Pretendimi: FED do të nisë shtypjen e parave në tremujorin 3 dhe 4 të këtij viti dhe triliona dollarë do të hyjnë në tregun e kriptomonedhave

Verdikti: E pavërtetë

———————————————-

Në rrjete sociale shqipfolëse po qarkullon lajmi se Sistemi i Rezervës Federale (FED), sistemi bankar qendror i Shteteve të Bashkuara, do të nisë shtypjen e parave në tremujorin e tretë dhe të katërt të këtij viti. Si pasojë, triliona dollarë pretendohet se do të hyjnë në tregun e kriptomonedhave.

Megjithatë, ky pretendim nuk shoqërohet me ndonjë burim apo referencë për ta mbështetur.

Imazhi që shoqëron duket se është përkthyer automatikisht nga anglishtja. Një kërkim me fjalë kyçe në anglisht na tregon se ky ‘lajm’ nuk është raportuar në ndonjë media të besueshme kombëtare apo ndërkombëtare.

Në vend të kësaj, ky pretendim shfaqet vetëm në disa postime nga përdorues anonimë në rrjete sociale dhe në Binance, një platofrmë shkëmbimi kriptomonedhash.

Në këtë kontekst, “shtypje parash” i referohet Lehtësimit Sasior (QE), një politikë monetare ku një bankë qendrore blen shuma të paracaktuara të bonove qeveritare ose aseteve të tjera financiare me qëllim stimulimin e aktivitetit ekonomik. Lehtësimi Sasior është një formë e re e politikës monetare që hyri në zbatim të gjerë pas krizës financiare të vitit 2008.

QE është e kundërta e Shtrëngimit Sasior (QT), i cili aplikohet nga bankat qendrore për të ulur sasinë e likuiditetit ose ofertës monetare në ekonomi. Një bankë qendrore zbaton shtrëngim sasior duke zvogëluar asetet financiare që mban në bilancin e saj duke i shitur ato në tregjet financiare, gjë që ul çmimet e aseteve dhe rrit normat e interesit.

Rezerva Federale filloi programin e saj të Shtrëngimit Sasior (QT) në Qershor 2022, pas ndërprerjes së Lehtësimit Sasior (QE) në Tetor 2021 pas pandemisë Covid-19.

Deri në Korrik 2025, nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar nga FED për “shtypje parash” në tremujorin e tretë dhe të katërt të vitit 2025. 

FED ka mbajtur një qëndrim të kujdesshëm, me normat e interesit të mbajtura të qëndrueshme midis 4.25% dhe 4.5% që nga Qershori 2025, sipas CME Fedëatch

Pretendimi që po qarkullon në rrjet është spekulim financiar dhe i pabazuar në prova.