Kryeministri Edi Rama deklaroi në fund të muajit Shkurt se nga lista e gjatë e ministrave ndër vite vetëm dy prej tyre janë të dënuar nga drejtësia. “Në tre mandate kanë qenë rreth ose 60 ministra, numërojini pak. Dy ministra janë dënuar nga mandati i parë, njëri i Partisë Socialiste, njëri i aleatit strategjik ndjesë pastë partia aleate strategjike, pastaj një i tretë në paraburgim sot e gjithë ditën por i padënuar ende që prezumohet i pafajshëm sipas drejtësisë europiane dhe një i katërt në arrati, zëvendës kryeministri. 4, ok?”, është shprehur Rama në rubrikën “sy me sy”. Kjo ishte e para, por jo e fundit deklaratë e Ramës për korrupsionin dhe hetimet ndaj anëtarëve të qeverisë së tij.
Edhe në takimin e fundit me diasporën në Milano, Rama është përpjekur të relativizojë perceptimin e përcjellë nga opozita se “gjysma e qeverisë është në burg”, duke ofruar më shumë një kornizë statistikore. Në takimin me diasporën, Rama tha me pak fjalë se hetimet ndër vite janë arsye për krenari dhe jo për turp, pasi janë rezultat i një drejtësie të pavarur.
Arsyeja
Politologu Ilir Kalemaj thotë për Faktoje.al se, “deklarata e Ramës që kërkon të shfajësohet duke bërë spin-in e zakonshëm, për të justifikuar akuzat e shumëfishta ndaj anëtarëve të tij të kabinetit, janë thjesht për efekt elektoral por nuk dihet çfarë efektshmërie mund të kenë”.
Pse? “Kjo pasi është në kontradiktë termash si dhe sfumon logjikën elementare. Pra, nga njëra anë SPAK si institucion është krijuar dhe vijon të mbështetet vetëm nga PS dhe Rama si garant i tij dhe nga ana tjetër, mbi 90 përqind e të akuzuarve të SPAK në nivelet e larta janë ish-ministra, ish-deputetë dhe ish-kryebashkiakë të PS, duke filluar nga ish-bashkëpunëtorët më të ngushtë të Ramës si Tahiri, Ahmetaj dhe Beqaj”.
Nga ana tjetër, sipas tij, një aradhë e gjatë funksionarësh të lartë duke nisur nga Veliaj janë gjithashtu rrugës së përballjes me drejtësinë.
Kalemaj e ka një shpjegim të relativizimit të fenomenit.
“Nuk mund ta kapitalizosh SPAK dhe reformën në drejtësi elektoralisht thjesht se sondazhet e nxjerrin këtë organ të drejtësisë të vlerësuar nga qytetarët dhe njëkohësisht të nënvleftësosh rolin dhe peshën e bashkëpunëtorëve të tu të dikurshëm ose të tashëm thjesht për të marrë vota”.
Fenomeni
Rrethi i hetimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe ish-zyrtarëve në Shqipëri është zgjeruar ndjeshëm ndër vite, me një seri rastesh që përfshijnë emra të njohur të politikës shqiptare si ministra, deputetë, kryetar bashkie… etj
Në morinë e hetimeve Faktoje.al i është referuar vetëm paraqitjeve publike në dyert e SPAK , kallëzimeve të raportuara nga opozita si dhe njoftimeve zyrtare të SPAK që prekin emra ministrash dhe ish-ministra nga viti 2013, sa kohë deklarata e Ramës i referohej vetëm ministrave ndër vite.
Çfarë ka ndodhur?
Duke përmendur vetëm dy ministra të dënuar dhe dy të tjerë (njëri në paraburgim dhe tjetri në arrati), Rama deri diku është përpjekur ta përdorë edhe si argument për një standard të lartë moral, por edhe institucional.
Por le të marrim vetëm ata që aktualisht janë në burg dhe për çfarë për të kuptuar se sa qëndron ky standard?
Rastet
Kërkim ndërkombetar | Të dënuar | Të pandehur | Në gjykim/arrest me burg | Arrest me burg |
Arben Ahmetaj | Lefter Koka | Sonila Qato | Ilir Beqaj | Erion Veliaj |
Saimir Tahiri |
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet në arrest me burg pasi ai dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxe dyshohen nga SPAK se janë ideatorët dhe zbatuesit e një skeme korruptive dhe pastrimi parash, me zanafillë bashkinë e Tiranës. Në fillimet e qeverisë Rama, Veliaj (para se të zgjidhej kryetar bashkie) ka mbajtur prej dy vitesh postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Një tjetër funksionar i lartë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ndodhet në kërkim ndërkombëtar. Ndaj tij janë ngritur akuza për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë” dhe “korrupsion pasiv”. Hetimet janë shtyrë tre herë deri tani. Ndaj tij është në zhvillim edhe një hetim pasuror, ku janë sekuestruar disa prona
Në një tjetër çështje, SPAK ka kërkuar gjykimin për 11 të pandehur në aferën e SASPAC, përfshirë ish-ministrin Ilir Beqaj, i akuzuar për 6 vepra të rënda penale, ndër to korrupsion dhe mashtrim.
SPAK gjithashtu ka shpallur pretencën për ish-drejtoreshën e ARRSH, Sonila Qato, e akuzuar për shkelje të barazisë në tendera për një kontratë prej 19 milionë euro. Për të është kërkuar 1 vit burg dhe ndalim nga funksionet publike për 5 vite. Qato ka mbajtur edhe postin e Ministres për Mbrojtjen e Sipërmarrjes në vitin 2017.
Të dënuarit
Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, u dënua me 10 vite burg për çështjen e inceneratorëve, por përfitoi ulje dënimi nga gjykimi i shkurtuar, duke u dënuar përfundimisht me 6 vite e 8 muaj. I njëjti dënim vlen edhe për çështjen e inceneratorit të Elbasanit. Ndërkohë, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua me 5 vite burg për “shpërdorim detyre”, i reduktuar në 3 vite e 4 muaj. Ai u lirua në qershor 2023, megjithëse i kishin mbetur edhe 1 vit e 8 muaj nga dënimi. Akuzat më të rënda ndaj tij nuk u provuan.
Kallëzimet
Disa prej ministrave aktualë apo ish kanë dëshmuar në SPAK rreth kallëzimeve që janë adresuar ndaj tyre kryesisht nga forcat politike kundërshtare, por ka edhe prej tyre (në një numër shumë të pakët) që kanë dëshmuar edhe pa qenë të kallëzuar, si persona që kanë dijeni mbi çështjet që po heton SPAK. Fenomeni ndër vite tregon gjithashtu se jo çdo kallëzim apo denoncim ka qenë i bazuar në prova, ndërsa PD-ja për shkak edhe të luftës së brendshme ka qenë e fragmentuar pa arritur të krijojë një data bazë se sa kallëzime ka depozituar ndër vite dhe për çfarë konkretisht ndaj ministrave të qeverisë “Rama”. Të paktën një e tillë nuk iu vu në dispozicion Faktoje.al deri në botimin e këtij artikulli.
Lista
Faktoje.al sjellë një listë emrash të ministrave aktualë dhe atyre ndër vite që janë paraqitur të paktën një herë në SPAK, si dhe atyre ndaj të cilëve ka pasur një kallëzim penal. Mbi 30% e listës së 65 ministrave (qysh prej vitit 2013) rezulton të ketë pasur të paktën një ballafaqim direkt ose indirekt me organet e drejtësisë. Ndërkohë, me probleme ligjore të theksuara deri më tani (të dënuar, pandehur, arrest me burg, në kërkim) rezultojnë 6
Përfundim
Referuar sa më sipër, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se nga viti 2013 e deri më sot janë dënuar vetëm dy ministra, një tjetër ndodhet në paraburgim dhe një I katërt në arrati do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë
Skedari i ministrave në raport me drejtësinë nga viti 2013
Skedari i ministrave në raport me drejtësinë nga viti 2013
Kërkim ndërkombëtar | Arrest me burg | Të dënuar: | Të pandehur | Në gjykim/arrest me burg |
Arben Ahmetaj | Erion Veliaj | Lefter Koka | Sonila Qato | Ilir Beqaj |
Saimir Tahiri |
Ministra aktualë që janë paraqitur në SPAK dhe/ose ndaj tyre ka një kallëzim penal
Edi Rama– (I kallëzuar nga PD,ish-LSI) | Ulsi Manja – (I kallëzuar në SPAK) |
Belinda Balluku – (paraqitur në SPAK, e kallëzuar nga PD) | Blendi Gonxhe – (paraqitur në SPAK, i kallëzuar) |
Taulant Balla – (paraqitur në cilësinë e personit që ka bërë kallëzimin, por është gjithashtu i kallëzuar nga PD) | Ogerta Manastirliu – (paraqitur në SPAK, e kallëzuar nga PD) |
Anila Denaj – (paraqitur në SPAK) | Pirro Vengu – (I kallëzuar në SPAK) |
Albana Koçiu– (E kallëzuar nga PD) |
Ish-ministra, aktualisht deputetë
Niko Peleshi (paraqitur në SPAK, i kallëzuar nga LSI) | Nasip Naço (paraqitur në SPAK) |
Elisa Spiropali (E kallëzuar nga PD) | Blendi Klosi (I kallëzuar në SPAK) |
Ermonela Felaj (Thirrur në SPAK bashkëshorti i saj) | Edona Bilali (E kallëzuar në SPAK nga një ekspert IT) |
Fatmir Xhafaj (I kallëzuar në SPAK nga PD) | Petrit Vasili (paraqitur në SPAK) |
Damian Gjiknuri (paraqitur në SPAK, i kallëzuar nga PD) | Olta Xhaçka (Nën hetim, paraqitur në SPAK ) |
Eduard Shalsi (I kallëzuar në SPAK) | Etilda Gjonaj (E kallëzuar nga PL) |
Lindita Nikolla (E kallëzuar nga PD) |
Ish ministra, por jo deputetë
Edmond Haxhinasto (paraqitur në SPAK) | Elva Margariti (E kallëzuar në SPAK) |
Edmond Panariti (I kallëzuar në SPAK) | Erion Veliaj (arrest me burg) |
Të larguar nga politika që janë paraqitur në SPAK
Shkëlqim Cani (paraqitur në SPAK) | Ervin Mete (paraqitur në SPAK) |
Sander Lleshaj (paraqitur në SPAK, i kallëzuar nga Myslim Murrizi) | Sonila Qato (E pandehur, në gjykim, është paraqitur më heret për dëshmi) |