Pretendimi: Stanley Kubrick ka inskenuar të gjitha udhëtimet e NASA në Hënë
Verdikti: E pavërtetë
Postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se kineasti amerikan, Stanley Kubrick ka deklaruar se të gjitha uljet në Hënë janë të falsifikuara dhe ka qenë ai që i ka bërë të gjitha xhirimet.
“Kam bërë një mashtrim të madh ndaj publikut amerikan, të cilin do ta shpjegoj në detaje:
Me bashkëpunimin e qeverisë amerikane dhe NASA-s, ne falsifikuam uljen në Hënë. TË GJITHA uljet në Hënë ishin të falsifikuara dhe unë isha ai që i filmova të gjitha”, shkruajnë përdorues në rrjetet sociale, duke cituar regjisorin, Stanley Kubrick.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Mirëpo, më herët Faktoje i ka verifikuar këto pretendime dhe rezulton se personi që e ka thënë këtë frazë është në të vërtetë një aktor që luan Kubrick në një film.
Nëpërmjet motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, konstatuam se klipi është shkëputur nga një film i vitit 2015 i quajtur “Shooting Stanley Kubrick”, i prodhuar nga T. Patrick Murray.
Sipas të dhënave mbi filmin në databazën e të dhënave IMDB, ‘Stanley Kubrick’ që rrëfen inskenimin e zbarkimit në Hënë është në fakt aktori Tom Mayk.
Kjo është konfirmuar edhe nga një zëdhënës i së vesë së Kubrick, Christiane Kubrick.
“Intervista është një gënjeshtër, Stanley Kubrick nuk është intervistuar kurrë nga T. Patrick Murray, e gjithë kjo histori është e sajuar, mashtruese dhe e pavërtetë”, është shprehur ajo.
Ndërsa, në postim është përdorur një foto e Kubrick gjatë prapaskenave të xhirimeve të filmit “Eyes Wide Shut”. Bazuar në novelen “Traumnovelle” të Arthur Schnitzler, “Eyes Wide Shut” ishte filmi i fundit i Stanley Kubrick, gjithashtu edhe ai më i gjati në procesin e realizimit. Kubrick e kishte konceptuar projektin e tij që në fillim të viteve ’70.