Reformat, korrupsioni dhe liria e medias, pikat kyçe të progresraportit për Shqipërinë

Kërkohen rezultate më të forta në luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e drejtësisë, lirinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit

10

“Mbyllja e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri në fund të vitit 2027 është një objektiv i arritshëm, por kërkon vijimësi në reformat kyçe.”

 Kështu u shpreh komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ku riktheu në vëmendje nevojën për drejtësi të pavarur, media të lirë dhe mbrojtje të mjedisit. 

Teksa u pyet në lidhje me situatën në Shqipëri, Kos theksoi se qeveria duhet të bëjë ndryshime në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe për Investimet Strategjike, për të cilët kanë shprehur shqetësim edhe protestuesit.

“Kapitulli i mjedisit është një nga më të vështirët. Qeveria duhet të ndryshojë disa nga amendamentet dhe ligjin për investimet strategjike, janë pikërisht ato që kërkojnë protestuesit. Ne presim dialogun mes qeverisë dhe anëtarëve të tjerë se këtu bazohet edhe procesi i integrimit”, tha ajo.

Në progresraportin për Shqipërinë, Komisioni Europian vlerëson përparimin në procesin e integrimit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar, por evidenton problematika që lidhen me korrupsionin, funksionimin e institucioneve, median dhe të drejtat themelore. 

SPAK vlerësohet, por korrupsioni mbetet sfidë

Komisioni Europian vlerëson rezultatet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por thekson se korrupsioni vijon të jetë një problem real për vendin. Raporti kërkon më shumë rezultate konkrete, veçanërisht në hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë. 

Një nga çështjet e veçanta të përmendura është votimi në Kuvend kundër kërkesës së SPAK-ut për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku. Sipas raportit, ky vendim ngre shqetësime për funksionimin e mekanizmave të kontrollit dhe balancës mes pushteteve, si dhe për respektimin e parimit të barazisë përpara ligjit. 

Ndërhyrjet në drejtësi dhe mungesa e burimeve njerëzore

Raporti vlerëson se përfundimi i procesit të vettingut ka ndihmuar në forcimin e pavarësisë, llogaridhënies dhe integritetit të sistemit të drejtësisë. Megjithatë, Komisioni evidenton përpjekje të politikanëve dhe zyrtarëve publikë për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm në sistemin gjyqësor, përfshirë SPAK-un, si dhe sulme personale ndaj magjistratëve.

Mungesa e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit mbështetës, vonesat në gjykimin e çështjeve dhe problemet me infrastrukturën vijojnë të ndikojnë në cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë. 

Për këtë arsye, KE kërkon plotësimin e vendeve vakante dhe uljen e ndërhyrjeve politike në sistem. 

Kuvendi me mbikëqyrje të dobët ndaj qeverisë

Komisioni Europian konstaton se kontrolli parlamentar ndaj ekzekutivit mbetet i dobët dhe se mungesa e dialogut politik ka kufizuar funksionimin e Kuvendit. 

Raporti përmend refuzimin sistematik të kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, pa zhvilluar debat, si dhe moszbatimin e disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. 

Shqetësim mbetet edhe politizimi i emërimeve në institucionet e pavarura. Raporti përmend zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi vetëm me votat e shumicës qeverisëse, pa konsensus ndërpartiak. 

Reforma zgjedhore kërkohet para zgjedhjeve vendore të 2027-s

Një tjetër rekomandim i Komisionit Europian është përfundimi i reformës zgjedhore përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027. 

Sipas raportit, disa rekomandime të kahershme të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias ende nuk janë adresuar, ndaj një reformë gjithëpërfshirëse konsiderohet urgjente. 

Liria e medias, kërcënimet dhe paditë SLAPP

Në fushën e medias, KE vëren se Shqipëria ka shënuar njëfarë progresi, por ende nuk garanton kushte të mjaftueshme për ushtrimin e lirë dhe të pavarur të gazetarisë. 

Pavarësia dhe pluralizmi mediatik, sipas raportit, ndikohen nga ndërthurja e interesave politike dhe ekonomike, përqendrimi i pronësisë dhe mungesa e transparencës mbi burimet e financimit.

Shqetësim mbeten gjithashtu kërcënimet, fushatat denigruese ndaj gazetarëve dhe paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP). KE kërkon transparencë mbi pronësinë dhe financimin e mediave, mbrojtje më të mirë për gazetarët dhe dekriminalizim të plotë të shpifjes. 

Paraburgimi mbetet masa kryesore gjatë hetimeve

Një tjetër problematikë e evidentuar është përdorimi i shpeshtë i paraburgimit, i cili sipas raportit vijon të jetë masa kryesore shtrënguese gjatë fazës së hetimit dhe në pritje të gjykimit. Komisioni Europian kërkon që institucionet të përdorin më gjerësisht masat alternative dhe të rifillojnë urgjentisht monitorimin elektronik, të pezulluar që prej vitit 2019.

Raporti nënvizon edhe problematika që lidhen me të drejtat procedurale të personave të dyshuar dhe të akuzuar, përfshirë aksesin te avokati që në fazat e para të hetimit dhe respektimin e prezumimit të pafajësisë.

Protestat për mjedisin dhe kërkesa për dialog

Progresraporti i kushton vëmendje edhe protestave që nisën në maj 2026, pas shqetësimeve mjedisore për punimet në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë. 

Sipas Komisionit Europian, ato u shndërruan në një lëvizje më të gjerë qytetare, ku u kërkua më shumë transparencë për lejet e projekteve të mëdha, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje e mirë.

Raporti përmend edhe përplasjet e tetorit mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, si dhe pretendimet për përdorim të tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. 

Komisioni thekson se deri në momentin e hartimit të raportit nuk ishte zhvilluar dialog dhe u kërkon të gjitha palëve të angazhohen në një proces konstruktiv. 

Fondet IPARD III vijojnë të jenë të bllokuara

Në fushën e bujqësisë, Komisioni Europian konstaton se Shqipëria ende nuk i ka përmbushur kushtet për të marrë përgjegjësinë e administrimit të fondeve IPARD III. 

Raporti kërkon forcimin e sistemeve te menaxhimit financiar dhe kontrollit, si dhe rritjen e kapaciteteve administrative për të garantuar përdorimin e rregullt të financimeve europiane. 

Megjithëse janë bërë hapa në ngritjen e strukturave për administrimin e mbështetjes bujqësore, mbeten për t’u përmbushur parakushte të rëndësishme, përfshirë zhvillimin e Sistemit të Integruar të Administrimit dhe Kontrollit (IACS). 

Artikulli paraprakPolicia “fortifikohet” në 2027-ën, 33.6 miliardë lekë buxhet
Megi Iskurti
Megi Iskurti ka përfunduar studimet bachelor në Shkenca Komunikimi/Gazetari dhe masterin shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare. Është vlerësuar me certifikatë ekselence si studentja me rezultatet më të larta akademike në Departamentin e Gazetarisë në Kolegjin Universitar “Bedër”. Ka pesë vite përvojë në median online Gazeta Si, ku ka mbuluar kryesisht çështje të ekonomisë dhe gjeopolitikës. Në Faktoje.al merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Është gjithashtu fituese e disa çmimeve të para në konkurse të eseistikës, të folurit publik dhe në konferenca studentore.