, ne nuk shohim ndonjë kërcënim të afërt ushtarak kundër ndonjë aleati të NATO-s.”Jens Stoltenberg, 21 nëntor 2023.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Bashkimi Europian. Në një konferencë për mediat, zëdhënësi i Komisionit Europian iu përgjigj pyetjes mbi paralajmërimin e Volodymir Zelenskyt.

Prej kohësh ne themi se Rusia po mundohet të ushtrojë ndikimin e saj keqdashës në territorin e Ballkanit Perëndimor. Ndaj po, ky është shqetësim, por nuk është shqetësim i ri, e kemi pasur prej kohësh ndaj linjëzohemi për këtë me presidentin ukrainas dhe e dimë se Rusia po bën çmos për të mbjellë pakënaqësi, paqëndrueshmëri politike, ndikim të huaj, manipulim informacioni e të tjera.”Peter Stano, Komisioni Europian, 20 Nëntor 2023.

Kështu e sheh situatën edhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, i cili vlerëson se edhe pse Rusia është përpjekur historikisht të ketë ndikimin dhe praninë e saj në Ballkan, fakti është që sot ajo ka ndikimin dhe praninë më të vogël që ka patur ndonjëherë në Ballkan në tre shekujt e fundit.

Shumica dërmuese e popullsive të rajonit nuk ka asnjë dashamirësi për Rusinë. Midis Rusisë dhe BE-së, pa diskutim që zgjedhin BE-në. Shtoi kësaj dhe faktin që shumica e vendeve të rajonit janë pjesë e NATO-s, bën që përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në Ballkan të neutralizohen shpejt.” – shpjegon Krisafi i cili argumenton më tej:

Në dallim nga Bashkimi Sovjetik i dikurshëm, që të paktën kishte ideologjinë komuniste dhe Perandoria Ruse që bazohej tek mbrojtja e të krishterëve të Ballkanit, Rusia e sotme ka pak gjëra që mund t’i ofrojë rajonit, përveç naftës dhe gazit. Prania ekonomike e Rusisë në rajon është shumë më e vogël se ajo e BE-së.

Tashmë palët kanë një dakordësi të heshtur që konflikti të kufizohet brenda Ukrainës, ashtu dhe siç ka ndodhur deri tani. Aq më tepër, që në këtë moment duket se as Rusia dhe as Ukraina nuk e fitojnë dot luftën, pra nuk e mundin dot njera-tjetrën dhe vështirë që në të ardhmen e afërt të ketë ndryshime domethënëse në linjën e frontit.” – Ledion Krisafi.

Reagimet në rajon

Kosova

Nga Kosova, Presidentja Vjosa Osmani, gjatë konferencës së përbashkët me sekretarin e përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg deklaroi se roli i NATO-s dhe KFOR në parandalimin e destabilizimit, jo vetëm të Kosovës, është vendimtar pasi Serbia mbetet faktor destabiliteti në rajon e ndihmuar nga Rusia.

“Influenca Ruse shihet në tre aspekte kryesore. E para ka të bëjë me propagandën, e dyta me armët që Rusia ia shet vazhdimisht Serbisë, e treta me mbështetjen politike. Kur bëhen këto të treja bashkë është tepër e qartë që është në interes të Rusisë që të hapë edhe një front kundër Perëndimit. Dhe, natyrisht, këtë front dëshiron ta hapë në vende të Evropës, të cilat ende nuk janë anëtare të NATO-s. Prandaj, kjo e bën edhe më imperative anëtarësimin tonë në NATO” – Vjosa Osmani

Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një status në rrjetin social Facebook shkruan” : “Kërcënimi nga Rusia dhe Serbia për stabilitetin, paqen dhe sigurinë rajonale po vërehet gjithnjë e më shumë. Rusia synon ndezjen e një vatre krize në oborrin e BE-së, për ta defokusuar NATO-n, kurse Serbia përmbushjen e ambicieve territoriale ndaj fqinjëve, sipas projektit “Bota Serbe”, të Vulinit e të Vuçiqit”.

Shqipëria

Nga Shqipëria, komente për deklaratën e Zelenskyt bëri ministri i mbrojtjes, Niko Peleshi i cili citoi rikthimin e politikës së zonave të influencës, pas agresionit rus në Ukrainë.

Në rajone si Ballkani Perëndimor, ku ka konflikte të fjetura, rreziku për t’u rizgjuar ekziston. Kemi agresionin e 24 Shtatorit, një agresion që meriton të quhet terrorist. Këto janë shenja jo të një kërcënimi aq të madh sa të flasim për luftë, por gjithsesi duhet të jemi të vëmendshëm.” – Niko Peleshi.

Maqedonia e Veriut

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pas takimit me Stoltenberg theksoi se informatat e shkëmbyera ndërmjet institucioneve brenda vendit, por edhe me aleatët në NATO, janë se nuk ka asnjë kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e vendit.

Sigurisht ndikimi nga vendet e treta, përfshirë ndikimin rus, ekziston në rajon dhe ata gjithmonë përpiqen të gjejnë dikë që mendon njësoj, por nuk janë në nivelin që kanë institucionet tona, që kanë vendet anëtare të NATO-s dhe që kanë shërbimet tona të sigurisë dhe nuk mund të shkaktojnë destabilizimin e vendit tonë.” – Dimitar Kovaçevski.

Kroacia

Ndaj deklaratës së Zelenskyt reagoi edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, gjatë një konference të përbashkët me Presidentin e këshillit Europian, Charles Michel. Plenkoviç e quajti mesazhin e presidentit ukrainas si “tepër të qartë” dhe theksoi se mund të ketë disa “pika të nxehta destabiliteti në Europën Juglindore.

“Gjëja e fundit që i duhet BE-së është një luftë tjetër në Europën Juglindore” – Andrej Plenkoviç.

Serbia

Edhe pse zyrtarisht Serbia nuk ka reaguar drejtpërdrejt për deklaratën e Volodymir Zelenskyt, vizita e Jens Stoltenberg në Ballkan përfshinte edhe një ndalesë në Beograd. Gjatë takimit, Stoltenberg i tha Vuçiçit se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën, pas sulmit të 24 Shtatorit në Banjskë, nuk e ndihmon qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.

Në përgjigjen e tij, Vuçiç i tha sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg se ushtria serbe kurrë nuk i ka tejkaluar të drejtat dhe kompetencat e saj.

Se ku dhe si do ta vendosim ushtrinë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, pa rrezikuar askënd, kjo është punë e jona” – Aleksandar Vuçiç.

Ledion Krisafi vlerëson se nuk ekziston një rrezik për luftë ndërshtetërore në Ballkan, pasi ajo do të dëmtonte dhe izolonte Serbinë në mes të Europës.

Nuk mendoj se ekziston një rrezik i tillë edhe pse Serbia është e rrethuar nga NATO. Megjithëse Kosova nuk është në NATO, ajo është në Kosovë dhe vetë Presidenti Vuçiç është shprehur disa herë që nëse ushtria serbe kalon kufirin e Kosovës, do të përballet me NATO-n.” -thotë Krisafi.

Shtimi i trupave të NATO-s në Kosovë

Pavarësisht deklaratës se NATO nuk sheh asnjë rrezik të afërt ushtarak në Ballkan, Stoltenberg deklaroi se Aleanca Euroatlantike po mendon të ketë një rritje të përhershme të forcave të saj në rajon, për të parandaluar konflikte të tjera.

Duhet të kuptojmë përse ky rajon ka kaq shumë rëndësi për NATO-n. Ne nuk shohim kërcënim të menjëhershëm ushtarak kundër aleatëve të NATO’s në këtë rajon. Ajo çfarë shohim është rritja e tensioneve, sidomos në Kosovë. Shohim që ka tensione në Bosnje Hercegovinë, por nuk shohim një kërcënim të drejtpërdrejtë, të menjëhershëm ushtarak kundër vendeve. Po, jemi të shqetësuar kur shohim që disa vende të rajonit po shkojnë në drejtim të gabuar, por në të njëjtën kohë duhet kuptuar forca dhe rëndësia e NATO-s. Në Kosovë kemi rritur praninë me 1000 trupa shtesë dhe armatime të rënda. Sigurisht jemi vigjilentë dhe monitorojmë nga afër situatën.” – tha Jens Stoltenberg në konferencën për shtyp.

Përfundim

Deklaratat e presidentit ukrainas Volodymir Zelensky, se ka informacione që Rusia po kërkon të nisë një luftë në Ballkan dhe se konflikti në Ukrainë mund të kthehet në përplasje globale, të pasqyruara me tituj bombastikë në media të ndryshme, të vendosura përballë deklaratave të Bashkimit Europian dhe Aleancës Euroatlantike, tregojnë për dy histori të ndryshme.

Kërcënimin ndaj Ballkanit për të cilat Ukraina tha se ka informacione, Bashkimi Europian e quajti si vazhdim të politikave dhe ndikimit të hershëm që Rusia mundohet të ushtrojë në rajon dhe jo si një kërcënim të afërt ushtarak ndaj vendeve të Ballkanit.

Në këtë mendim është edhe hulumtuesi Ledion Krisafi Krisafi kur argumenton se një konflikt i madh në Ballkan ka shumë pak gjasa të ndodhë, pikërisht për shkak të pranisë së NATO-s në rajon dhe pamundësisë së Serbisë për të mbijetuar e vetme në rast izolimi.

Përpos shkaktimit të problemeve dhe krizave të vogla rajonale, herë në Kosovë, herë në Bosnje dhe herë në Mal të Zi, nuk mendoj se Serbia ka kapacitetin as të nisë një luftë të madhe në Ballkan dhe as të përballojë një luftë të tillë. Serbia do të përballej me një reagim të tillë evropian dhe amerikan sanksionesh dhe izolimi që një vend si Serbia nuk i përballon dot.” – argumenton Krisafi.

Ajo që Serbia mund të shkaktojë, vijon Krisafi, janë ngjarje si ajo në Banjskë, konflikte të vogla lokale që shkaktojnë kriza disamujore që i japin mundësi Serbisë të shtyjë sa më shumë momentin kur do i duhet të firmosë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën.

Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img