.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashRiciklohet lajmi i muajit shkurt për marrëveshjen Turqi-Ukrainë

Riciklohet lajmi i muajit shkurt për marrëveshjen Turqi-Ukrainë

Situata e krijuar në Ukrainë pas nisjes së luftës nga Rusia në shkurt 2022, është një nga temat e preferuara të “gjuetarëve” të klikimeve në rrjet. Publikimi i lajmeve që bazohen në informacione të vjetra, është praktikë e përhapur në portalet online. Ky është rasti i lajmit me titullin e bujshëm “LAJMI MADH Per Ukrainen! Njofton Zelenskiy!! Ja cfare ka ndodhur…” të publikuar nga “newstimesbd24.com”.

Jona Plumbi

Lufta në Ukrainë është kthyer në “grep” për portalet online që publikojnë artikuj me tituj të ekzagjeruar, me qëllim marrjen e sa më shumë klikimeve. Informacionet shpesh janë të pavërteta apo të vjetëruara, gjë që sjell keqinformimin e lexuesve. I tillë është lajmi i publikuar nga “newstimesbd24.com” në datën 20 Tetor 2022, pavarësisht se lajmi flet për një ngjarje që ka ndodhur në datën 26 shkurt.

Artikulli i publikuar nuk jep asnjë referencë kohe apo burim informacioni mbi ngjarjen. Por data e publikimit të këtij artikulli shfaqet në adresën e saj në rrjet (link) të theksuar me të verdhë ne imazhin më poshtë.

Faktoje verifikoi se lajmi, në të vërtetë i përket muajit shkurt, pak ditë pas nisjes së luftës në Ukrainë, kur ishte e nevojshme që të evitohej rreziku i një sulmi masiv të ushtrisë ruse me qëllim marrjen e Kievit. Burim i këtij informacioni ka qënë vetë presidenti ukrainas, Volodymir Zelenski. Në rrjetin social Instagram ai ka shpërndarë shkrimin ku falenderonte presidentin turk Erdogan për mbështetjen përmes ndalimit të kalimit të anijeve luftarake ruse në Detin e Zi.

Lajmi u pasqyrua edhe në mediat ukrainase, ato ndërkombëtare, si dhe në shtypin vendas, në datën 26 Shkurt 2022. Që prej këtij momenti kanë ndodhur shumë zhvillime në frontin ukrainas dhe vetë situatën e sigurisë në Detin e Zi. Në muajt e verës, Turqia u ofrua bë gjithashtu ndërmjetëse për të mundësuar çminimin e ujrave ukrainase në Detin e Zi, për të lejuar kalimin e anijeve të ngarkuara me grurë.

Përdorimi i temave që ngjallin interes tek njerëzit, duke risjellë lajme të vjetra, ka vetëm një qëllim: mbledhjen e klikimeve për përfitime personale. Shpërndarja e lajmeve të vjetra me tituj të bujshëm sjell keqinformim tek lexuesit, të cilëve nuk i ofrohet informacion i plotë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img