.

.

BallinaPertejRehabilitimi i zonave publike në Tiranë, pa tabela informuese

Rehabilitimi i zonave publike në Tiranë, pa tabela informuese

KLEVIS PALOKA

Në 3 kantiere ndërtimi të hapura në zonat më të ngarkuara me trafik në Tiranë, qytetarët përballen jo vetëm më stresin e kaosit e të vonesave, por edhe me mungesë të informacionit se kur nisin e kur përfundojnë këto punime edhe pse është detyrim ligjor për Bashkinë e Tiranes.

…………………………………………………………………………………………………………….

Në kryeqytet po rehabilitohen disa zona publike rrugë, bulevard e parqe nga firmat e kontraktuara nga Bashkia e Tiranës. 3 kantieret më të mëdha të ndërtimit janë në bulevardin “ Zogu i Parë”, parkun “ Rinia” dhe “ Rrugën e Elbasanit” akse me ngarkesë të madhe të automjeteve dhe transportit publik. Të gjithë janë të interesuar se sa do të vazhdojnë këto punime, pasi vonesa në trafik dhe bllokimi i rrugëve ndikon në përditshmërinë e secilit.

“Faktoje” bëri një verifikim në terren fillimisht në mes të muajit gusht dhe në fund të tij, nga vëzhgimi rezulton se në 2 prej këtyre kantiereve mungojnë tabelat informuese për projektin edhe pse ato janë një detyrim ligjor.

Në ligjin nr.894, datë 4.11.2015 thuhet se në çdo vend ku kryhen punime, qoftë nga institucione private apo shtetërore, në kantierin e punimeve duhet të vendoset një tabelë informuese lidhur me projektin që është në zbatim, afatet dhe një numër të dhënash të tjera.

Nga verifikimi i “ Faktoje” në këto 3 punë publike kryer në datën 16 gusht, vetëm në parkun “Rinia” ishte e vendosur një tabelë informuese, por edhe ajo me informacion të mangët.

16 gusht 2019/ Parku “ Rinia”; Foto: Klevis Paloka

28 gusht 2019/ Parku “ Rinia”; Foto: Klevis Paloka

Në tabelë mungon data e nisjes dhe përfundimit të punimeve, ndërkohë që jepet vetëm afati prej 8 muajsh kalendarikë.

Në dy kantieret e tjera ku po kryhen punë nga Bashkia Tiranë nuk është vendosur asnjë tabelë informuese ndërsa për trafikun e rënduar që krijohet për shkak të punimeve janë vendosur efektivë të policisë rrugore.

Punimet që po kryhen ndërkohë për rehabilitimin e bulevardit “Zogu i Parë”, u inspektuan në 8 gusht nga kryetari i bashkisë Veliaj dhe stafi i tij, por edhe aty mungon tabela informuese. Në zonën e rrethuar është vendosur vetëm një planimetri e strukturës në pamjen 3D, por mungon tabela me informacionin për afatet dhe firmën që zbaton projektin.

16 gusht 2019/ Bulevardi “ Zogu i Parë”; Foto: Klevis Paloka

28 gusht 2019/ Bulevardi “ Zogu i Parë”; Foto: Klevis Paloka

 

Një tjetër zonë e kthyer në kantier është ajo tek “ Rruga e Elbasanit”, një nyje e rëndësishme që lidh Tiranën me qytetet e tjera dhe ku janë përqëndruar disa shkolla dhe seli diplomatike.Trafiku kaotik ka nisur që me hapjen e punimeve për të cilat mungon sërish tabela informuese për afatet, firmën që zbaton projektin dhe të gjitha të dhënat e tjera siç i kërkon ligji. Ndërkohë nisja e vitit të ri shkollor po afron dhe situata me trafikun mund të jetë edhe më kaotike.

16 gusht 2019/ Rruga e Elbasanit; Foto: Klevis Paloka

28 gusht 2019/ Foto: Klevis Paloka;  “ Rruga e Elbasanit”

“Faktoje” vëren se në informacionet që janë detyrim ligjor për t’u vendosur në tabelat informuese përfshihen edhe leja e ndërtimit dhe kostoja totale e investimit. Duhet të kujtojmë se bëhet fjalë për fonde publike dhe që lidhen drejpërdrejt me interesat e taksapaguesve të cilët kërkojnë transparencë.

Nga vëzhgimi në terren edhe në fund të muajit gusht tabelat ende nuk janë vendosur.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img