KLEVIS PALOKA
“ Përsa i përket kalendarit të punimeve, do të fillojmë në qershor fillimisht me pastrimin, le të themi heqjen e të gjitha objekteve të tepërta, ndarjeve, barrierave, mureve, xhamave, skeleteve metalikë që sot janë pengësë”, kështu deklaronte në prill të këtij viti kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, gjatë prezantimit të projektit për rivitalizimin e piramidës së Tiranës.
Por çfarë ka ndodhur dy muaj më pas, a ka nisur puna për rehabilitimin apo qoftë edhe vetëm pastrimin e piramidës?
Në një monitorim të bërë nga “ Faktoje” në fillim të muajit korrik, shihet qartë se për pastrimin e Piramidës nuk ka ndonjë shenjë, madje rezulton se pjesa e përparme e saj është kthyer në një gërmadhë dhe në një grumbull mbeturinash.
Foto: Klevis Paloka
*Pjesa e përparme e piramidës
Po aq qartë shihet dhe kuptohet që asnjë lloj pune nuk ka filluar në këtë godinë edhe nga pjesa e prapme e piramidës e cila vazhdon të menaxhohet nga një biznes privat i cili ende nuk i ka liruar ambientet.
E vetmja gjë që aktualisht është bërë tek piramida, është rrethimi i saj me rrjetë për të mos lejuar qytetarët t’i afrohen kësaj ndërtese pasi për shkak të degradimit të saj, në disa pjesë mund të jetë e rrezikshme.
Duke qënë se nga terreni dallohet qartë se nuk asnjë shenjë nga nisja e punimeve për rivitalizimin e kësaj piramide, premtimin e Veliajt do ta cilësojmë si të Pambajtur.