Pretendimi: Kjo video tregon një makineri që prodhon retë artificiale për të ndryshuar motin
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po shpërndahet një video që duket se tregon një kolonë kondensimi me pretendimin se ajo është prodhuar nga një ‘makineri resh’. Kjo gjë etiketohet si një ‘krim makabër’ për të cilin udhëheqësit heshtin.
Më anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, e cila është postuar fillimisht në rrjetet sociale gjermanishtfolëse. Video përshkruhet si e xhiruar në Hoyerswerda, Gjermani, dhe pretendohet se tregon një “termocentral resh.”
Në Hoyerswerda ndodhet termocentrali Schwarze Pumpe, i cili është hapur në 1997.
Pamjet nga Google Street View konfirmojnë se video e mësipërme tregon pikërisht këtë termocentral.
Retë që duket se dalin nga kullat ftohëse të këtij termocentrali janë në fakt një fenomen krejt normal. Ato formohen mbi këto kulla siç formohen retë mbi det. Një kullë ftohëse nxjerr ajër të ngrohtë dhe të lagësht, i cili ngjitet lart. Kur ky ajër ftohet më pas, ai kondensohet dhe formon re, siç formohen retë mbi det kur uji i detit avullon.
Një zëdhënse nga LEAG, kompania që operon termocentralin Schwarze Pumpe, tha për DPA se “kullat ftohëse nxjerrin avull nga qarku ftohës me ujë dhe gazra të pastruara.” Ajo shtoi se emetimet e këtyre gazrave monitorohen vazhdimisht dhe janë nën vlerat e përcaktuara nga kufinjtë ligjorë.